U Mbajt Takimi i 11-të i Bordit të IKS-it

Më 12 shkurt të vitit 2012 është mbajtur takimi i 11-të i bordit të IKS-it. Anëtarët e Bordit të IKS-së shqyrtuan aktivitetet dhe financat e organizatës për periudhën qershor 2011 deri në janar 2012 si dhe angazhimet e IKS-së në procesin e fuqizimit të vendimmarrjës së brendshme dhe të praktikave menagjeriale të organizatës. 

Më 31 dhjetor të vitit 2011, drejtoresha ekzekutive Engjëllushe Morina ka dhënë dorëheqje, ndërsa anëtarja e bordit dhe bashkëthemeluesja e IKS-së, znj. Florina Jerliu është emëruar në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit ekzekutiv deri në zgjedhjen e drejtorit të ri. Bordi i drejtorëve poashtu ka përfunduar diskutimet që kishin filluar një vit më parë rreth një numri çështjesh që kanë të bëjnë me fuqizimin e rolit të bordit si dhe me proceset e brendshme.

IKS në Mitrovicë

Pas publikimit të raportit “Çliro Ndryshimin: Zërat e të Rinjve të Kosovës 2010”, më 20 tetor në Prishtinë, IKS-i  po organizon 4 seminare rajonalë. Seminari i katërt dhe u organizua sot, 08 dhjetor, në kolegjin IBCM në Mitrovicë. Pas prezantimit të dokumentarit dhe të dhënave të raportit të ftuarit debatuan për arsimin, punësimin dhe pjesëmarrjen në vendim marrje të të rinjve në Mitrovicë.

IKS në Gjilan

Pas publikimit të raportit “Çliro Ndryshimin: Zërat e të Rinjve të Kosovës 2010”, më 20 tetor në Prishtinë, IKS-i  po organizon 4 seminare rajonalë. Seminari i tretë u organizua sot, 03 dhjetor, në Fakultetin e Edukimit në Gjilan. Pas prezantimit të dokumentarit dhe të dhënave të raportit të ftuarit debatuan për arsimin, punësimin dhe pjesëmarrjen në vendim marrje të të rinjve në Gjilan.

Intervistë e Arbër Goranit në Evropa e Lirë

Përplasjet publike mes institucioneve kosovare dhe EULEX-it, sipas analistëve, burimin e kanë te qëndrimi neutral që misioni evropian po mban ndaj statusit. Për shkak të këtij qëndrimi, thuhet se ai nuk po përmbushë mandatin dhe nuk po e shtrin sundimin e ligjit në veri. EULEX-i hedh poshtë kritikat dhe numëron ato që i quan arritje.

Pakënaqësitë e zyrtarëve të institucioneve me EULEX-in po shtohen, ndërsa ata drejtojnë gishtin kah ky mision për dështimet, siç është shtrirja e kontrollit në veri.

Por, analistët politikë dhe për çështje të sigurisë për mosrespektim të ligjit, nuk lënë fajtor vetëm EULEX-in. Ata thonë se institucionet është dashur t’i ndajnë qartë kompetencat dhe t’i saktësojnë planet e veprimit me vendosjen e misionit para pothuaj tri vjetësh.

E keqja më e madhe, sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, është qasja neutrale që EULEX-i mban ndaj statusit.

“Një e keqe, apo nga fillimi që ka derivuar në këtë keqkuptim, është neutraliteti, apo mosnjohja e Kosovës. Mendoj se kjo nuk është gjë e mirë, sepse nga kjo derivojnë shumë keqkuptime e mes saj edhe mosrespektimi i i ligjeve vendore në disa raste”, thotë Ibishi për Radion Evropa e Lirë.

Nuk do të brengosesha për ‘konfliktet’, por për atë se sa do ta përmbushin mandatin.Kritikat drejtuar EULEX-it, për drejtorin e Hulumtimeve në Iniciativën Kosovare për Stabilitet, Arbër Gorani, i bëjnë mirë edhe vetë misionit evropian. Gorani shpreh shqetësimin për mospërmbushjen e mandatit të misionit evropian në veri.

“Unë nuk do të brengosesha për ‘konfliktet’, por për atë se sa do ta përmbushin mandatin. Dihet situata në veri, gjykata atje nuk është funksionale, e që është shkelje e të drejtave të njeriut. Unë do ta shihja në këtë kontekst”, thekson Gorani.

Në javën e kaluar, deputetët e Kuvendit kanë shprehur pakënaqësi me punën e EULEX-it, ndërkohë, që organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, kanë shkuar më larg duke thënë se nuk e njohin autoritetin e misionit në fjalë. Reagimi i tyre lidhet me arrestimet për krime lufte të kryera nga EULEX-i. Por, në EULEX këmbëngulin se janë duke e përmbushur mandatin që kanë.

Kritikat se nuk po e përmbushim misionin dhe mandatin janë të gabuara.

“EULEX-i absolutisht po e përmbush mandatin çdo ditë. EULEX-i gjendet në gjykata, në polici, në dogana dhe po ndihmojmë që të përmirësohet rendi dhe ligji. Kritikat se nuk po e përmbushim misionin dhe mandatin janë të gabuara. Gjithmonë ka hapësirë për përmirësime në secilën organizatë, por është gabim të thuhet se nuk po e bëjmë atë që duhet, sepse këtë po e kryejmë që kur kemi ardhur”, deklaron për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i EULEX-it, Nik Hauton.

Për të shtensionuar situatën, Nuredin Ibishi thotë se institucionet duhet të flasin hapur me EULEX-in, para se ta akuzojnë atë përmes mediave.

