Zgjidhja e Nyjës

IKS-i ka publikuar analizën e politikave: ‘Zgjidhja e Nyjes-Ekonomia Politike e Korrupsionit dhe Llogaridhënies në Kosovë’

Një ndër problemet kryesore në luftën kundër korrupsionit është mungesa e të dhënave për sa i përket shtrirjes dhe strukturës së këtij fenomeni. Kjo e pengon hartimin e strategjive efektive kundër korrupsionit, duke qëne se të dhënat shumë shpesh zëvendësohen me thashetheme.  

Korrupsioni duhet të njihet dhe kuptohet si strukturë dhe si fenomen përpara se të adresohen karakteristikat që e mundësojnë atë të cilat gjenden kryesisht në mangësitë ligjore dhe insitucionale.

IKS-i konsideron dy fusha si veçanërisht të rëndësishme dhe me potencial pasojash serioze në cilësinë e qeverisjes në Kosovë: prokurimi publik dhe politizimi i ndërrmarrjeve publike (NP-ve), e para ndikon ndjeshëm në mënyrën e shpenzimit të parasë publike gjithnjë e më të paktë dhe e dyta ka të bëjë me menaxhimin e ndërrmarjeve më të mëdha të Kosovës.
IKS-i dëshiron të theksojë nevojën e identifikimit të problemeve strukturore që mundësojnë lulëzimin e korrupsionit dhe fokusimin e adresuar në përmirësimin institucional dhe legal, pasi që nuk është tepër vonë për të trajtuar efektivisht sfidat që vijnë nga korrupsioni. Për të arritur këtë, institucionet e Kosovës dhe EULEX-i,  me fuqi ekzekutive në fushën e korrupsionit, duhet të të kapërcejnë veten për të krijuar një front të koordinuar dhe të bashkuar kundër korrupsionit dhe mjedisit që e mundëson atë.

Klikoni për raportin e plotë: Zgjidhja e Nyjës

Mitrovica: Dy Realitete, Një Qytet

Në ballafaqimin politik mes Prishtinës e Beogradit se kush e kontrollon dhe qeveris Kosovën në veri të lumit Ibër, qytetarët e Mitrovicës harrohen lehtë. Deri më sot debate mbi Mitrovicën është përqendruar në çdo gjë përveç se në nevojat dhe brengat e përditshme të qytetarëve. Shumë pak dihet për nevojat e përditshme të njerëzve atje dhe sesi realitetet në veri dhe jug të lumit Ibër dallojnë dhe përngjajnë. 

Për këtë arsye IKS-i ka marrë përsipër të identifikojë ‘realitetin’ në terren nëpërmjet analizave skenuese. Ekzistojnë shumë nevoja të përbashkëta që mund të shërbejnë si bazë për një lloj tjetër dialogu mes dy komuniteteve – një dialog që bashkon e jo ndarës. 

Këto gjashtë analiza të politikave mëtojnë të kontribuojnë pikërisht në këtë lloj debati. Çfarë ka demaskuar hulumtimi është se këto gjashtë lëmi prekin pa dallim jetët e njerëzve. Në Mitrovicë të diplomuarit nga universiteti si ndeshen me papunësi dhe pakënaqësi, ikin nga qyteti. Shqiptarët ikin në Prishtinë në kërkim të një pune dhe një jete më të mirë, ndërsa serbët, po për të njëjtat arsye, ikin për Serbi. Në cilindo rast, Mitrovica po braktiset nga njerëzit që pretendojnë se janë të gatshëm ta mbrojnë atë me jetën e tyre.

Si duket, armiku më i madh i Mitrovicës nuk është ndarja etnike por papunësia, varfëria, mungesa e perspektivës ekonomike dhe shërbimet e varfëra publike, mes të tjerash. Të gjitha këto së bashku e bëjnë jetën të padurueshme në këtë qytet, dikur më i industrializuari në Kosovë.

