Kosova vuan nga një problem serioz i imazhit. Në shumë vende evropiane, emri ‘Kosovë’ sjell pamje të konfliktit etnik dhe të krimit të organizuar. Prandaj, institucionet qeveritare dhe shoqëria civile duhet të ndërmarrin një përgjigje të bashkërenduar. Imazhi është i rëndësishëm; posaçërisht për një shtet të ri si Kosova që aspiron të bëhet pjesë aktive e diplomacisë botërore, të josh investime të huaja dhe t’i përmbush aspiratat euroatlantike. Duke u mvarrur nga njohjet ndërkombëtare, reputacioni i vendit ka rëndësi të
jashtëzakonshme.
Ky raport ka për qëllim t’i sfidoj klishetë ndërkombëtare dhe mendimet e përgjithshme për Kosovën. T’i përmendim vetëm disa prej tyre: Transparency Internatonal e renditi Kosovën si vendin e katërt më të korruptuar në botë. Freedom House e rendit Kosovën në vend të njejtë me Çadin sa i përket të drejtave dhe lirive politike. Departamenti Amerikan i Shtetit e përshkruan Kosovën si vend burim dhe destinacion për trafikimin e qenieve njerëzore. Mediat në Beograd raportojnë për dhunë të vazhdueshme ndëretnike. Këshilli I Evropës paralajmëron për rrezikun e jashtëzakonshëm që i kanoset BE-së nga grupet etnike kriminale shqiptare. Interpoli pohon që trafikuesit shqiptarë të drogës kontrollojnë 80 përqind të furnizimit me heroinë në Evropë, dhe UNDP-ja paralajmëron se në shtëpitë kosovare gjenden më tepër se 300,000 armë ilegale. Cila është e vërteta?