Pensioni invalidor dhe ai familjar janë dy skemat e reja që kanë filluar të zbatohen në Kosovë. Kështu u shpreh ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, mbrëmë në emisionin Info Magazinë, në televizionin Klan Kosova.
Sipas tij, skemat e ofruara do të kontribuojnë në mirëqenien e qytetarëve.
“Siç e duan rregullat këto skema të reja kanë hyrë në fuqi dhe qytetarët mund të marrin aplikacionet për këto skema penisonale. Qytetarët nga sot mund të shkojnë t’i vizitojnë zyrat e pensioneve dhe nga e hëna të fillojnë aplikimin” u shpreh Abrashi.
Ai saktësoi se pensioni invalidor fillon me një shumë bazike prej 75 euro.
Abrashi gjatë debatit foli edhe për çështjen e veteranëve të luftës. Tha se janë rreth 40 milionë euro që shkojnë vetëm për veteranët.
“Ne bëjmë shpërndarjen e pensioneve për të gjithë ata që plotësojnë kushtet. Me veteranët jemi pajtuar që shuma të jetë prej 0.7 % të GDP-së. Kemi rreth 90 milionë të ndara për këtë skemë dhe për skemën e pensioneve familjare” u shpreh ai.
Sipas tij, aktualisht janë gjithsej 29 mijë veteranë që marrin pension.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale ka folur edhe për numrin e të papunëve në Kosovë.
“Sot i kemi rreth 350 mijë të papunë. Shifrat për vitin e kaluar po del të jetë rreth 26 deri 27%, që është një rënie krahasuar me vitin 2014”
I pyetur për punësimin e resë se kryeministri në ministrinë që ai e drejton, Abrashi e konfirmoj një gjë të tillë duke thënë se bashkëshortja e djalit të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, është punësuar në një projekt dhe se nuk ka asgjë kundër-ligjore rreth kësaj.
Dialogu social realizohet në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe Fondacionin Friedrich Ebert (FES).
Debatin e plotë mund ta ndiqni në linkun më poshtë:
https://www.youtube.com/watch?v=zvAtdizfUj0&feature=youtu.be