IKS në Beograd për të Diskutuar Dialogun Prishtina-Beograd – 14-16 Janar 2011

Engjëllushe Morina u ftua nga Heartfact Fund për të marrë pjesë në Vizitën e Shoqërisë Civile në Beograd. Vizita është pjesë e projektit “Rilidhja” e sponsorizuar nga Ambasadat Britanike në Beograd dhe Prishtinë. Qëllimi i vizitës ishte të inkurajohen bashkëpunimet e qëndrueshme rajonale përmes aktiviteteve të ndryshme dhe të ripërtrihen lidhjet në mes akterëve të  ndryshëm në Kosovë dhe Serbi. Vizita përfshiu edhe takime të ndryshme me përfaqësues nga Zyra për Mbrojtjen e të Dhënave, Agjencia për Integrim Evropian, Fondi Beogradas për Ekselencë Politike, Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut, Qendra e Ligjit Humanitar dhe të OJQ-së GSA (Alenaca Gay-Straight).

IKS në Mal të Zi – në Punëtorinë e Organizuar Nga “Hartefact Found”

Arbër Gorani, Drejtori i Hulumtimeve mori pjesë në punëtorinë e organizuar nga ‘Hartefact Found’ dhe përkrahur nga Ambasadat Britanike në Beograd dhe Prishtinë, të titulluar “Mundësitë e reja për përmirësimin e marëdhënieve Kosovë – Serbi” nga 21 deri më 23 janar 2011, në Przhno (Mali i Zi). Punëtoria mblodhi pjestarë të shoqërisë civile dhe mediave me qëllim të diskutimit të mundësive duke pasur parasysh dialogun e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë punëtorisë Arbëri mbajti një prezantim bazuar në analizat e politikave të IKS-it ‘Mitrovica: Dy Realitete, Një Qytet.

IKS Organizoi Debatin mbi Analizën e Politikave: “Ekonomia Politike e Gjakovës: Ndikimi në Stabilitetin Social dhe Politik”

Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), organizoi debatin mbi analizën e politikave (dokumentin punues): “Ekonomia Politike e Gjakovës: Ndikimi në Stabilitetin Social dhe Politik”, më  29 Nëntor 2010.

Një dekadë pas luftës, qytetarët e Kosovës ende duhet t’i kthehen jetës  “normale”. Afërsisht 2,000 njerëz mbesin të zhdukur, papunësia shënon rreth 44 përqind, duke prekur kryesisht gratë dhe të rinjtë në Kosovë. Mundësitë e pakta të punësimit po kontribuojnë në emigrim, sidomos në ekonomitë rurale të goditura rëndë, ku ndërmarrjet e mëdha shoqërore ende nuk janë funksionalizuar. Ndër më të prekurat nga papunësia dhe emigrimi është komuna e Gjakovës, e cila dikur mburrej me numrin më të madh të punësuarve për kokë banori në të gjithë ish-Jugosllavinë – 27,500 ishin të punësuar në industri dhe shërbime deri në fund të vitit 1988. Momentalisht, gratë kryefamiljare luftojnë që të ushqejnë familjet e tyre dhe vetëm disa prej tyre kanë siguruar të drejta pronësore. 

Qëllimi i kësaj analize të politikave është të sigurojë pjesëmarrjen demokratike të akterëve të ndryshëm të shoqërisë civile në zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe politik të Kosovës drejt një të ardhmëje evropiane.

IKS në Shqipëri

Nga data 13 -17 dhjetor 2010 IKS mori pjesë në Konferencën e mbajtur në Shqipëri me temën “Luginat Bregdetare në Shqipëri dhe Problemet Mjedisore”. Përfaqësues të IKS-it ishin Brikenë Hoxha dhe Milot Rexhepi.

Në këtë konference u shtjelluan shumë çështje mbi mjedisin në Shqipëri por edhe në Kosovë.

Si rezultat i konferencës, nëfillim të vitit 2011, pritet që të publikohet një libër me problemet mjedisore.

IKS në Vienë, Austri, për të Diskutuar “Shmangia e ‘Lojës Turqi’ në Ballkanin Perëndimor” – 7-9 Dhjetor, 2010

Engjëllushe Morina morri pjesë në takimin “Shmangia e ‘Lojës Turqi’ në Ballkanin Perëndimor” me 7,8 dhe 9 dhjetor. E organizuar nga Forumi Bruno Kreisky për Dialog Ndërkombëtar në Vienë dhe Qendra për Strategji Liberale në Sofje, takimi solli bashkë një grup të përzgjedhur të afro 20 specialistëve ballkanas, duke përfshirë Ivan Krastev, Wolfgang Petritsch, James O’Brien, Saso Ordanoski dhe Erion Veliaj. Në takim u diskutuan shumë çështje por u vu theks në scenariot dhe planet kohore realiste për zgjërimin e mëtutjeshëm të BE-së.

Takim Pune i Stafit të IKS-it në Mavrovë

Më 04 dhe 05 dhjetor, 2010 IKS organizoi një takim pune për stafin e IKS-it, në hotelin “Radika” në Mavrovë (Maqedoni). Gjatë takimit u diskutua për të kaluarën dhe planet e IKS-it në të ardhmen, në aspektin afat-mesëm. Më saktësisht, u elaboruan përpjekjet e vazhdueshme të IKS-it në nxitjen e debatit lidhur me politikat publike në fushën socio ekonmike, bazuar në hulumtime empirike të cilat i ndërmerr IKS-i, pra strategjia afat-mesme u diskutua dhe hartua. Strategjia e kompletuar do t’i dërgohet Bordit të IKS-it për aprovim.

IKS në Landshut, Gjermani, për të Diskutuar “Formësimin e Ardhmërisë në Serbi dhe Kosovë”, 26-27 Nëntor, 2010

Engjëllushe Morina ishte e ftuar nga Sudosteuropa Gesellschaft për të marrë pjesë në punëtorinë “Formësimin e Ardhmërisë së Serbisë dhe Kosovës: Kontributet e Shoqërisë Civile në Dialog dhe Bashkëpunim”. Qëllimi i punëtorisë ishte të sjellte anëtarë të shoqërisë civile nga Serbia dhe Kosova për të diskutuar çfarë kanë ndërmarrë deri tash shoqëritë civile për të nisur dialog në mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë dhe Serbi. Cilat prioritete janë theksuar në runde të mëparshme të bisedimeve? Çfarë vështirësi janë hasur në këto bisedime? Engjëllushja kontriboi në sesionin “Rinia shqiptare dhe serbe në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit: Jetë e vështirë, perspektiva të zymta?” së bashku me Leon Malazogun (PER) dhe Ivan Kuzminovic (Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi). Punëtoria u mbajt nën rregullat e Chatham House

IKS-i Publikoi Analizën Politike “Linja Ekspres Rahovec-Bruksel”

Përmes këtij hulumtimi, Iniciativa Kosovare për Stabilitet ka mëtuar t’i trajtojë disa nga 
këto sfida, duke shtjelluar për më së afërmi ekonominë rurale të një njësie: Rahovecit. Komuna 
e Rahovecit, me të kaluarën e vet të pasur në prodhim të verës dhe me tokën e vet bujqësore 
pjellore, ka potencial të theksuar për zhvillim në të ardhmen. Kjo komunë gjithashtu ka shënuar
përparim pas përfundimit të procesit të privatizimit, ndërsa që disa nga komunat fqinje të saj, si 
Gjakova e Prizreni, kanë dështuar në këtë drejtim. Mësimet e nxjerra në Rahovec mund të 
shfrytëzohen si zgjidhje për ato degë të industrisë së verës që aktualisht kanë ngecur.