Qeverisja e Mirë

Gjatë viteve të fundit, me mbështetjen e Ambasadës Britaneze në Kosovë, Iniciativa Kosovare për Stabilitet ka zhvilluar aktivitete në ngritjen e kapaciteteve në tri Ministri të Republikës së Kosovës- Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR)- si dhe në zhvillimin e politikave të reja dhe legjislacionit pranë Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Një nga rezultatet  e këtij angazhimi ka qenë miratimi i Koncept – Dokumentit për Revitalizimin e Pemëtarisë, Perimtarisë dhe Stallave – mundësitë e reja në zhvillimin e sektorëve të hortikulturës dhe blegtorisë në ekonomitë familjare për vitet 2015 – 2017.

Një arritje tjetër ishte ajo e hartimit të “Udhëzuesit për procesin e hartimit të politikave dhe legjislacionit në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, realizuar në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit dhe partnerët e bashkëpunues. Qëllimi i udhëzuesit është t’u mundësojë  ekspertëve, zyrtarëve dhe qytetarëve që janë të kyçur në procesin e përpilimit të politikave dhe hartimit të legjislacionit, njohjen sa më të mirë të rregullave dhe procedurave të hartimit të tyre; të ndihmojë zyrtarët kosovarë gjatë procesit të hartimit, diskutimit dhe miratimit të legjislacionit e politikave dhe eliminimin e praktikës së mos-bërjes së analizave paraprake gjatë hartimit të dokumentacionit legjislativ.

 

Nga maji i vitit 2015, me përkrahjen e Ambasadës Britanike, IKS-ja, më tej,  po mbështet me ekspertizë teknike Ministrinë e Punës dhe Mirëqënies Sociale në amendamentimin e legjislacionit lidhur me punën dhe punësimin, që është përplotësim i  angazhimit  të  nisur me projektin “Përkrahje Partnerëve Social”. Së fundmi, IKS-ja është duke përkrahur Departamentin për Regjistrim dhe Ndërlidhje me OJQ-të në procesin e zhvillimit të Koncept-Dokumentit mbi plotësim-ndryshimin e Ligjit për Lirinë e Asociimit në OJQ, si dhe në procesin e plotësim- ndryshimit të Ligjit të cekur.