Projekti: Kush Është Shefi?

Optimistët në mesin tonë, të cilët kishin besuar që pavarësia do të sjell rregulla të qarta të qeverisjes, llogaridhënies demokratike dhe qartësi për të ardhmen e Kosovës, tash e disa muaj nuk po frymojnë lirshëm. Situata në terren ka krijuar një sistem edhe më të ngatërruar të qeverisjes që ka përjetuar Kosova ndonjëherë. Nëntë muaj pas shpalljes së pavarësisë, Kosova sot qeveriset nga një miriadë e autoriteteve garuese – UNMIK-u, ZCN-ja, EULEX-i, qeveria e Kosovës dhe institucionet paralele serbe. Që nga 17 shkurti, në Kosovë nuk kanë ndodhur shumë ndryshime pozitive.

Kosova de fakto është e ndarë, dhe as Prishtina e as bashkësia ndërkombëtare nuk kanë kontroll efektiv mbi pjesën veriore të vendit. Zyra Civile Ndërkombëtare, e udhëhequr nga Peter Feith, diplomat me përvojë të gjatë në rajonin e Ballkanit, dhe me mandat për ta mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Ahtisaarit, i ka duart e lidhura sepse nuk ka shumë ‘zbatim’ për të monitoruar.

UNMIK-u, i cili është ende larg nga dorëzimi i kompetencave të plota tek misioni i BE-së për sundim të ligjit, është në proces të rikonfigurimit – apo më fjalë tjera po e rishkruan përshkrimin e punës së vet për të siguruar një prezencë të vazhdueshme për afat të padefinuar kohor. Akoma pa zbarkuar plotësisht në Kosovë, EULEX-i, misioni i ri i BEsë për sundim të ligjit, nuk gëzon fare popullaritet. Disa mijëra protestues demonstruan në rrugët e Prishtinës duke thirrur ‘poshtë EULEX-i.’ Në fakt, Kosova sot gjendet në situatën më të mjegulluar dhe të paqartë që nga përfundimi i konfliktit në vitin 1999.

Me këtë punim, IKS-i shtron dy pyetje të thjeshta por edhe të vështira: kush është në të vërtetë shefi i Kosovës së pavarur? Dhe për shkak të strukturave të përziera të qeverisjes në Kosovë, kur do t’i përmbush Kosova aspiratat e saj për anëtarësim në BE si shtet funksional dhe i pavarur?