Si mësuese, ligjëruese, këshilltare politike, reprezentuese rajonale, humaniste dhe së fundi drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), Florina Duli është një ndër shembujt që vërteton aftësinë e gruas që të ketë karrierë të bujshme në kohëra të vështira dhe njëkohësisht të jetë familjare e përkushtuar.
Ajo filloi karrierën në vitin 1989 si mësuese në shkollën e mesme “Stevan Mokranjac” në Prishtinë dhe të njëjtën kohë si ligjëruese në Universitetin e Prishtinës. Kohë të vështira këto për të ushtruar profesionin e mësuesit, pasi që në vitin 1990 të gjitha shkollat në gjuhën shqipe u mbyllën, por fal solidaritetit qytetar ato nisën prapë punën, e kësaj radhe nëpër shtëpi private.
“Kushtet e punës ishin jashtëzakonisht të vështira dhe ndikoheshin shumë nga kushtet e rënda ekonomike të asaj kohe”, ka rrëfyer Florina për KosovaLive.
Pas kësaj ajo filloi punën në organizatën humanitare “Medecins Sans Frontiers” që për qëllim kishte të ndihmojë qytetarët me nevojat e tyre shëndetësore.
Për ato kohë të vështira Florina ka rrezikuar veten për të ndihmuar popullin kosovar.
“Lufta solli dhe sfidat më të mëdha. Postblloqet e shumta të policisë serbe penguan punën e të gjitha organizatave humanitare. Dëshira për të ndihmuar sillte shumë rreziqe. Puna në teren gjatë luftës mbetet përvoja ime më e hidhur. Atë kohë e kujtoj për dëshirën time të madhe për t’u kthyer në mbrëmje sërish tek fëmijët e mi dhe dëshirën për t’i gjetur të gjallë ata që po i lija pas në zonat e luftës”, thotë ajo, duke kujtuar kohët e vështira gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Florina vazhdoi si përfaqësuese rajonale për “Save The Children UK”, nga viti 1997 deri në vitin 2000, e më vonë si përfaqësuese e “Save the Children Alliance in Kosovo”.
Falë angazhimit të saj gjatë situatës së refugjatëve në Maqedoni, Florina, në vitin 2001, fitoi çmimin Gallantry Award, çmim ky që ju dha nga Anne, Princesha e Mbretërisë së Bashkuar.
Pas luftës, Florina filloi punë si këshilltare politike e shefit të shtyllës së dytë të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Në atë kohë punohej për themelimin e institucioneve të Kuvendit të Kosovës. Procesi udhëhiqej nga ndërkombëtarët ndërsa Florina, Behar Selimi dhe Robert Muharremi, ishin të vetmit kosovar të përfshirë në atë proces.
Kontributin e saj në një nga proceset themeluese dhe më të rëndësishme të formimit të shtetit të Kosovës dhe seancën e parë të Kuvendit të Kosovës, Florina e përshkruan : “Të gjithë ne, seancën e parë të këtij Kuvendi e përcollëm me ndjenja të përziera ngazëllimi dhe mërzije. Ngazëllim për fëmijët tanë dhe mërzi për të gjithë ata që do të duhej të ishin me ne për të festuar.”
Pas zgjedhjes së Kryesisë së Kuvendit, asaj iu kërkua që të vazhdojë të shërbejë si këshilltare politike e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, gjë që e ka bërë deri në marrëveshjen e vonuar për koalicionin qeverisës në vitin 2002.
Falë eksperiencës në zhvillimin ndërkombëtar, të drejtat e njeriut, planifikim dhe menaxhim në emergjenca, edukim dhe kulturë, Florina ka ofruar për OKB-në këshilla për strategji dhe politika.
Në kuadër të Departamentit të Zhvillimit Internacional (DFID), ajo u angazhua në dialog të politikave me Qeverinë e Kosovës në sektorët e qeverisjes, administratës publike dhe financave, rendit dhe ligjit, sektorit të sigurisë, shoqërisë civile dhe zgjedhjeve.
Ajo ka dhënë kontributin e saj edhe në punën e Bankës Botërore/DFID për zhvillimin e Strategjisë afat-mesme speciale për siguri për Kosovën.
“Unë shërbeva si eksperte nacionale. Organizova konsultimin me të gjithë palët relevante, si partitë politike ashtu edhe ekspertët vendor me qëllim që kjo strategji të reflektonte pikëpamjet e hisedarëve vendor. Jam përpjekur shumë që strategjia të merrte parasysh realitetin dhe strukturat e ashtuquajtura ‘paralele’ të krijuara gjatë periudhës 90-99 në mënyrë që të ruhej kapitali social dhe rrjetet e krijuara. Edhe sot e kësaj dite themelet e politikave dhe programeve aktuale të mbrojtjes sociale në Kosovë vazhdojnë të mbështeten mbi atë strategji”, thotë Florina.
Gjatë viteve 2001-2007 ajo ka menaxhuar Klubin Republikan, një klub debati që është bashkëthemeluar me me prof. Michael Daxner (Free Berlin University), Tom Koenigs (German Bundestag), Dukagjin Gorani (këshilltar i kryeministrit për siguri), etj. Qëllimin e këtij klubi Florina e përshkruan
“Qëllimi i themelimit të Klubit Republikan ishte për të nxitur kulturën e debatit dhe mendimit kritik, gjë që nuk është kultivuar nga sistemi komunist i asaj kohe. Klubi për më tepër kishte qëllim që të thyejë tabutë e shumta që karakterizojnë shoqërinë tonë. Debati i parë i organizuar ka trajtuar temën e seksualitetit në shoqërinë tonë.”, ka shpjeguar ajo.
Florina gjithashtu ka punuar me Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), që ishte organizata e parë joqeveritare e regjistruar në Kosovën e paskomunizmit (1990).
Gjithë ky angazhim dhe përkushtim në punë nuk e ndaloi atë nga krijimi i një familjeje të madhe. Florina ka gjashtë fëmijë dhe tani dhe një mbesë dhe nip. Ajo thotë që balanca mes përkujdesjes për familjen dhe angazhimit profesional është e vështirë të arrihet, por dëshira për të ndihmuar dhe kontribuar për në shtet ndërtim, ka formuar karrierën e saj dhe jo e kundërta.
Sa i përket motivimit të saj të përhershëm ajo shprehet: “Kam mësuar se shpeshherë edhe në kohë të vështira jetohet bukur. Për shumë vite shtëpia jonë ka qenë e mbushur me shumë miq e gazetarë të huaj. Aty diskutohej me pasion letërsia, politika etj. Nga perspektiva e sotme them se është fat të jetosh në kohëra interesante. Jeta dhe dëshira për ta bërë atë më të bukur, janë vet motivimi”.
Florina beson në fuqinë e femrës shqiptare duke njohur kontributin e tyre për shtetin shqiptar.
“Gratë në Kosovë, kanë luajtur rol tejet të rëndësishëm, në shumë rrafshe, e sidomos në kohët më të vështira të vendit. Luajtën rol të rëndësishëm në luftimin e analfabetizmit, në organizimin e ndihmës në vend, në internaciolizimin e çështjes së Kosovës, në organizimin e rezistencës e në shumë fusha që po lë pa përmendur. Ato vazhdojnë të luajnë rol në fuqizimin e gruas dhe vazhdojnë betejën e tyre kundër diskriminimit që vazhdon e i bëhet gruas në shoqërinë tonë”, ka përfunduar ajo. /jetë llalloshi/