Të Mendosh Gjelbër

“Të Mendosh Gjelbër” prezanton gjendjen e mjedisit në Kosovë sot dhe mënyrën si qeveria qendrore dhe qeveritë komunale e trajtojnë këtë çështje, posaçërisht në komunat e Prishtinës dhe Obiliqit. Dokumenti synon të hedh dritë mbi territor të pashkelur më parë, të inkurajoj veprime nga ana e qeverisë, dhe të nxis debat publik mbi çështjet kyçe që ndikojnë në jetën tonë. 

Edhe pse Kosova nuk ka monitorim sistematik të ajrit, ujit dhe tokës, informatat e pakta flasin për një gjendje shumë të mjerë. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK-u), e cila prodhon 98 përqind të rrymës elektrike nga linjiti, hedh rreth 25 tonelata pluhur dhe hi në ajër çdo orë, që është 74 herë më e lartë se norma e lejuar me standardet evropiane. Cilësia e dobët e ajrit ndikon në ciklin e jetës dhe ka kontribuar në rritjen e numrit të personave që lëngojnë nga sëmundjet e frymëmarrjes dhe kanceri. Gjendja e ujit është poaq e dyshimtë, dhe shumë qytetarë të Kosovës akoma nuk kanë qasje në ujë të pastër dhe të kontrolluar, dhe rreth 167,000 tonelata të ujërave të zeza të patrajtuara derdhen drejtpërsëdrejti në lumenjtë e Kosovës çdo vit. Të gjithë ata që brengosen për ta shikuar
gjendjen prej së afërmi do të shohin se shkatërrimi mjedisor ka shtrirje shokante, dhe pastrimi i mjedisit nuk është detyrë e lehtë për një qeveri me vullnet jo shumë të shprehur.

Klikoni për raportin e plotë: Të Mendosh Gjelbër

Projekti: “Të Mendosh Gjelbër”

Projekti “Të mendosh gjelbër” ka për qëllim analizimin e rolit të komunave në mbrojtjen e ambientit.  IKS-i është fokusuar në studimin e dy komunave, në komunën e Prishtinës dhe të Obiliqit ku është duke krahasuar strukturat ekzistuese komunale me atë që është në letër, në aspektin juridik dhe strategjik, me realitetin aktual mjedisor të tyre. IKS-i po hulumton nga afër detyrat e  komunës rreth mbrojtës së mjedisit dhe gjendjen aktuale mjedisore në këto dy komuna. Hulumtimi synon të paraqesë mbrojtjen mjedisore si çështje të rëndësishme në rrugën e Integrimeve Evropiane dhe të drejtojë rekomandime rreth mënyrave se si komunat mund ta plotësojnë hendekun mes realitetit dhe retorikes në bazë të shembujve të mirë të politikave mjedisore në rajon.

Hulumtimi “Të mendosh Gjelbër “ ka përfunduar në Qershor 2009.