Pubikohet Raporti i Parë për Mbështetjen Financiare të OJQ-ve

Më 14 Mars 2017 është publikuar raporti i parë për mbështetjen financiare të Organizatave të Shoqërisë Civile në Kosovë nga institucionet publike. Ky raport është hartuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë me mbështetjen e projektit
dy vjeçar të financuar nga BE “Mbështetje për Zbatimin e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile”, i cili synon të përmirësojë kapacitetet e Qeverisë së Kosovës për të ndërtuar bashkëpunim efektiv me shoqërinë civile në kryerjen e reformave të rëndësishme ekonomike dhe sociale.

Drejtoresha ekzekutive e Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), Florina Duli, që gjithashtu është anëtare e Këshillit për Zbatimin e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me shoqërinë civile, gjatë prezantimit të raportit theksoi se publikimi i këtij raporti shënon një hap drejt transparencës, megjithatë ende mungojnë informacionet më të detajuara mbi atë se cilat janë projektet që janë zbatuar dhe impaktin që ato kanë pasur. Znj. Duli,  theksoi gjithashtu se analiza përveç që ndriçon deri në një masë praktikat aktuale të mbështetjes financiare  të OJQ-ve, ajo pritet të ndihmojë që reforma e planifikuar në sektorin e kontraktimit të OJQ-ve për ofrim shërbimesh publike të zbatohet sipas standardeve me të mira evropiane, duke mos u lënë hapësirë praktikave të nepotizmit dhe korrupsionit.