Abrashi: Nga e hëna nis zbatimi i pensionit invalidor dhe familjar në Kosovë

Pensioni invalidor dhe ai familjar janë dy skemat e reja që kanë filluar të zbatohen në Kosovë. Kështu u shpreh ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale,  Arban Abrashi, mbrëmë në emisionin Info Magazinë, në televizionin Klan Kosova.

Sipas tij, skemat e ofruara do të kontribuojnë në mirëqenien e qytetarëve.

“Siç e duan rregullat këto skema të reja kanë hyrë në fuqi dhe qytetarët mund të marrin aplikacionet për këto skema penisonale. Qytetarët nga sot mund të shkojnë t’i vizitojnë zyrat e pensioneve dhe nga e hëna të fillojnë aplikimin" u shpreh Abrashi.

Ai  saktësoi se pensioni invalidor fillon me një shumë bazike prej 75 euro.

Abrashi gjatë debatit foli edhe për çështjen e veteranëve të luftës. Tha se janë rreth 40 milionë euro që shkojnë vetëm për veteranët.

“Ne bëjmë shpërndarjen e pensioneve për të gjithë ata që plotësojnë kushtet. Me veteranët jemi pajtuar që  shuma të jetë prej 0.7 % të GDP-së. Kemi rreth 90 milionë të ndara për këtë skemë dhe për skemën e pensioneve familjare" u shpreh ai.

Sipas tij, aktualisht  janë gjithsej 29 mijë veteranë që marrin pension.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale ka folur edhe për numrin e të papunëve në Kosovë.

“Sot i kemi rreth 350 mijë të papunë. Shifrat për vitin e kaluar po del të jetë rreth 26 deri 27%, që është një rënie krahasuar me vitin 2014”

I pyetur për punësimin e resë se kryeministri në ministrinë që ai e drejton, Abrashi e konfirmoj një gjë të tillë duke thënë se bashkëshortja e djalit të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, është punësuar në një projekt dhe se nuk ka asgjë kundër-ligjore rreth kësaj.

Dialogu social realizohet në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe Fondacionin Friedrich Ebert (FES).

Debatin e plotë mund ta ndiqni në linkun më poshtë:

https://www.youtube.com/watch?v=zvAtdizfUj0&feature=youtu.be