Projekti: Përmirësimi i Aftësive të Analizës së Politikave në Tri Ministritë Linjës

Qëllimi kryesor i këtij projekti është të ndihmojë institucionet e Republikës së Kosovës të avancojnë kapacitetet e tyre në formulimin dhe implementimin e politikave të bazuara në fakte dhe analiza në mënyrë që të rrisë performancën e sajë në procese të rëndësishme, përfshi këtu integrimin në BE. Kjo arritje pritet të ndikojë në rritjen e besimit të qytetarëve në iniciativat qeveritare.

Projekti: Drejt Strategjive Efektive për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Politikë-Bërjes Gjithpërfshirëse

IKS është duke punuar në projektin “Drejt Mbrojtjes Efektive të Fëmijëve dhe Politikë-bërjes Gjithpërfshirëse”, që financohet nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Fëmijët në Kosovë ende jetojnë në varfëri të thellë dhe i ekspozohen diskriminimit dhe eksploatimit. Një pjesë e konsiderueshme e tyre ekspozohen dhunës në familje, në komunitet apo edhe në shkollë. Megjithkëtë, politikat efektive për mbrojtjen e fëmijëve ende mungojnë, edhe kur ekzistojnë ato nuk zbatohen në praktikë.

Me këtë projekt IKS synon që, përmes hulumtimeve empirike në këtë fushë, të informojë dhe avokojë për të drejtat e fëmijëve në nivelin politik-bërës, atë të Kuvendit të Kosovës, që rezultatet e nxjerra të përkthehen në politika relevante dhe efektive për mbrojtjen e fëmijëve.

Projekti: Peisazh Politik i Kosovës

Peisazhi Politik i Kosovës po ndryshon. Kompetencat e mbartura nga ndërkombëtarët Fill pas mbarimit të luftës, i janë transferuar qeverisë së Kosovës.

Me shpalljen e pavarësisë, qeveria e Kosovës ka kontroll të plotë në shumë fusha të jetës. Më tej, fakti se Kosova ka fituar pavarësinë nënkupton se platforma më shumë se 10-vjeçare e partive politike –pavarësia – nuk vlen më. Besnikëritë e motçme ndaj partive politike duket se po veniten ngadalë meqë tashmë qytetarët Kosovarë kërkojnë se kush do t’i përfaqësojë ata dhe se kush do të adresojë çështjet e shumta sociale që shqetësojnë Kosovën. Entuziazmi kombëtar duket të jetë në rënie pasiqë njerëzit po kërkojnë udhëheqës që mund t’iu zgjidhin problemet e shumta sociale me të cilat ballafaqohet Kosova. Me afrimin e shpejtë të zgjedhjeve, partitë politike do të duhet të paraqiten me propozime të reja dhe platforma të qarta që adresojnë këto çështje.

Në mesin e këtij peisazhi politik që ndryshon, nevojitet një analizë sistematike e tendencave të lartpërmendura dhe të faktorëve që i drejtojnë ato. Me anë të këtij projekti, IKS-i propozon të analizojë sistematikisht peisazhin politik të Kosovës dhe të paraqesë në mënyrë të qartë përfundimet e hulumtimit tek populli i Kosovës. Nëse qytetarët dinë më shumë rreth funksionimit të partive politike, rreth përpilimit të programeve dhe se si merren vendimet brenda partisë, atëherë ata do të jenë në gjendje të bëjnë zgjidhje më të informuar se kush do ti përfaqesojë ata.
Ky projekt i financuar nga BTD ka filluar në tetor 2009 dhe parashikohet të përfundojë në verë 2010.

Projekti: Sondazh Opinioni Zërat e Rinj

Kosova ka popullatën më të re në Evropë, çdo i katërti person i përket grupmoshës 15-24 vjeçare. Kosova mbetet një nga vendet më të varfëra në Evropë. Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, ekonomia e saj ecën me hapin e kërmillit, ndërsa papunësia vazhdon të jetë në nivele të larta shokuese. Ndërsa shumë janë të mendimit se e ardhmja e vendit është në duart e rinisë, ky mendim duket se po anashkalon rininë e Kosovës. Situata e rëndë në vend, e le rininë kosovare me perspektiva të paqarta për të ardhmen e saj. Për më tepër, duket se kosovarët e rinj ndikojnë shumë pak në institucionet e lidhura ngushtë me jetën e tyre të përditshme.

Nëse Kosova është serioze në lidhje me integrimin evropian, hapi i parë që duhet ndërmarrë duhet të jetë fuqizimi i rinisë sepse Kosova nuk mund t’ia lejojë vetes luksin e injorimit të potencialit të saj rinor. Kosova mund të jetë një ekonomi konkurruese në tregun evropian vetëm nëse investon më shumë tek të rinjtë e saj.  

Nisur prej kësaj, IKS-i i hedh një vështrim jo të zakonshëm mendimeve dhe ndjenjave të kosovarëve të rinj, botëkuptimeve të tyre të së tashmes dhe së ardhmes, duke shpresuar se do të mund të ndikojë në formulimin e politikave më të mira në interes të fëmijëve dhe rinisë së Kosovës. Ky projekt i financuar nga UNICEF-i filloi në dhjetor 2009 dhe parashikohet të përfundojë në pranverë 2010. Si pjesë e këtij projekti, IKS-i do të ndërmarrë xhirimin e një dokumentari të shkurtër.

