• +383 38 260 600
  • info@iksweb.org
  • Sylejman Vokshi” Prishtine
  • Home
  • Për ne
    • Kush jemi
    • Misioni & Vizioni
    • Vlerat tona
    • Anëtarët e Bordit
    • Ekipi Yne
    • IKS Statute
    • Mundësi Punësimi
    • Deklarimet Financiare
  • Fushat
    • Dialogu Social
    • Qeverisja e Mirë
    • Trashëgemia Kulturore
    • Anti Korrupsioni
  • Projektet
    • Projektet Aktuale
    • Projektet e perfunduara
  • Publikimet
  • Mbështetësit
  • Lajme & Media
  • sq
  • en_US
  • Home
  • Për ne
    • Kush jemi
    • Misioni & Vizioni
    • Vlerat tona
    • Anëtarët e Bordit
    • Ekipi Yne
    • IKS Statute
    • Mundësi Punësimi
    • Deklarimet Financiare
  • Fushat
    • Dialogu Social
    • Qeverisja e Mirë
    • Trashëgemia Kulturore
    • Anti Korrupsioni
  • Projektet
    • Projektet Aktuale
    • Projektet e perfunduara
  • Publikimet
  • Mbështetësit
  • Lajme & Media
  • sq
  • en_US

Fuqizimi i lidershipit të grave si domosdoshmëri për çdo demokraci

Fuqizimi i lidershipit të grave si domosdoshmëri për çdo demokraci

Ndërsa po përmbyllim çerekun e parë të shekullit të 21-të, shumë vende po përballen me stagnim në rritje ekonomike dhe thellim të pabarazive, polarizim politik të thelluar dhe të rinjë që po distancohen gjithnjë e më shumë nga vlerat themelore të demokracisë. Përderisa shkaktarët e këtyre trendeve shpesh i atribuohen pandemisë COVID-19, rritjes së pabarazisë në të ardhura dhe dështimeve në qeverisje, ekziston një faktor kyç sistematik që shumë shpesh anashkalohet: margjinalizimi i grave në shumë segmente të shoqërisë. Progresi global varet nga adresimi i këtij problemi dhe vendosja e përfaqësimit të drejtë për gratë në qendër të ripërtëritjes ekonomike dhe demokratike.

Është koha të njihet lidhja jetike midis margjinalizimit të grave në politikë dhe në ekonomi. Pavarësisht se shpesh i tejkalojnë burrat në shkallën e arsimimit, arritjet e tyre rrallë përkthehen në role udhëheqëse në strukturat e pushtetit. Ndonëse përfaqësimi i grave në parlamentet kombëtare është dyfishuar që nga viti 2000, megjithatë mbetet nën 27%. Gratë në krye të shteteve mbeten të rralla, me vetëm një të tretën që kanë pasur ndonjëherë një grua në krye të vendit dhe vetëm disa dhjetëra shtete që kishin një të tillë në vitin 2025, prej të cilave gjysma  janë në Evropë. Në sektorin privat, situata mbetet gjithashtu sfiduese, me gratë që drejtojnë afërsisht 10% të kompanive të listuara në renditjen Fortune 500. Ndërkohë që kanë nisur të ngriten në pozita drejtuese në biznes, ato përballen me pengesa të konsiderueshme në nivelet më të larta ekzekutive që njihet si C-Suite. Edhe më keq, studimet e fundit tregojnë se disa gra as nuk bëjnë përpjekje për ngritje në detyrë për shkak të pengesave sistemike.

