Projekti: Ekonomia Politike e Korrupsionit në Kosovë

Në Kosovën e pas pavarësisë, qeverisja e dobët vazhdon të pengojë zbatimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit. Korrupsioni përbën një problem të madh sot në Kosovë. Përveç se zvogëlon dhe devijon të hyrat qeveritare, korrupsioni shkurajon investimet e huaja dhe frenon zhvillimin e biznesit. Pavarësisht problemeve që korrupsioni paraqet për një shoqëri në tranzicion, populli i Kosovës duket të jetë mjaft tolerant ndaj këtij fenomeni. Aktivitete korruptuese si ndërhyrja për të punësuar miq dhe të afërm, dhënia e dhuratave mjekëve si shpërblim për trajtim të veçantë, dhënia e dhuratave zyrtarëve publik për të përfituar lejë ndërtimi, nuk konsiderohen si korruptuese nga një numër domethënës i shoqërisë Kosovare.

Edhe pse Kosova ka bërë përparim të dukshëm në krijimin e kornizës ligjore dhe rregullative që në letër i zvogëlon mundësitë për dhe ndaj korrupsionit, ka nevojë të madhe për të krahasuar çfarë ka në letër me atë që ndodhë në praktikë. Në këtë kontekst, IKS-i e sheh të domosdoshme të freskojë njërin prej raporteve të saj të mëhershme Rindërtimi i Sistemit Kombëtar të Integritetit të publikuar më 2007 dhe të analizojë më thellë shtysat dhe pengesat kundër përmirësimit të luftës kundër korrupsionit.

Ky projekt i financuar nga DFID ka filluar në nëntor 2009 dhe pritet të përfundojë në pranverë 2010.

Zgjidhja e Nyjës

IKS-i ka publikuar analizën e politikave: ‘Zgjidhja e Nyjes-Ekonomia Politike e Korrupsionit dhe Llogaridhënies në Kosovë’

Një ndër problemet kryesore në luftën kundër korrupsionit është mungesa e të dhënave për sa i përket shtrirjes dhe strukturës së këtij fenomeni. Kjo e pengon hartimin e strategjive efektive kundër korrupsionit, duke qëne se të dhënat shumë shpesh zëvendësohen me thashetheme.  

Korrupsioni duhet të njihet dhe kuptohet si strukturë dhe si fenomen përpara se të adresohen karakteristikat që e mundësojnë atë të cilat gjenden kryesisht në mangësitë ligjore dhe insitucionale.

IKS-i konsideron dy fusha si veçanërisht të rëndësishme dhe me potencial pasojash serioze në cilësinë e qeverisjes në Kosovë: prokurimi publik dhe politizimi i ndërrmarrjeve publike (NP-ve), e para ndikon ndjeshëm në mënyrën e shpenzimit të parasë publike gjithnjë e më të paktë dhe e dyta ka të bëjë me menaxhimin e ndërrmarjeve më të mëdha të Kosovës.
IKS-i dëshiron të theksojë nevojën e identifikimit të problemeve strukturore që mundësojnë lulëzimin e korrupsionit dhe fokusimin e adresuar në përmirësimin institucional dhe legal, pasi që nuk është tepër vonë për të trajtuar efektivisht sfidat që vijnë nga korrupsioni. Për të arritur këtë, institucionet e Kosovës dhe EULEX-i,  me fuqi ekzekutive në fushën e korrupsionit, duhet të të kapërcejnë veten për të krijuar një front të koordinuar dhe të bashkuar kundër korrupsionit dhe mjedisit që e mundëson atë.

Klikoni për raportin e plotë: Zgjidhja e Nyjës

Projekti “Lista e Bardhë e Shengenit”

Engjellushe Morina, Drejtoresha Ekzekutive e IKS-it, mori pjesë në seminarin e organizuar nga ESI për “Projektin e Listës së Bardhë të Shengenit,” ku morren pjesë analistët e përfshirë në këtë projekt. Çështjet kryesore të cilat u diskutuan lidhur me liberalizimin e vizave për Ballkanin Perëndimor ishin: Statusi i diskutimeve politike; sa kanë arritur pesë shtet të zbatojnë udhërrëfyesit, përvojat nga vendet si Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova. Seminari gjithashtu ka shqyrtuar shkurtimisht çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor. Pjesëmarrësit e këtij seminari ishin analistë nga Ballkani Perëndimor të cilët janë të përfshirë në Projektin e Listës së Bardhë të Shengenit.

IKS Mban Takimin e 10-të të Bordit

Më 01 deri 04 korrik Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS) mbajti takimin e dhjetë të Bordit të Drejtorëve në Prishtinë. Anëtarët e Bordit të IKS-it shqyrtuan aktivitetet dhe financat e IKS-it për periudhën qershor 2010 deri në qershor 2011. Po ashtu në bord u paraqit edhe raporti vjetor i auditimit i IKS-it. Çështjet e brendshme strukturore, si dhe strategjia e tre vjeçare e IKS-it u diskutuan gjithashtu.

Pasi që  anëtarët e bordit  ishin të pranishëm në Kosovë, IKS-i organizoi një koktej barbeque në Restaurantin Country House në fshatin Bërnicë. Përmes kësaj ndeje Bordi i Drejtorëve dhe personeli i IKS-it kishte kënaqësinë që t’i falënderojë miqtë e IKS-it për përkrahjen e ofruar për organizatën tonë gjatë viteve të fundit. Në të njejtë kohë, kjo ngjarje  sherbeu si një hapësirë jo formale për biseda të hapura në mes te hisedarëve të ndryshëm në zhvillimet ekonomike, politike dhe sociale në Kosovë.