Fundi i muajit prill në mbarë botën shënohet përmes fushatave të ndërgjegjësimit që kanë për qëllim të promovojnë tendencat e reja në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe vetdijësimin mbi problematikën e lëndimeve, sëmundjeve dhe vdekjeve në vendin e punës. 28 prilli, dita ndërkombëtare e kujtimit të të vdekurve në vend të punës, Kosovën e gjen me dy kryetituj për jetët e humbura në vend të punës, dhe atë në seksionin e kronikës së zezë të gazetave vendore.
Në të përditshmet kosovare këto lajme mbesin lajme dite. Kronika të cilat japin informacion kronologjik dhe jo analitik. Tituj si: ‘’Edhe një punëtor humbet jetën derisa punonte në ndërtimin e një objekti’’ janë të rëndomtë. Por nuk kemi lajme që na japin hollësitë që përbëjnë ngjarjen. Paqartësitë si shembull se për kë punonte, kishte apo nuk kishte kontratë, kishte apo nuk kishte sigurim shëndetësore, u inspektuan ndonjëherë apo jo kushtet apo siguria në vendin e punës, në ç’rrethana vdiq punëtori, kërkoi apo nuk kërkoi llogari shteti, kërkoi apo nuk kërkoi llogari familja, u penalizua apo jo punëdhënësi, u kompensuar apo jo familja e shumë e shumë pyetje të tjera të cilat mbesin pothuaj në të shumtën e rasteve pa ndonjë përgjigje. Andaj dhe si të tilla nuk raportohen. Për më tëpër këto raste nuk trajtohen si pjesë e dukurisë dhe rrjedhimisht nuk trajtohet dukuria si tërësi problematikash.
Në mënyrë që të hapë diskutim më gjithëpërfshirës në lidhje me prapaskenat dhe rrjedhshmërinë e proceseve që lidhen me vdekjet në vend pune, Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS ka inicuar këtë hulumtim lidhur me aksidentet me fatalitet në vend të punës. Studimi mëton të analizojë se çfarë ndodhë pas këtyre tragjedive në vend të punës, më saktësisht të nxjerrë më shumë detaje lidhur me këtë problematikë gjithmonë në rritje; për të kuptuar se kush janë fajtorët, si është vijuar me proceset e gjobitjes dhe gjykimit, përkatësisht, a janë kompensuar dhe si janë kompensuar familjarët e të ndjerëve.
Për të lexuar raportin, ju lutem klikoni këtu: