Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), organizoi debatin mbi analizën e politikave (dokumentin punues): “Ekonomia Politike e Gjakovës: Ndikimi në Stabilitetin Social dhe Politik”, më 29 Nëntor 2010.
Një dekadë pas luftës, qytetarët e Kosovës ende duhet t’i kthehen jetës “normale”. Afërsisht 2,000 njerëz mbesin të zhdukur, papunësia shënon rreth 44 përqind, duke prekur kryesisht gratë dhe të rinjtë në Kosovë. Mundësitë e pakta të punësimit po kontribuojnë në emigrim, sidomos në ekonomitë rurale të goditura rëndë, ku ndërmarrjet e mëdha shoqërore ende nuk janë funksionalizuar. Ndër më të prekurat nga papunësia dhe emigrimi është komuna e Gjakovës, e cila dikur mburrej me numrin më të madh të punësuarve për kokë banori në të gjithë ish-Jugosllavinë – 27,500 ishin të punësuar në industri dhe shërbime deri në fund të vitit 1988. Momentalisht, gratë kryefamiljare luftojnë që të ushqejnë familjet e tyre dhe vetëm disa prej tyre kanë siguruar të drejta pronësore.
Qëllimi i kësaj analize të politikave është të sigurojë pjesëmarrjen demokratike të akterëve të ndryshëm të shoqërisë civile në zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe politik të Kosovës drejt një të ardhmëje evropiane.