Vizionet utopike: Dështimet e qeverisjes në kryeqytetin e Kosovës.
Tensioni i lartë politik që është duke i përcjellë negociatat për status final, lehtë mund ta mjegullojë prezencën e një sfide të madhe që e pret Kosovën pas zgjidhjes së statusit. Për më se gjysmë shekulli, Kosova ka ngecur pas Evropës si në aspektin social ashtu dhe në atë ekonomik. Vendimi mbi statusin, si i vetëm, nuk do ta ndryshojë këtë trend. Për një ndryshim të tillë, duhet ndërmarrë ndërrime fundamentale në mënyrën se si qeveriset
Kosova.
Si kryeqytet i Kosovës, Prishtina do të duhej ta udhëhiqte këtë proces të revitalizimit duke i parashtruar kriteret e qeverisjes efektive demokratike. Prishtina është komuna më e pasur e Kosovës, qendra e të gjitha institucioneve të saja të qeverisjes dhe baza e një numri të madh të institucioneve ndërkombëtare. Por megjithatë, Prishtina nuk ofron një shembull të mirë të qeverisjes për komunat e tjera.
Ndërtimet ilegale nuk kanë të ndalur. Ndërtesat ndërtohen pa i marrë parasysh standardet e sigurisë, ndërsa vendbanimet e paplanifikuara dhe zgjerimet komerciale e ngarkojnë infrastrukturën ekzistuese. Qendra historike e qytetit është ngulfatur nga ndërtimet e reja të larta. Ndërtesat e futura në listën e trashëgimisë së mbrojtur kulturore janë lënë pas dore, ku disa prej tyre edhe janë shkatërruar plotësisht.