Klikoni për raportin e plotë: Mitrovica: Dy Realitete, Një Qytet

Linja Ekspres Rahovec-Bruksel

Procesi i “statusit final” të Kosovës ia hapi rrugën vendit drejt integrimit evropian në të ardhmen. Pas shpalljes së pavarësisë në shkurt të vitit 2008, Qeveria e Kosovës u përball me një rrebesh problemesh ekonomike dhe sociale të cilat ishin vënë në pritje për së paku një dekadë. Një ndër sfidat më të mëdha ishte identifikimi i mënyrave për krijimin e mundësive të reja të punësimit, të cilat do të gjeneronin rritje ekonomike të qëndrueshme.

Ngushtë e ndërlidhur me këtë është pyetja e nxehtë mbi “fatin evropian” të Kosovës. Përtej retorikës së evropianizimit, duhet shtjelluar se cilat do të jenë kushtet konkrete politike të cilat do të bëjnë që Kosova të jetë e gatshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Organizatat ndërkombëtare dhe institucionet përkatëse kanë filluar të ndërmarrin hapa për zhvillimin e politikave drejt integrimit në BE. Por rrallë herë është diskutuar shkalla në të cilën vendimet politike të ndërmarra në nivel qëndror sjellin zhvillime pozitive në fshatrat e Kosovës dhe ndikojnë në jetën e qytetarëve rural.1 Megjithatë, ekzistojnë arsye shtesë të rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë pavarësisht faktit që Kosova duhet të punojë drejt përmbushjes së kërkesave të detajuara në bazë të Acquis Communautaire, si parakushte për anëtarësim në BE, me bujqësinë që bie në mes të kaptinave më të rrepta dhe sfiduese të rregulluara meacquis.

Klikoni për raportin e plotë: Linja Ekspres Rahovec-Bruksel

Të Mendosh Gjelbër

“Të Mendosh Gjelbër” prezanton gjendjen e mjedisit në Kosovë sot dhe mënyrën si qeveria qendrore dhe qeveritë komunale e trajtojnë këtë çështje, posaçërisht në komunat e Prishtinës dhe Obiliqit. Dokumenti synon të hedh dritë mbi territor të pashkelur më parë, të inkurajoj veprime nga ana e qeverisë, dhe të nxis debat publik mbi çështjet kyçe që ndikojnë në jetën tonë. 

Edhe pse Kosova nuk ka monitorim sistematik të ajrit, ujit dhe tokës, informatat e pakta flasin për një gjendje shumë të mjerë. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK-u), e cila prodhon 98 përqind të rrymës elektrike nga linjiti, hedh rreth 25 tonelata pluhur dhe hi në ajër çdo orë, që është 74 herë më e lartë se norma e lejuar me standardet evropiane. Cilësia e dobët e ajrit ndikon në ciklin e jetës dhe ka kontribuar në rritjen e numrit të personave që lëngojnë nga sëmundjet e frymëmarrjes dhe kanceri. Gjendja e ujit është poaq e dyshimtë, dhe shumë qytetarë të Kosovës akoma nuk kanë qasje në ujë të pastër dhe të kontrolluar, dhe rreth 167,000 tonelata të ujërave të zeza të patrajtuara derdhen drejtpërsëdrejti në lumenjtë e Kosovës çdo vit. Të gjithë ata që brengosen për ta shikuar
gjendjen prej së afërmi do të shohin se shkatërrimi mjedisor ka shtrirje shokante, dhe pastrimi i mjedisit nuk është detyrë e lehtë për një qeveri me vullnet jo shumë të shprehur.

Klikoni për raportin e plotë: Të Mendosh Gjelbër

Projekti “Lista e Bardhë

Kur bëhet fjalë për BE-në, njëra prej dëshirave më të mëdha të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, përveç anëtarësimit në BE, është udhëtimi pa viza. Për vite me radhë, ky ka qenë një synim i pakapshëm.  

Sot, për të hyrë në zonën e Shengenit, e cila e mbulon pjesën më të madhe të Bashkimit Evropian, qytetarët e Ballkanit Perëndimor duhet të marrin vizë të qëndrimit të shkurtër në njërën prej ambasadave apo konsullatave të 24 shteteve të zonës së Shengenit. Procedura e aplikimit për vizë merr kohë, kushton dhe është përplot stres. Kjo përfshin edhe pritjen e gjatë në rend, mbledhjen e shumë dokumenteve e madje edhe rrezikun e refuzimit të kërkesës për vizë. E gjithë kjo e vështirëson planifikimin e udhëtimit. 

Politika për reforma pro-evropiane në rajon dhe përpjekjet e evropianëve të interesuar në stabilizimin dhe integrimin e tërë rajonit të Ballkanit, përmbajnë në vete edhe një kosto të lartë politike. Politikisht është absurde që BE-ja iu ka premtuar ardhmëri evropiane vendeve të Ballkanit Perëndimor, derisa në të njëjtën kohë u vështirëson 20 milion qytetarëve të tyre ta vizitojnë BE-në dhe të mësojnë se çka është Evropa. Ata e shohin këtë si refuzim, dhe pyeten nëse e ardhmja evropiane e vendit të tyre është e vërtetë për shkak të faktit se BE-ja nuk dëshiron t’i pranoj ata as si turistë.

Klikoni për raportin e plotë: Projekti “Lista e Bardhë

Kush është SHEFI?

Optimistët në mesin tonë, të cilët kishin besuar që pavarësia do të sjell rregulla të qarta të qeverisjes, llogaridhënies demokratike dhe qartësi për të ardhmen e Kosovës, tash e disa muaj nuk po frymojnë lirshëm. Situata në terren ka krijuar një sistem edhe më të ngatërruar të qeverisjes që ka përjetuar Kosova ndonjëherë. Nëntë muaj pas shpalljes së pavarësisë, Kosova sot qeveriset nga një miriadë e autoriteteve garuese – UNMIK-u, ZCN-ja, EULEX-i, qeveria e Kosovës dhe institucionet paralele serbe. Që nga 17 shkurti, në Kosovë nuk kanë ndodhur shumë ndryshime pozitive.

Kosova de fakto është e ndarë, dhe as Prishtina e as bashkësia ndërkombëtare nuk kanë kontroll efektiv mbi pjesën veriore të vendit. Zyra Civile Ndërkombëtare, e udhëhequr nga Peter Feith, diplomat me përvojë të gjatë në rajonin e Ballkanit, dhe me mandat për ta mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Ahtisaarit, i ka duart e lidhura sepse nuk ka shumë ‘zbatim’ për të monitoruar. 

UNMIK-u, i cili është ende larg nga dorëzimi i kompetencave të plota tek misioni i BE-së për sundim të ligjit, është në proces të rikonfigurimit – apo më fjalë tjera po e rishkruan përshkrimin e punës së vet për të siguruar një prezencë të vazhdueshme për afat të padefinuar kohor. Akoma pa zbarkuar plotësisht në Kosovë, EULEX-i, misioni i ri i BEsë për sundim të ligjit, nuk gëzon fare popullaritet. Disa mijëra protestues demonstruan në rrugët e Prishtinës duke thirrur ‘poshtë EULEX-i.’ Në fakt, Kosova sot gjendet në situatën më të mjegulluar dhe të paqartë që nga përfundimi i konfliktit në vitin 1999.

Klikoni për raportin e plotë: Kush është SHEFI?

Imazhi çon Peshë!

Kosova vuan nga një problem serioz i imazhit. Në shumë vende evropiane, emri ‘Kosovë’ sjell pamje të konfliktit etnik dhe të krimit të organizuar. Prandaj, institucionet qeveritare dhe shoqëria civile duhet të ndërmarrin një përgjigje të bashkërenduar. Imazhi është i rëndësishëm; posaçërisht për një shtet të ri si Kosova që aspiron të bëhet pjesë aktive e diplomacisë botërore, të josh investime të huaja dhe t’i përmbush aspiratat euroatlantike. Duke u mvarrur nga njohjet ndërkombëtare, reputacioni i vendit ka rëndësi të
jashtëzakonshme. 

