Tema e radhës në kuadër të ciklit të debatit për dialogun social ju dedikua Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Majit. Të ftuarit për diskutim në emisionin Info Magazine ishin: Jusuf Azemi, kryetar i SPEVZ të Kosovës, Xhevahire Izmaku, deputete e PDK-së si dhe Zgjim Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje.
Jusuf Azemi, kryetar i SPEVZ të Kosovës, u shpreh i zhgënjyer më përkushtimin e institucioneve në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Ai tha se në Kosovë gjendja e punëtorëve është e mjerueshme.
“Sot kemi qenë dinjitoz, ndonëse organet tona nuk e meritojnë dinjitetin tonë. As parlamenti, as institucionet nuk e çajnë kokën. Detyrë e jona është që problemet që i kemi t’i çojmë në nivelin e duhur. Si sindikatë e kemi kryer këtë. Qeveria, parlamenti dhe të gjitha institucionet janë të informuara me gjendjen e rëndë të punëtorëve. Prej janarit 2016 kemi gjithsej 18 raste të vdekjeve në vendin e punës”, u shpreh më tej z. Azemi.
Gjatë debatit, z.Azemi, ka renditur edhe disa nga arsyet që po i shtyjnë sindikatat për të protestuar.
“Kërkesat kanë qenë: paga minimale e barabartë me rajonin; të paguhet stazhi i punës në sektorin privat si në atë publik; zbritja e stazhit të punës tek punëtoret, sepse qeveria e Kosovës dhe organet gjegjëse s’janë të gatshme t’i mbikëqyrin të gjitha kompanitë private”
Ai përmendi edhe gjendjen e pensionistëve që kanë punuar më shumë se 15 vjet, por që punëdhënësi nuk ua ka paguar kontributet. Më tej, z. Azemi, kërkoi që të formohet Gjykata e Punës.
Deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, si problem përmendi sektorin privat si shkelësin kryesor të të drejtave të punëtorëve.
Izmaku tha se duhet një unifikim më i madh i sindikatave.
“Ne, si institucione, kemi nevojë që të punojmë shumë më shumë. Ne kemi kompani që fitojnë me miliona, por kur është në pyetje të shpërblejnë një punëtorë hezitojnë”, deklaroi Izmaku.
Zgjim Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje duke folur për protestën e 1 Majit- Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, ka thënë se Vetëvendosje ka organizuar peticione kundër privatizimit të Trepçës, Kek-ut, Postës ku kanë mbledhur shumë nënshkrime.
“Kam qenë pjesë e të gjithë aktiviteteve dhe protestave në shesh në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve, që ishin gjithsej tri”, ka thënë Hyseni.
Cikli i debateve për dialogun social realizohet në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe Fondacionin Friedrich Ebert (FES).
Debatin e plotë mund ta ndiqni në linkun më poshtë: