Pensionistët: Ligji Aktual, Shkelje e të Drejtave të Njeriut

Tema e radhës në kuadër të ciklit të debatit për dialogun social ishte ajo e pensioneve.Të ftuarit për diskutim në emisionin Info Magazine ishin: Shaqir Foniqi, ish-gazetar, Shqipe Pantina, deputete e Lëvizjes Vetëvendosjedhe Fatmir Haxholli, këshilltar i ministrit Arban Abrashi.Për kontribuuesit e pensioneve, ligji aktual u cilësua si fyes dhe provokues. Ish-gazetari Shaqir Foniqi, u shpreh i zhgënjyer me institucionet tona. Ky ligj, sipas tij, është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.

”Kam 40 vjet përvojë pune në televizion, 5 vjet korrespodent i redaksisë në TVSH, i përjashtuar nga puna nga ish drejtori serb. Kam 12 vjet e 8 muaj e disa ditë, pse të më hedhën gjithë këto mirënjohje, misione e libra në baltë” u shpreh, Foniqi.

Lidhur më këtë, këshilltari i ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Haxholli, u arsyetua se shumë nga problemet me sistemin aktual pensional janë trashëguar nga legjislatura e kaluar dhe veçoi punën e mirë që sipas tij ka bërë ministri i tanishëm. Gjatë diskutimit, ai fajësoi edhe opozitën si bashkëfajtore për problemet e shfaqura në legjislacionin për skemat pensionale.

“Të gjithë kanë të drejtë legjitime që ta gëzojnë këtë të drejtë. Ne kemi një sistem që ka pasur dhe ka nevojë për përmirësime. Deputetja Pantina duhet ta shikojë pagën e saj e cila është shumë e lartë. Disa deputetë si zonja Pantina, që e kanë gojën plot retorikë, nuk ofrojnë shembuj, por veç flasin. Subjekti të cilit i takon ajo nuk ka ardhur kurrë me plane konkrete, por është marrë me tema të mëdha, si demarkacioni e asociacioni” tha, Haxholli.

Sa i përket kornizës ligjore për pensionet, Haxholli shtoi se janë bërë përmirësime të ndjeshme .

“Kuvendi nuk ka mundur të funksionojë disa muaj, për shkak të bllokadës së opozitës. Por ka pasur përmirësime. Sot pensionet janë më të mëdha për shkak të punës që kemi bërë. Ne kemi lëvizur me hapa të shpejtë, për të bërë ndryshime, deklaroi këshilltari i MPMS, Fatmir Haxholli.

Ky konstatim u kundërshtua nga deputetja e opozitës Shqipe Pantina. Ajo tha se puna e opozitës është që të kritikoj, ndërsa kryerja e punëve është obligim i pozitës.

Cikli i debateve për dialogun social realizohet në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe Fondacionin Friedrich Ebert (FES).

Debatin e plotë mund ta ndiqni në linkun më poshtë:

https://www.youtube.com/watch?v=e3BFEqPun54