Studimet kanë treguar prej kohësh se gratë ekonomikisht të pavarura janë në një pozicion më të mirë për të tejkaluar barrierat institucionale që lidhen me angazhimin politik. Naila Kabeer argumentoi që në vitin 1999 se sigurimi i burimeve ekonomike rrit aftësinë e grave për të vepruar dhe për të ushtruar ndikim në sferën politike. Ne e dimë se kur gratë janë në tryezë, rezultatet e politikave janë më të forta dhe më gjithëpërfshirëse. Megjithatë, një brez më vonë, ne nuk i kemi përputhur këto njohuri me veprime.  Fuqizimi ekonomik i vetëm, nuk është i mjaftueshëm. Arritjet ekonomike të grave nuk përkthehen automatikisht në pushtet politik nëse nuk shoqërohen me reforma në institucionet politike dhe përmirësim të praktikave në partitë politike.

Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) në Kosovë ka ndërmarrë hulumtime të thelluara përfshirë studime të opinionit publik në të gjithë vendin, diskutime në grupe fokusi dhe intervista të drejtpërdrejta për të identifikuar shkaqet rrënjësore dhe për të propozuar zgjidhje.  Me një popullsi të vogël, shumë të arsimuar, në një demokraci vibrante në ndërtim e sipër, ku pjesëmarrja formale e grave në fuqinë punëtore është vetëm 20 përqind, Kosova është një rast shumë i përshtatshëm studimi. Vendi ka zgjedhur dy presidente gra dhe ka emëruar dhjetëra gra si ministre apo zëvendëskryeministre. Pavarësisht këtyre rezultateve, gratë mbeten pa ndikim të mjaftueshëm në strukturat e pushtetit në të gjitha partitë politike, si dhe në akademi dhe në sektorin privat. Ndonëse gratë kanë tejkaluar kuotën prej 30% në zgjedhjet për parlament, ato mbeten ende larg barazisë, ndërkohë që nivelin lokal situata është edhe më e pafavorshme. 

Pabarazitë e vazhdueshme për gratë në tregun e punës dhe përfaqësimin politik të Kosovës – pavarësisht legjislacionit progresiv dhe numrit të grave që i tejkalojnë burrat në aspektin e arsimimit, zbulojnë korrelacione kritike midis pjesëmarrjes ekonomike dhe pushtetit politik. Hulumtimet e NDI-së nxjerrin në pah barrierat sistemike, të tilla si diskriminimi në lidhje me shtatzëninë, barrën e punës së papaguar të kujdesit, infrastruktura e kufizuar e kujdesit për fëmijët dhe normat patriarkale. Këto sfida strukturore dhe ekonomike pengojnë drejtpërdrejt fuqizimin politik. Punësimi i ulët formal i grave zvogëlon numrin e grave ekonomikisht të pavarura që mund të kandidojnë në zgjedhje, duke formësuar kështu perceptimet e votuesve dhe partive politike për “përshtatshmërinë” e grave për udhëheqje. Për më tepër, pjesëmarrja politike e grave pengohet nga proceset joformale të nominimit, kostot e larta sociale dhe ekonomike për të kandiduar dhe zgjedhur për pozita publike dhe paragjykimet mediatike që përforcojnë stereotipet. Argumenti që sjell Laura Bates në librin e saj “Ne duhet ta rregullojmë sistemin, jo gratë” pasqyron përvojën e NDI-së në përballjen me barrierat sistematike për të çuar përpara pjesëmarrjen politike dhe ekonomike të grave. Përpjekjet tona për t’i pajisur gratë me shkathtësi dhe trajnime janë të nevojshme, por jo të mjaftueshme pa reforma sistemike që heqin barrierat strukturore.

Të dhënat tregojnë se rritja e punësimit formal dhe pavarësisë ekonomike të grave zgjeron ndikimin dhe pushtetin e tyre në sferën politike, por vetëm kur shoqërohet me reforma që hapin institucionet politike dhe sistemet partiake për gratë. Reformat në qeverisje që integrojnë politikat e punës dhe ato sociale me qëllime për barazinë, të mbështetura nga mekanizma të fortë zbatimi dhe llogaridhënieje, mund ta transformojnë politikën për të qenë më gjithëpërfshirëse. Lidhjet strategjike i pozicionojnë gratë, jo vetëm si pjesëmarrëse, por edhe si agjente të ndryshimit që formësojnë politikat dhe qeverisjen demokratike.

