Është bërë traditë, që dita ndërkombëtare e fëmijëve, të shënohet me këngë e valle në atë që Prishtina e quan shesh. Pak a shumë aty nisin dhe marrin fund përpjekjet e qeverisë dhe shoqërisë së këtij vendi në përmbushjen e drejtave themelore të fëmijëve.
Vitin e shkuar, një video e postuar në YouTube, në të cilën një mësimdhënës i shkollës fillore “Gjergj Fishta” godet nxënësitë e tij, u pa nga më shumë se treqind mijë vetë. Dhe goditja nuk është gjëja më e tmerrshme që videoja nxjerr në pah. Më e tmerrshmja është lehtësia më të cilën fëmijët protagonistë pranojnë dhunën.
E nxitur edhe nga një ngjarje e tillë, Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), është duke hulumtuar aspektet e sigurisë së nxënësve në ambientet shkollore. Të dhënat e dala në hulumtimin e zhvilluar në Prishtinë, vërtetojnë se shkollat në përgjithësi janë vende ku fëmijët më tepër se ndaj arsimimit janë të ekspozuar ndaj dhunës e cila cënon rëndë dinjitetin e tyre dhe i pengon atë në përmbushjen e potencialit të tyre zhvillimor dhe kognitiv.
Disiplinimi përmës ndëshkimit fizik mbetet ende forma më e përdorur nga mësimdhënësit. 184 nxënës nga 358 sa ishin të anketuar, thanë se janë rrahur. Goditja, rrahja, përçmimi, janë më të shpeshtat. Në legjislacionin e saj, edhe Kosova, ndëshkimin fizik e quan të paligjshëm. Për më tepër fëmijët kanë të drejtën për t’u mbrojtuar nga të gjitha format e dhunës qofshin ato në shkollë, shtëpi, kujdes alternativ etj. Por si shumë reforma të tjera ligjore, edhe kjo nuk është përcjell ndonjëherë me politika për të siguarar zbatimin e saj dhe nuk ka patur asnjëherë ndonjë debat publik mbarëkombëtar i cili do të ndërgjegjësonte dhe informonte publikun mbi të drejtat e njeriut tek fëmijët. Reforma nuk ka arritur as bile pak të ndryshojë qëndrimet dhe sjelljet e atyre që duhet të mbrojnë këto të drejta.
Një tjetër aspket që del nga hulumtimi, është se ka patur një rritje në rastet e dhunës në shkollë. IKS bëri një krahasim në mes të këtij studimi dhe të një studimi paraprak e të ngjajshëm që është bërë nga UNICEF në vitin 2005. Përderisa 38.8% të fëmijëve të anketuar raportojnë dhunë mes moshatarëve, 51.4% e tyre raportojnë dhunë të ushtruar nga arsimtarët. Nga ky numër 38,1 % e nxënësve goditen për mos mësim, 51.4% kur bëjnë zhurmë, 26% kur arsimtari është nervoz, përderisa 51,1% të të anketuarve janë fyer nga arsimtarët, përderisa fjalët më të zakonshme që ata kanë përdoren në këto raste janë ‘budallicë, “trullan/trullavicë, kali, majmun, idiot, kastravec, etj“. Një pasqyrë të ngjashme të gjendjes kemi marr edhe nga intervistat me nxënës nga Prishtina, Podujeva dhe Gjilani.