Mungesa e dokumentimit civil ka qenë dhe mbetet një nga pengesat më serioze për konsolidimin institucional të Kosovës. Dokumenti i identitetit nuk është thjesht një mjet burokratik; ai është themeli i qytetarisë, porta hyrëse për ushtrimin e të drejtave politike, për qasjen në arsim dhe shëndetësi, si
dhe për pjesëmarrjen në tregun e punës. Raportet e Progresit të Bashkimit Evropian kanë theksuar vazhdimisht se Kosova duhet të forcojë regjistrin civil dhe të garantojë përfshirje, veçanërisht për grupet vulnerabël, nëse synon të ecë përpara në procesin e anëtarësimit. Megjithatë, më shumë se dy dekada pas luftës, kategori të tëra banorësh mbeten të padukshëm për shtetin. Ndër ta, gratë shqiptare nga Shkodra të martuara me burra serbë në veriun e Kosovës përbëjnë një shembull të qartë të neglizhencës institucionale dhe përjashtimit gjinor.
Kjo dukuri ka rrënjët e saj në realitetin e pasluftës në veri, ku për vite të tëra kanë funksionuar strukturat paralele të Serbisë. Këto struktura ofronin dokumente, asistencë sociale dhe shërbime shëndetësore, por jashtë kornizës ligjore të Kosovës. Për banorët e atjeshëm, dhe sidomos për gratë që migruan nga Shqipëria, kjo krijoi një realitet të dyfishtë dhe shpesh kontradiktor. Ato jetonin në Kosovë, rrisnin fëmijët aty dhe kontribuonin në jetën rurale, por ligjërisht njiheshin vetëm përmes dokumenteve serbe.
Institucionet e Kosovës, të kufizuara në qasje dhe me mungesë vullneti politik, nuk krijuan procedura të posaçme për t’i integruar këto gra në regjistrin kombëtar. Si pasojë, një brez i tërë grash – nëna, bashkëshorte dhe punëtore – mbeti jashtë njohjes ligjore të shtetit ku jeton. Arsyet që çuan drejt këtyre martesave ishin komplekse, por shpesh lidhen me varfërinë dhe mungesën e mundësive në zonat rurale të Shkodrës. Familjet e panë martesën në veri si një mundësi sigurie për vajzat e tyre.
Ndërmjetës dhe agjenci joformale e ushqyen këtë perceptim, duke premtuar kushte më të mira jetese dhe burra të besueshëm. Në realitet, shumë prej këtyre grave u përballën me kushte të rënda ekonomike, tradita patriarkale dhe izolim shoqëror. Rrëfimet e tyre nuk janë vetëm histori personale sakrifice, por pasqyrojnë dështimet strukturore të një shteti që nuk garantoi përfshirjen e tyre.
Arsyet që çuan drejt këtyre martesave ishin komplekse, por shpesh lidhen me varfërinë dhe mungesën e mundësive në zonat rurale të Shkodrës. Familjet e panë martesën në veri si një mundësi sigurie për vajzat e tyre. Ndërmjetës dhe agjenci joformale e ushqyen këtë perceptim, duke premtuar kushte më të mira jetese dhe burra të besueshëm. Në realitet, shumë prej këtyre grave u përballën me kushte të rënda ekonomike, tradita patriarkale dhe izolim shoqëror. Rrëfimet e tyre nuk janë vetëm histori personale sakrifice, por pasqyrojnë dështimet strukturore të një shteti që nuk garantoi përfshirjen e tyre.
Historia e Dukatës e ilustron qartë këtë realitet. E martuar në Gornje Jasenovik, ajo kaloi tetë vite duke jetuar në një dhomë të vetme, pa ujë të pijshëm dhe pa kushte higjienike. Premtimet që iu bënë familjes së saj në Shkodër – një shtëpi e qëndrueshme dhe jetë më e mirë – nuk u realizuan kurrë. Sot, burri dhe fëmijët e saj kanë dokumente të Kosovës, por ajo vetë jo. Pa dokument, ajo nuk mund të aplikojë për punë dhe nuk mund të përfitojë nga ndihma sociale, duke mbetur e varur nga bujqësia vetjake dhe puna e papaguar e shtëpisë. File Bishevac, një tjetër grua nga Shkodra, humbi burrin shtatë vite më parë dhe tani rrit e vetme dy fëmijët. Përkundër punës së përditshme në arë, ajo nuk ka mbështetje nga institucionet e Kosovës, sepse mungesa e dokumenteve e përjashton nga çdo e drejtë. Edhe Diella, e martuar me Boshkon, zotëron vetëm një letërnjoftim të Serbisë. Ky dokument i mundëson të lëvizë, por jo të marrë pjesë në jetën juridike e shoqërore të Kosovës.
