Paralajmërimi për Rritje të Pagave Vazhdimësi e Politikave Paraelektorale?

Mundësia e rritjes së pagave për shërbyesit civil në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë, ishte tema e radhës në kuadër të ciklit të debatit për dialogun social. Mysafirë të ftuar në debat ishin: Blerim Syla, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë, Rrahman Jashari, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës si dhe Ibrahim Rexhepi, njohës i fushës së ekonomisë.

Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, shprehu dyshimin e tij rreth seriozitetit të lajmit për rritjen e pagave në sektorët e cekur.

“Ky nuk është vendim por vetëm një paralajmërim për rritje pagash, të cilin më shumë e mendoj si një premtim paraelektoral”, u shpreh Syla.

Syla tha se Ligji për Pagat është shumë më i rëndësishëm se propozimi i kryeminsitrit Mustafa për rritje të pagave.

“Paga minimale reflekton në të gjitha standardet tjera, të ne më i rëndësishëm është Ligji i Pagave sesa rritja e pagave. Është koha të mos mashtrohemi më me këto lloje të rritjes së  pagave”, shtoi Syla.

Ai paralajmëroi se  Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës – FSSHK, më datë 17 maj, do të mbajë protesta para objektit të Qeverisë së Kosovës me kërkesën për shfuqizimin e plotë të ligjit për paga, ligj ky i cili sipas federatës është diskriminues për punëtorët shëndetësorë.

Në anën tjetër, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari, ka thënë se në rast se nuk realizohet paralajmërimi për rritje të pagave nga kryeministri Mustafa, do të ketë pasoja.

Njohësi i fushës së ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, parashikoi se edhe nëse realizohet premtimi për rritje të pagave, rritja nuk do të jetë e madhe.

“Përderisa nuk funksionon Ligji atëherë do të ketë nëpërkëmbje të punëtorit me fajin e drejtpërdrejt të Qeverisë”, u shpreh Rexhepi. Ai, gjithashtu vuri në pah ngecjet që, sipas tij, ka pasur sektori privat.

“Presioni është shumë i madh pasi sektori privat ka ngecur në rritjen e pagave. Në këtë sektor, ka probleme të dukshme me paga, do të ketë ikje të punëtorëve”, u shpreh Rexhepi.

Cikli i debateve për dialogun social realizohet në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe Fondacionin Friedrich Ebert (FES).

Debatin e plotë mund ta ndiqni në linkun më poshtë:

https://www.youtube.com/watch?v=4d5iGyyhd7M