“Mendoj se duhet që para se të dalin publikisht, siç po ndodh, ata t’i koordinojnë dhe t’i harmonizojnë veprimet. Mendoj se autoritetet vendore të sigurisë dhe të EULEX-it, duhet të ulen t’i harmonizojnë qëndrimet dhe të jetë një informim i ndërsjellë, qoftë në bazë të kompetencave që i kanë, qoftë edhe të veprimeve të veçanta, ndonjë aksioni, a plani të veprimit të veçantë”, vlerëson Ibishi.

Institucionet e Kosovës e kanë ftuar vetë EULEX-in, synimi kryesor i të cilit është t’i ndihmojë dhe mbështesë autoritetet kosovare në fushën e sundimit të ligjit, posaçërisht në fushën e policisë, gjyqësisë dhe doganave.

Zyrtarët e këtij misioni bëjnë të qartë se nuk synojnë të sundojnë apo të administrojnë në Kosovë, por përmes këtij misioni teknik të monitorojnë, udhëzojnë dhe këshillojnë.

Megjithatë, misioni mban një numër të kufizuar të kompetencave. Por, nëse diçka nuk shkon në rregull dhe plasin pakënaqësitë, siç është situata aktuale, Arbër Gorani thotë se vetë misioni duhet ta ridefinojë mandatin.

“Bashkësia ndërkombëtare ka problem me identitetin e vet dhe duhet që në bazë të nevojave të shoqërisë, zhvillimit të institucioneve të ridefinojë rolin, pozitën e mandatin dhe kur ta ridefinojë, të mbajë përgjegjësi për atë mandat që e ka”, shprehet Gorani.

Ndërkohë, kritikat më të mëdha ndaj EULEX-it, dhe misioneve tjera ndërkombëtare, kanë të bëjnë me mungesën e llogaridhënies përballë kosovarëve, si dhe mosnënshtrimit ndaj ligjeve kosovare.

IKS-i në Mitrovicë

Në kuadër të analizës së politikave ‘Politikat Ekonomike dhe ndikimi i tyre në stabilitetin social,’  IKS-i organizoi seminarin konsulativ.  Autoritetet lokale dhe shoqëria civile e Komunës së Mitrovicës diskutuan  situatën socio-ekonomike të qytetit me fokus të veçantë në zhvillim ekonomik,  sektorin privat dhe privatizimin, si dhe pjesëmarrjen qytetare në vendimmarrje.

Panairi i OJQ-ve për Ditën e Demokracisë

Me rastin e ditës së demokracisë, pranë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në sheshin “Adem Jashari”, në Prishtinë u organizua një panair i pothuajse të gjitha Organizatave Jo Qeveritare të Kosovës. Në këtë panair ishte pjesëmarrëse edhe Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS). Panairi i OJQ-ve u vizitua nga grupmosha të ndryshme të qytetarëve të Kosovës. Ky panair u shoqërua nga një program artistik dhe edukativ, me muzikë dhe me performanca nga artistë të ndryshëm.

IKS në Budapest – “Europe United, A Tool For Peace!”

Në fund të Marsit (27 Mars – 1 Prill 2011) JEF-Europe në bashkëpunim me JEF Hungarinë organizoi një seminar ndërkombëtar në Budapest.

Një grup prej 35 të rinjëve të motivuar nga e gjithë Europa përfshirë edhe Kosovën, debatuan për qështjet e Unionit Europian dhe në veqanti për integrimin e vendeve të Ballkanit Perendimor.

Në këtë event IKS është përfaqësuar nga Milot Rexhepi.

Punëtoria: Politikat e Bashkimit Evropian për Migracionin/Azilin, Sigurimin e Kufijve, Mbrojtjen e të Dhënave

Qëllimi i kësaj punëtorie ishte që të prezantohen dhe të analizohen në formë të detajuar tri kategori të kërkesave që ndërlidhen me këtë proces duke i krahasuar me sfidat dhe të arriturat në rajon. Për secilën kategori të kritereve që adresohet, ishin të ftuar ekspertë të shquar të institucioneve relevante të Bashkimit Evropian dhe të vendeve nga rajoni të cilat veç sa kanë kaluar nëpër këtë process. Kjo punëtori u mbajt në Villa “Belvedere” në Durrës, Shqipëri.

Vizitë Njëditore e Organizuar nga IKS

Në kuadër të projektit: Ruajtja dhe Restaurimi i tri objekteve kulturore në rajonin e Prizrenit, IKS ka organizuar një vizitë një-ditore për rreth 40 nxënës të etniciteteve të ndryshme të shkollave fillore e të mesme të Prishtinës në Prizren dhe në fshatin pitoresk të Bogoshevcit, rrëzë maleve të Sharrit. Ky grup i nxënësve ka vizituar shtëpinë e vjetër historike të Shehzades në qendër të Prizrenit, shtëpi kjo e cila pas restaurimit do të shndërrohet në muze etnologjik. Pastaj vizita e rradhës ishte  në kishën e Shën Nikollës në Bogoshevc. Nxënësit kanë shprehur interesim të madh për këto dy objekte si dhe i kanë shprehu përshtypjet e tyre edhe para kamerës. Tregimet e tyre do të jenë pjesë e dokumentarit i cili është duke u punuar. Të mahnitur nga bukuria e këtyre objekteve dhe ambientit përreth, nxënësit shprehën kureshtjen për të mësuar më tepër rreth trashëgimisë kulturore të Kosovës. Pas këtij udhëtimi informues dhe të mrekullueshëm, IKS do të vazhdojë organizimin e vizitave të tjera në këto vende për t’i përcjellur punimet gjatë restaurimit.