PERCEPTIMET E QYTETARËVE PËR RAJONIN E PRIZRENIT DHE MITROVICËS

Përcjellja e vazhdueshme dhe adresimi i perceptimeve, qëndrimeve dhe opinioneve të qytetarëve për çështjet sociale ka rëndësi të posaçme kur flitet për përmirësimin e mirëqenies në një shoqëri. Dialogu i vazhdueshëm social nuk është i kompletuar pa të dhëna nga terreni të marrura direkt nga qytetarët në të cilat përcillet në mënyrë reale qasja në të ardhura, standardi i jetesës, shteti i mirëqenies dhe perceptimet e qytetarëve për këto fusha. Inputet e mbledhura në këtë hulumtim i shërbejnë drejtpërdrejtë procesit apo thënë më mire cilësisë së një dialogu shoqëror efikas, duke ndikuar kështu në një jetesë të denjë për qytetarë e Kosovës.

Ky raport vjen si vazhdimësi e hulumtimeve të kësaj teme, të kryera nga IKS për vite me radhë. Nga hulumtimi i parë i kryer në kuadër të gjithë Kosovës, u pa se është shumë e nevojshme që hulumtimet të bëhen në kuadër të qyteteve specifike, marrë parasysh dallime të theksuara në mes të qytetarëve varësisht nga vendi ku jetojnë. Si rrjedhojë, ‘Perceptimet, opinionet dhe qëndrimet e qytetarëve të Prishtinës’ është finalizuar në vitin 2020, për t’i lënë rradhë këtë vit hulumtimit me qytetarët e Prizrenit dhe të Mitrovicës së Jugut.