Dialogu social përfshin të gjitha llojet e negocimit, konsultimit ose shkëmbimit të informacionit ndërmjet përfaqësuesve të Qeverisë, punëdhënësve dhe punëmarrësve për çështjet me interes të përbashkët në lidhje me politikat ekonomike dhe sociale.
Këshilli Ekonomik Social, apo, siç është quajtur në fillim, Këshilli Trepalësh, fillimisht kishte dështuar të realizojë misionin për të cilin ishte krijuar. Palët nuk kishin arritur të dakordohen për të iniciuar dialogun ndërmjet partnerëve social. Për pasojë, dialogu social ka qenë dhe mbetet njëra prej çështjeve të cekura dhe të rekomanduara në Raportet e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën.
Dialogu Social, është një nga shtyllat qendrore të Agjendës për Punë të Denjë të Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Komisioni Evropian ka konstatuar se në Kosovë ka nevojë për përmirësim të dialogut social. Për këtë qëllim, qysh në vitin 2013 është iniciuar projekti “Përkrahje partnerëve socialë-PPS”, projekt ky i mbështetur nga BE-ja dhe i udhëhequr nga IKS-ja në partneritet direkt me Fondacionin Friedrich Ebert-Prishtinë (FES), Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), Sindikatën e Pavarur të Energjetikës së Kosovës (SPEK), Sindikatën e Pavarur të Metalistëve të Kosovës (SPMK), Fondacionin Pau i Solidaritat (FPS) dhe Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ).
Nga viti 2013, IKS-ja gjithashtu është e përfshirë në zbatimin e projekteve mbështetëse të sektorëve me elemente të ndikimit politik dhe përkrahjen e ngritjes së kapaciteteve. Në kuadër të programit për dialog social IKS-ja ka kryer një sërë aktivitetesh në hartimin e përmbajtjes mbi dialogun social dhe mbështetjen për një politik-bërje të bazuar në fakte, të cilat përmblidhen në një numër të konsiderueshëm publikimesh analitike dhe përkrahjen për proceset e amendametimit të politikave për katër ligje themelore nga fusha e punës dhe marrëdhënies së punës.
Ndihma teknike dhe ngritja e infrastrukturës për partnerët social ka qenë gjithashtu shenjë dalluese e punës së IKS-së për programin e dialogut social. Ngritja e kapaciteteve në mënyrë direkte dhe individuale ishte po ashtu një aspekt me rendësi i punës së IKS-së krahas promovimit dhe fushatave publike gjithëpërfshirëse mbi një gamë të gjerë të çështjeve të drejtësisë sociale.