“Të Mendosh Gjelbër” prezanton gjendjen e mjedisit në Kosovë sot dhe mënyrën si qeveria qendrore dhe qeveritë komunale e trajtojnë këtë çështje, posaçërisht në komunat e Prishtinës dhe Obiliqit. Dokumenti synon të hedh dritë mbi territor të pashkelur më parë, të inkurajoj veprime nga ana e qeverisë, dhe të nxis debat publik mbi çështjet kyçe që ndikojnë në jetën tonë.
Edhe pse Kosova nuk ka monitorim sistematik të ajrit, ujit dhe tokës, informatat e pakta flasin për një gjendje shumë të mjerë. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK-u), e cila prodhon 98 përqind të rrymës elektrike nga linjiti, hedh rreth 25 tonelata pluhur dhe hi në ajër çdo orë, që është 74 herë më e lartë se norma e lejuar me standardet evropiane. Cilësia e dobët e ajrit ndikon në ciklin e jetës dhe ka kontribuar në rritjen e numrit të personave që lëngojnë nga sëmundjet e frymëmarrjes dhe kanceri. Gjendja e ujit është poaq e dyshimtë, dhe shumë qytetarë të Kosovës akoma nuk kanë qasje në ujë të pastër dhe të kontrolluar, dhe rreth 167,000 tonelata të ujërave të zeza të patrajtuara derdhen drejtpërsëdrejti në lumenjtë e Kosovës çdo vit. Të gjithë ata që brengosen për ta shikuar
gjendjen prej së afërmi do të shohin se shkatërrimi mjedisor ka shtrirje shokante, dhe pastrimi i mjedisit nuk është detyrë e lehtë për një qeveri me vullnet jo shumë të shprehur.