Projekti: Rahovec Bruksel Ekspress – Evropianizimi i Rahovecit

Edhe pse industria e verërave përbën vetëm një pjesë të vogël të sektorit bujqësor të Kosovës, ajo gëzon potencial të madh për qasje në tregjet evropiane, në të cilat kërkesa për verëra të importuara është e madhe. Në aspektin kulturor, si simbol i zhvillimit dhe progresit, profesionalizimi i industrisë së verërave gjithashtu mund të përmirësojë imazhin e jashtëm të Kosovës.

Përmes këtij hulumtimi, Iniciativa Kosovare për Stabilitet ka mëtuar t’i trajtojë disa nga këto sfida, duke shtjelluar për më së afërmi ekonominë rurale të një njësie: Rahovecit. Komuna e Rahovecit, me të kaluarën e vet të pasur në prodhim të verës dhe me tokën e vet bujqësore pjellore, ka potencial të theksuar për zhvillim në të ardhmen. Kjo komunë gjithashtu ka shënuar përparim pas përfundimit të procesit të privatizimit, ndërsa që disa nga komunat fqinje të saj, si Gjakova e Prizreni, kanë dështuar në këtë drejtim. Mësimet e nxjerra në Rahovec mund të shfrytëzohen si zgjidhje për ato degë të industrisë së verës që aktualisht kanë ngecur.

 

Linja Ekspres Rahovec-Bruksel

Procesi i “statusit final” të Kosovës ia hapi rrugën vendit drejt integrimit evropian në të ardhmen. Pas shpalljes së pavarësisë në shkurt të vitit 2008, Qeveria e Kosovës u përball me një rrebesh problemesh ekonomike dhe sociale të cilat ishin vënë në pritje për së paku një dekadë. Një ndër sfidat më të mëdha ishte identifikimi i mënyrave për krijimin e mundësive të reja të punësimit, të cilat do të gjeneronin rritje ekonomike të qëndrueshme.

Ngushtë e ndërlidhur me këtë është pyetja e nxehtë mbi “fatin evropian” të Kosovës. Përtej retorikës së evropianizimit, duhet shtjelluar se cilat do të jenë kushtet konkrete politike të cilat do të bëjnë që Kosova të jetë e gatshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Organizatat ndërkombëtare dhe institucionet përkatëse kanë filluar të ndërmarrin hapa për zhvillimin e politikave drejt integrimit në BE. Por rrallë herë është diskutuar shkalla në të cilën vendimet politike të ndërmarra në nivel qëndror sjellin zhvillime pozitive në fshatrat e Kosovës dhe ndikojnë në jetën e qytetarëve rural.1 Megjithatë, ekzistojnë arsye shtesë të rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë pavarësisht faktit që Kosova duhet të punojë drejt përmbushjes së kërkesave të detajuara në bazë të Acquis Communautaire, si parakushte për anëtarësim në BE, me bujqësinë që bie në mes të kaptinave më të rrepta dhe sfiduese të rregulluara meacquis.

Klikoni për raportin e plotë: Linja Ekspres Rahovec-Bruksel

Publikimi i “Imazhi Çon Peshë: Zbërthimi i Problemit të Imazhit të Kosovës”

Iniciativa Kosovare për Stabilitet prezantoi dhe publikoi raportin e titulluar “Imazhi çon peshë! Zbërthimi i problemit të imazhit të Kosovës,” në tryezën e diskutimit “Imazhi Ndërkombëtar i Kosovës” të organizuar nga Forum 2015. Kjo tryezë mblodhi përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare si: Vlora Çitaku, zv. Ministre e Punëve të Jashtme, Arsim Bajrami, Ministër i Shërbimeve Publike, z. Muhamet Mustafa, nga Instituti RIINVEST, z. Frode De Mauring, koordinator i UNDP-së për Kosovë dhe të tjerë.

Projekti: Ekonomia Politike e Komunës së Gjakovës: Ndikimi në Stabilitetin Social dhe Politik

Një dekadë pas luftës, qytetarët e Kosovës ende duhet t’i kthehen jetës ‘normale.’ Afërsisht 2,000 njerëz mbesin të zhdukur, papunësia shënon rreth 44 përqind, duke prekur kryesisht gratë dhe të rinjtë në Kosovë. Mundësitë e pakta të punësimit po kontribuojnë në emigrim, sidomos në ekonomitë rurale të goditura rëndë, ku ndërmarrjet e mëdha shoqërore ende nuk janë funksionalizuar. Ndër më të prekurat nga papunësia dhe emigrimi është komuna e Gjakovës, e cila dikur mburrej me numrin më të madh të punësuarve për kokë banori në të gjithë ish-Jugosllavinë – 27,500 ishin të punësuar në industri dhe shërbime deri në fund të vitit 1988. Momentalisht, gratë kryefamiljare luftojnë që të ushqejnë familjet e tyre dhe vetëm disa prej tyre kanë siguruar të drejta pronësore.

Qëllimi i këtij projekti  është të sigurojë pjesëmarrjen demokratike të akterëve të ndryshëm të shoqërisë civile në zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe politik të Kosovës drejt një të ardhmëje evropiane.