Ky raport ka për qëllim t’i sfidoj klishetë ndërkombëtare dhe mendimet e përgjithshme për Kosovën. T’i përmendim vetëm disa prej tyre: Transparency Internatonal e renditi Kosovën si vendin e katërt më të korruptuar në botë. Freedom House e rendit Kosovën në vend të njejtë me Çadin sa i përket të drejtave dhe lirive politike. Departamenti Amerikan i Shtetit e përshkruan Kosovën si vend burim dhe destinacion për trafikimin e qenieve njerëzore. Mediat në Beograd raportojnë për dhunë të vazhdueshme ndëretnike. Këshilli I Evropës paralajmëron për rrezikun e jashtëzakonshëm që i kanoset BE-së nga grupet etnike kriminale shqiptare. Interpoli pohon që trafikuesit shqiptarë të drogës kontrollojnë 80 përqind të furnizimit me heroinë në Evropë, dhe UNDP-ja paralajmëron se në shtëpitë kosovare gjenden më tepër se 300,000 armë ilegale. Cila është e vërteta?

Klikoni për raportin e plotë: Imazhi çon Peshë!

Drejt Lisbonës

Qëllimi i këtij raporti është që të japë ide të reja dhe të kontribuojë në dizajnimin e strategjive gjithëpërfshirëse për t’i fuqizuar gratë që të marrin rol më aktiv në shoqërinë dhe ekonominë e Kosovës. Ky raport ka për qëllim që të nxisë debate të nivelit kombëtar, duke nxjerrë në pah lidhjet mes zhvillimit ekonomik, edukimit dhe mundësive për punë. Gjithashtu ka për qëllim ngritjen e vetëdijës për luftimin e barrierave kulturore dhe paragjykimeve të cilat kufizojnë zgjedhjet e femrave. 

Prandaj, ky raport është më shumë se vetëm për femrat rurale, në thelb është për të ardhmen ekonomike të Kosovës. Në qoftë se Kosova me të vërtetë pretendon që të bashkohet drejt standardeve evropiane të jetesës, promovimi i të mësuarit gjatë gjithë jetës dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor duhet të zërë vend qendror në strategjitë e zhvillimit social dhe ekonomik.

Klikoni për raportin e plotë: Drejt Lisbonës 

Fondi për Zhvillimin e Komunitetit

The Community Development Fund: A case-study of donor engagement in post-war reconstruction.

This paper is a positive case study of donor engagement in post-war reconstruction, which had a deep impact on the well-being and livelihood of local communities in Kosovo. The key player of this story is the Community Development Fund (CDF), a local NGO founded by the World Bank immediately after the war in 1999. The task of the CDF was to channel the World Bank’s funds to local communities by investing in priority projects as identified by the communities themselves.

The objectives of the CDF are: (a) to improve the quality, access, and availability of community infrastructure and services in poor and conflict-affected communities, especially for the most vulnerable groups, including returnees; and (b) to promote institutional capacity building at the community and municipal levels so as to improve the quality and sustainability of service delivery, and enhance stakeholder participation and empowerment in local development. 

To date, the CDF has managed over Euro 18.5 million of donor funds (not including community participation). Its work has been divided into two program cycles: CDF I, covering the period from 1999-2003, during which period a total of USD 13.6 million (donor funds including community participation) were translated into 276 projects across Kosovo; and CDF II, ongoing since 2004, with Euro 7.3 million allocated so far. Sixty-seven projects were completed in the period 2004-2006, and 36 other projects are currently ongoing. The funds came from a number of donors, including the World Bank, the Swiss, the Dutch, the Austrian, the Canadian, and Kosovo governments, the UNDP and Oxfam.

Klikoni për raportin e plotë: Fondi për Zhvillimin e Komunitetit

Studim mbi Rindërtimin e Sistemit të Integritetit Nacional

Sistemi i Rindërtimit Të Integritetit Nacional (SRIN) është metodologji e zhvilluar nga TIRI për të vlerësuar perfomancën e institucioneve dhe iniciativave në vendet e pasluftës, kur ato fillojnë rindërtimin e shtetit dhe lëvizin në drejtim të demokratizimit. SRIN-i kosovar ofron një studim sistematik të kontekstit institucional të Kosovës së pas luftës, duke shikuar mënyrat se si kanë ndikuar rregullimi formal juridik, lidhjet me pushtetin dhe korrupsioni në zhvillimin e institucioneve kryesore, siç janë ekzekutivi,mediat, policia dhe sistemi gjyqësor.

Klikoni për raportin e plotë: Studim mbi Rindërtimin e Sistemit të Integritetit Nacional