Kosova vuan nga një problem serioz i imazhit. Në shumë vende evropiane, emri ‘Kosovë’ sjell pamje të konfliktit etnik dhe të krimit të organizuar. Prandaj, institucionet qeveritare dhe shoqëria civile duhet të ndërmarrin një përgjigje të bashkërenduar. Imazhi është i rëndësishëm; posaçërisht për një shtet të ri si Kosova që aspiron të bëhet pjesë aktive e diplomacisë botërore, të josh investime të huaja dhe t’i përmbush aspiratat euroatlantike. Duke u varur nga njohjet ndërkombëtare, reputacioni i vendit ka rëndësi të jashtëzakonshme.
Ky raport ka për qëllim t’i sfidoj klishetë ndërkombëtare dhe mendimet e përgjithshme për Kosovën. T’i përmendim vetëm disa prej tyre: Transparency Internatonal e renditi Kosovën si vendin e katërt më të korruptuar në botë. Freedom House e rendit Kosovën në vend të njëjtë me Çadin sa i përket të drejtave dhe lirive politike. Departamenti Amerikan i Shtetit e përshkruan Kosovën si vend burim dhe destinacion për trafikimin e qenieve njerëzore. Mediat në Beograd raportojnë për dhunë të vazhdueshme ndëretnike. Këshilli i Evropës paralajmëron për rrezikun e jashtëzakonshëm që i kanoset BE-së nga grupet etnike kriminale shqiptare. Interpoli pohon që trafikuesit shqiptarë të drogës kontrollojnë 80 përqind të furnizimit me heroinë në Evropë, dhe UNDP-ja paralajmëron se në shtëpitë kosovare gjenden më tepër se 300,000 armë ilegale. Cila është e vërteta?
Nëpërmjet këtij raporti, ne dëshirojmë ta ngrisim vetëdijen dhe të nxisim një debat. Por në të njejten kohë i bëjmë thirrje institucioneve kosovare që të punojnë më tepër në reformimin e gjyqësorit, në luftën kundër korrupsionit në qeveri dhe biznes, në furnizimin e forcës policore dhe në bashkëpunimin me ligjvënësit në Evropë për ta luftuar krimin e organizuar. Gjyqësori është pa dyshim hallka më e dobët në administratën publike kosovare. Ky fakt nuk mund të ndryshohet me një fushatë të imazhit; kjo kërkon punë të jashtëzakonshme dhe përqendrim politik.
Për ta riformësuar imazhin e një vendi, sigurisht kërkohet më tepër se vetëm një spot televiziv në CNN. Kosova duhet ta kuptoj origjinën e problemit rreth imazhit të saj dhe si dallon kjo në krahasim me vendet e ndryshme. E dyta, Kosova duhet të vlerësoj me kujdes se çka gjindet prapa klisheve dhe përceptimeve ndërkombëtare. Si rezultat, Kosova ndoshta do të duhet të ballafaqohet me të vërteta të pakëndshme dhe do të duhet t’i adresoj ato në mënyrë të drejtpërdrejt.
Kosovës nuk do t’i duhet ta zbuloj ujin e nxehtë; ka mësime që mund të mësohen nga vendet e tjera të cilat me sukses e kanë ndryshuar imazhin e tyre. Një gjë është e sigurtë, për të qenë e suksesshme në këtë drejtim Kosova do të duhet të ndërtoj aleanca me të gjitha subjektet politike, përfshirë këtu edhe organizatat joqeveritare, mediat dhe bizneset. Imazhin e Kosovës nuk mund ta ndryshoj vetëm Ministria e Punëve të Jashtme – ndryshimi i imazhit kërkon partneritet dhe dialog të vërtetë me shoqërinë civile.