Rritja e pagave për 15 për qind si dhe kushtet më të mira në punë janë dy prej kërkesave të punonjësve shëndetësorë. Kështu u shpreh të premten në emisionin Info Magazine të TV Klan Kosova, Sabri Cakaj, nga Sindikata eShëndetësisë. Sipas tij, pavarësisht që këto kërkesa janë tejet të thjeshta, ato nuk po plotësohen nga ministria.
“Gjendja në shëndetësinë kosovare është katastrofale. Pas konsultimeve kemi vendosur që pakënaqësitë tona t’i kanalizojmë përmes protestave. Kërkesat tona fillimisht kanë qenë më të zgjeruara, por në takim me zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, në parim jemi marrë vesh që Ligji për Sigurime Shëndetësore, për paga dhe premiume të mos jenë imediate” u shpreh Cakaj.
- Cakaj, më tej paralajmëroi se nëse nuk realizohen kërkesat e punëtorëve shëndetësorë greva do të vazhdoj edhe ditëve në vijim.
Konstatimet e tij nuk gjeten përkrahje nga zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku. Ai tha se realizimi i kërkesave të mjekëve arrihet përmes bashkëpunimit e jo kërcënimit me grevë.
“Sindikata ka tash vetëm një kërkesë: rritjen e pagave. Ne duam që të rriten fondet për shëndetësinë. Që të përmirësohen shërbimet, por edhe të rriten pagesat për punëtorë, sipas performancës në punë. Po ashtu synojmë licencimin e punëtorëve shëndetësorë, të cilët akoma punojnë me ‘licenca politike. Ne presim që edhe ky proces duhet të kryhet deri në qershor. Kështu që nuk ka arsye për grevë, deklaroi z. Sadiku, në emisionin Info Magazine në Klan Kosova.
Dialogu social realizohet në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe Fondacionin Friedrich Ebert (FES).
Debatin e plotë mund ta ndiqni në linkun më poshtë: