Imazhi çon Peshë!

Kosova vuan nga një problem serioz i imazhit. Në shumë vende evropiane, emri ‘Kosovë’ sjell pamje të konfliktit etnik dhe të krimit të organizuar. Prandaj, institucionet qeveritare dhe shoqëria civile duhet të ndërmarrin një përgjigje të bashkërenduar. Imazhi është i rëndësishëm; posaçërisht për një shtet të ri si Kosova që aspiron të bëhet pjesë aktive e diplomacisë botërore, të josh investime të huaja dhe t’i përmbush aspiratat euroatlantike. Duke u mvarrur nga njohjet ndërkombëtare, reputacioni i vendit ka rëndësi të
jashtëzakonshme. 

Ky raport ka për qëllim t’i sfidoj klishetë ndërkombëtare dhe mendimet e përgjithshme për Kosovën. T’i përmendim vetëm disa prej tyre: Transparency Internatonal e renditi Kosovën si vendin e katërt më të korruptuar në botë. Freedom House e rendit Kosovën në vend të njejtë me Çadin sa i përket të drejtave dhe lirive politike. Departamenti Amerikan i Shtetit e përshkruan Kosovën si vend burim dhe destinacion për trafikimin e qenieve njerëzore. Mediat në Beograd raportojnë për dhunë të vazhdueshme ndëretnike. Këshilli I Evropës paralajmëron për rrezikun e jashtëzakonshëm që i kanoset BE-së nga grupet etnike kriminale shqiptare. Interpoli pohon që trafikuesit shqiptarë të drogës kontrollojnë 80 përqind të furnizimit me heroinë në Evropë, dhe UNDP-ja paralajmëron se në shtëpitë kosovare gjenden më tepër se 300,000 armë ilegale. Cila është e vërteta?

Klikoni për raportin e plotë: Imazhi çon Peshë!

Projekti: “Lista e Bardhë”

Projekti i Lista e Bardhë u nis nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet (ESI) në vitin 2008. Në partneritet me IKS dhe organizata të tjera partnere në rajon, ESI synon të nxisë udhëtimin pa viza në Evropë për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Kosova mbetet mbrapa në krahasim me vendet tjera të rajonit. Më 1 Janar 2008 marrëveshja për liberalizimin e vizave hyri në fuqi me Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnjën dhe Hercegovinën si dhe me Shqipërinë. Më 5 Janar 2008, Komisioni Evropian filloi dialogun për viza në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës. Udhërrëfyesit e detaijzuar me kritere specifike, të cilat duhet të përmbushen nga secili vend për udhëtim pa viza janë lëshuar për të gjitha vendet përveç Kosovës. Ka shumë mundësi, që të gjitha vendet përveç Kosovës, do të mund të udhëtojnë pa-viza në Evropë në vitin 2010. Si rezultat, Kosova do të jetë edhe më e izoluar politikisht dhe ekonomikisht.

Për ta parandaluar këtë, IKS-i synon të hap një debat konstruktiv për liberalizimin e vizave në Kosovë.