Kur bëhet fjalë për BE-në, njëra prej dëshirave më të mëdha të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, përveç anëtarësimit në BE, është udhëtimi pa viza. Për vite me radhë, ky ka qenë një synim i pakapshëm.
Sot, për të hyrë në zonën e Shengenit, e cila e mbulon pjesën më të madhe të Bashkimit Evropian, qytetarët e Ballkanit Perëndimor duhet të marrin vizë të qëndrimit të shkurtër në njërën prej ambasadave apo konsullatave të 24 shteteve të zonës së Shengenit. Procedura e aplikimit për vizë merr kohë, kushton dhe është përplot stres. Kjo përfshin edhe pritjen e gjatë në rend, mbledhjen e shumë dokumenteve e madje edhe rrezikun e refuzimit të kërkesës për vizë. E gjithë kjo e vështirëson planifikimin e udhëtimit.
Politika për reforma pro-evropiane në rajon dhe përpjekjet e evropianëve të interesuar në stabilizimin dhe integrimin e tërë rajonit të Ballkanit, përmbajnë në vete edhe një kosto të lartë politike. Politikisht është absurde që BE-ja iu ka premtuar ardhmëri evropiane vendeve të Ballkanit Perëndimor, derisa në të njëjtën kohë u vështirëson 20 milion qytetarëve të tyre ta vizitojnë BE-në dhe të mësojnë se çka është Evropa. Ata e shohin këtë si refuzim, dhe pyeten nëse e ardhmja evropiane e vendit të tyre është e vërtetë për shkak të faktit se BE-ja nuk dëshiron t’i pranoj ata as si turistë.