Hulumtimet dhe analiza e NDI-së vënë në pah tri tema të gjera që janë thelbësore për progresin në fuqizimin e grave në kryqëzimin e ekonomisë dhe qeverisjes: llogaridhënia, investimi dhe zhbërja e normave patriarkale përmes masave pozitive. Shoqëritë duhet t’i mbajnë qeveritë, partitë politike dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve ekzistuese që synojnë sigurimin e përfaqësimit të drejtë, duke përfshirë mbrojtjen në punë. Qeveritë duhet të angazhohen  me burime të mjaftueshme dhe politika afatgjata për të adresuar barrierat e grave në punësim, punën e kujdesit dhe pjesëmarrjen politike, duke përfshirë investime të qëndrueshme publike në sistemet e kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit dhe programe të synuara aktive të tregut të punës për gratë. Shoqëritë gjithashtu duhet të jenë të guximshme në sfidimin e normave patriarkale, stereotipeve gjinore dhe paragjykimeve të pavetëdijshme përmes fushatave shumëplanëshe dhe angazhimit të palëve të ndryshme me ndikim, si fushatat që normalizojnë rolet e përbashkëta të kujdesit për burrat dhe gratë ose që përshpejtojnë procesin e grave në pozicione të dukshme udhëheqëse. Një ndërhyjre e tillë pozitive është kritike për ndryshimin e bazamentit të sistemit, i cili pengon fuqizimin e grave dhe kështu edhe përparimin shoqëror.

Suksesi në këtë drejtim kërkon një bashkëpunim shumësektorial, duke përfshirë subjektet politike, shoqërinë civile, biznesin dhe median për të ndryshuar normat dhe për të mundësuar një mjedis të favorshëm për fuqizimin e grave dhe përparimin shoqëror. Partitë politike duhet të miratojnë mekanizma inovativ rekrutimi dhe mbështetjeje për kandidatet gra, veçanërisht midis cikleve zgjedhore. Gazetarët dhe redaktorët në media duhet trajnuar për të qenë të vetëdijshëm për paragjykimet dhe për t’iu kundërvënë atyre, si dhe për të rritur prezencën dhe dukshmërinë e grave, veçanërisht në emisionet në kohën më të shikuar dhe në udhëheqjen editoriale. Sektori privat duhet gjithashtu të luajë një rol qendror duke promovuar paga të barabarta, praktika të drejta punësimi dhe promovimi, rregullim për punë fleksibile dhe programe lidershipi për gratë. Është gjithashtu thelbësore të avancohen gratë si pjesëmarrëse të barabarta në treg duke hequr barrierat ekonomike dhe sociale përmes sistemeve gjithëpërfshirëse të kujdesit për fëmijët, lejes së përshtatshme të lehonisë dhe prindërimit, qasjes në kujdes shëndetësor dhe zbatimit të fortë të ligjit kundër diskriminimit në punësim.

Një transformim i tillë kërkon një thirrje urgjente për veprim nga e gjithë shoqëria. Shtetet duhet t’i pranojnë gratë si udhëheqëse kyçe në ekonomitë dhe qeverisjen e tyre, jo vetëm për rezultate më të mira në dobi të të gjithëve, por edhe si një gur themel i drejtësisë demokratike dhe të drejtave themelore të njeriut. Edhe pse i vonuar, ky ndryshim është i domosdoshëm.

Ky artikull është shkruar fillimisht në gjuhën angleze dhe është përkthyer në gjuhën shqipe. Në rast të ndonjë mospërputhjeje ose paqartësie, versioni origjinal në anglisht ka përparësi.

Shkarkoni artikullin këtu
PrevI Garantuar Me Ligj, I Dobët Në Praktikë
Shtojcë: Gratë në pasqyrë 2025Next

Na kontaktoni