Këto rrëfime tregojnë për një boshllëk të thellë midis jetës së përditshme dhe njohjes ligjore. Për këto gra, martesa u bë një rrugë drejt familjes, por edhe një pengesë për qytetarinë. Ato janë njëkohësisht të brendshme – nëna dhe bashkëshorte që rrisin fëmijë në Kosovë – dhe të jashtme, të përjashtuara nga mbrojtja dhe të drejtat që u takojnë.
Vlerësimet institucionale e konfirmojnë shkallën e problemit. Drejtoresha e Shëndetësisë në Zubin Potok, Gordana Mihajlović, ka deklaruar se rreth 50 gra shqiptare në këtë komunë, të martuara me serbë, ende nuk kanë dokumente të Kosovës edhe pas mbi 20 viteve që jetojnë aty. Në një trajnim të organizuar nga Agjencia për Zhvillim Rajonal në Veri, nga 80 gra pjesëmarrëse, 50 kishin shtetësi shqiptare dhe ishin në të njëjtën gjendje – të papuna, të padokumentuara dhe të varfra. Kryetari i Komunës, Izmir Zeqiri, ka pranuar se numri real mund të jetë edhe më i madh, duke përfshirë edhe fëmijët e tyre, të cilët shpesh përballen me vështirësi regjistrimi në shkolla.
Pasojat për të drejtat e njeriut janë të thella. Neni 6 i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut garanton të drejtën e çdo personi për njohje ligjore. Pakiti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR) njeh të drejtën për t’u njohur kudo si person para ligjit. Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW) obligon shtetet të garantojnë qasje të barabartë në punë, arsim dhe shërbime sociale. Përjashtimi i këtyre grave nga regjistri civil i Kosovës është shkelje e drejtpërdrejtë e këtyre standardeve dhe thellon pabarazitë gjinore.
E drejta për punë është një tjetër dimension thelbësor. Pa dokumente, gratë nuk mund të punësohen ligjërisht, të regjistrojnë biznese apo të përfitojnë nga mbrojtjet e Kodit të Punës. Aktiviteti i tyre ekonomik kufizohet në punë të papaguar në shtëpi ose në bujqësi informale. File, me punën e saj të përditshme në arë, është shembull i qartë i kësaj padukshmërie: puna e saj ruan jetën e fëmijëve, por mbetet e paregjistruar dhe e pambrojtur. Frustrimi i Dukatës se nuk mund të aplikojë për punë tregon për përjashtimin strukturor. Ky nuk është thjesht një problem varfërie, por mohim i së drejtës për punë, të njohur nga Konventat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) dhe nga Karta Sociale Evropiane.
Efektet ndër-brezore e bëjnë situatën edhe më të rëndë. Fëmijët e grave të padokumentuara shpesh hasin vështirësi për regjistrim në shkolla apo për qasje në shëndetësi. Pa regjistrim të lindjes të lidhur me dokumente të vlefshme, ata rrezikojnë të trashëgojnë të njëjtën gjendje të përjashtimit. Kjo krijon një cikël diskriminimi që mund të përsëritet brez pas brezi. Për një shtet të ri si Kosova, që synon integrimin në BE, kjo gjendje nuk është vetëm një problem social, por edhe një sfidë për besueshmërinë politike.
Për më tepër, pasojat politike janë të dukshme. Sa kohë që këto gra mbeten pa dokumente, institucionet e Kosovës projektojnë dobësi dhe mungesë të sundimit të ligjit. Dështimi për t’i integruar këto kategori dëmton jo vetëm jetët e grave dhe fëmijëve, por edhe reputacionin ndërkombëtar të shtetit. Në kontekstin e integrimit evropian, ku të drejtat e grave, përfshirja sociale dhe mbrojtja e minoriteteve janë kritere kyçe, ky problem nuk mund të mbetet i pazgjidhur.
Përvoja ndërkombëtare ofron modele konkrete. Bosnja, pas Marrëveshjes së Dejtonit, miratoi ligje të posaçme dhe përdori ekipe mobile për regjistrim. Maqedonia e Veriut në vitin 2012 krijoi rrugë ligjore për personat pa shtetësi që të pajiseshin me dokumente dhe qasje në shërbime. Mali i Zi ka zbatuar masa të ngjashme, me fokus tek gratë dhe fëmijët. Kosova mund të mësojë nga këto praktika, duke i përshtatur për kontekstin e saj në veri, dhe duke i trajtuar jo si çështje teknike të regjistrimit civil, por si çështje të të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe kohezionit shoqëror.
Në fund, kjo nuk është thjesht një çështje dokumentesh. Është një çështje dinjiteti, barazie dhe njohjeje të plotë qytetare. Këto gra nuk janë të padukshme në komunitetet ku jetojnë – ato janë nëna që rrisin fëmijë, punëtore që punojnë në arë, kontribuese në jetën rurale. Ato janë të padukshme vetëm për shtetin, i cili nuk i ka njohur ligjërisht. Për Kosovën, adresimi i kësaj gjendjeje është një domosdoshmëri ligjore, politike dhe morale.