Me 26 Janar, 2017, në emisionin Info Magazine ne Klan Kosova është mbajtur debati për Sigurimet Shëndetësore në Kosovë. Pjesëmarrësit në emision u shprehën skeptikë për implementimin e Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore.
Blerim Syla, Kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë dhe Shaban Tasholli, Nënkryetar i sindikatës së Policisë së Kosovës u shprehën të zhgënjyer nga institucionet me vonimin e shërbimit të Sigurimeve Shëndetësorë.
Qeveria e Kosovës ka paraparë që mbledhjen e premiumeve për Sigurimet Shëndetësore dhe implementimin e ligjit ta filloj në janar të këtij viti por kjo nuk ndodhi dhe as nuk pritet të ndodhë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017-të, mendojnë të dy panelistët në këtë debat.
Tasholli është shprehur se Policia e Kosovës është i vetmi institucion policor në botë që nuk siguron këtë të drejtë. Madje ai tha se pjesëtarët e Policisë së Kosovës, janë dëshpëruar që nuk kanë këtë të drejtë elementare që lidhet me profesionin e tyre.
Kurse Valbon Krasniqi, Këshilltar Politik i Ministrit të Shëndetësisë deklaroi se sigurimet shëndetësore nuk janë vonuar dhe se është punuar shumë për to.
Ndërsa , Jusuf Azemi, Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat tha se punonjësit e këtij sektori nuk do t’i paguajnë detyrimet pa u rregulluar fillimisht kushtet e punës në këtë sektor.
“Si sindikatë do t’iu bëjmë thirrje qytetarëve të sektorit privat që të mos i paguajnë këto obligime. Ne si sindikatë nuk mund t’iu bëjmë thirrje punonjësve të sektorit privat që kanë kontrata me afat të pacaktuar, që t’i paguajnë detyrimet për sigurimet shëndetësore për shkak se nuk kanë kontrata pune dhe nuk kanë kushtet e nevojshme”, ka deklaruar Azemi.
Ndër të tjerash, Azemi shton se ka pabarazi të mëdha në mes punonjësve të sektorit publik dhe atij privat.
“Punëtorët e sektorit privat nuk i gëzojnë të drejtat dhe përfitimet sikurse ata të sektorit publik. Punëtorët e sektorit privat kanë edhe paga tepër të ulëta dhe s’mund të kërkojnë nga ne të paguajmë detyrimet”.
Dialogu social realizohet në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe Fondacioni Friedrich Ebert (FES).
Linkun e këtij debati mund ta gjeni këtu:
https://www.youtube.com/watch?v=OEW21WaVufg