Projekti: Ekonomia Politike e Korrupsionit në Kosovë

Në Kosovën e pas pavarësisë, qeverisja e dobët vazhdon të pengojë zbatimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit. Korrupsioni përbën një problem të madh sot në Kosovë. Përveç se zvogëlon dhe devijon të hyrat qeveritare, korrupsioni shkurajon investimet e huaja dhe frenon zhvillimin e biznesit. Pavarësisht problemeve që korrupsioni paraqet për një shoqëri në tranzicion, populli i Kosovës duket të jetë mjaft tolerant ndaj këtij fenomeni. Aktivitete korruptuese si ndërhyrja për të punësuar miq dhe të afërm, dhënia e dhuratave mjekëve si shpërblim për trajtim të veçantë, dhënia e dhuratave zyrtarëve publik për të përfituar lejë ndërtimi, nuk konsiderohen si korruptuese nga një numër domethënës i shoqërisë Kosovare.

Edhe pse Kosova ka bërë përparim të dukshëm në krijimin e kornizës ligjore dhe rregullative që në letër i zvogëlon mundësitë për dhe ndaj korrupsionit, ka nevojë të madhe për të krahasuar çfarë ka në letër me atë që ndodhë në praktikë. Në këtë kontekst, IKS-i e sheh të domosdoshme të freskojë njërin prej raporteve të saj të mëhershme Rindërtimi i Sistemit Kombëtar të Integritetit të publikuar më 2007 dhe të analizojë më thellë shtysat dhe pengesat kundër përmirësimit të luftës kundër korrupsionit.

Ky projekt i financuar nga DFID ka filluar në nëntor 2009 dhe pritet të përfundojë në pranverë 2010.

Projekti: Mitrovica: Dy Realitete, Një Qytet

Projekti “Mitrovica: Dy Realitete, Një Qytet” ka për qëllim që të sjellë hulumtim të orientuar nga politikat e nivelit poshtë-lartë për realitetet e tanishme në të dy komunitetet. Analizat e politikave do të mundohen të provokojnë debate të bazuara në fakte në mes të dy komuniteteve, në mes të politikanëve dhe shoqërisë civile, mediave dhe publikut, në nivelin qendror dhe në komunitetin ndërkombëtar. Ky projekt ka përfunduar me 17 dhjetor 2009.

Projekti: Rahovec Bruksel Ekspress – Evropianizimi i Rahovecit

Edhe pse industria e verërave përbën vetëm një pjesë të vogël të sektorit bujqësor të Kosovës, ajo gëzon potencial të madh për qasje në tregjet evropiane, në të cilat kërkesa për verëra të importuara është e madhe. Në aspektin kulturor, si simbol i zhvillimit dhe progresit, profesionalizimi i industrisë së verërave gjithashtu mund të përmirësojë imazhin e jashtëm të Kosovës.

Përmes këtij hulumtimi, Iniciativa Kosovare për Stabilitet ka mëtuar t’i trajtojë disa nga këto sfida, duke shtjelluar për më së afërmi ekonominë rurale të një njësie: Rahovecit. Komuna e Rahovecit, me të kaluarën e vet të pasur në prodhim të verës dhe me tokën e vet bujqësore pjellore, ka potencial të theksuar për zhvillim në të ardhmen. Kjo komunë gjithashtu ka shënuar përparim pas përfundimit të procesit të privatizimit, ndërsa që disa nga komunat fqinje të saj, si Gjakova e Prizreni, kanë dështuar në këtë drejtim. Mësimet e nxjerra në Rahovec mund të shfrytëzohen si zgjidhje për ato degë të industrisë së verës që aktualisht kanë ngecur.

 

Projekti: Ekonomia Politike e Komunës së Gjakovës: Ndikimi në Stabilitetin Social dhe Politik

Një dekadë pas luftës, qytetarët e Kosovës ende duhet t’i kthehen jetës ‘normale.’ Afërsisht 2,000 njerëz mbesin të zhdukur, papunësia shënon rreth 44 përqind, duke prekur kryesisht gratë dhe të rinjtë në Kosovë. Mundësitë e pakta të punësimit po kontribuojnë në emigrim, sidomos në ekonomitë rurale të goditura rëndë, ku ndërmarrjet e mëdha shoqërore ende nuk janë funksionalizuar. Ndër më të prekurat nga papunësia dhe emigrimi është komuna e Gjakovës, e cila dikur mburrej me numrin më të madh të punësuarve për kokë banori në të gjithë ish-Jugosllavinë – 27,500 ishin të punësuar në industri dhe shërbime deri në fund të vitit 1988. Momentalisht, gratë kryefamiljare luftojnë që të ushqejnë familjet e tyre dhe vetëm disa prej tyre kanë siguruar të drejta pronësore.

Qëllimi i këtij projekti  është të sigurojë pjesëmarrjen demokratike të akterëve të ndryshëm të shoqërisë civile në zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe politik të Kosovës drejt një të ardhmëje evropiane.

Projekti: Imazhi Çon Peshë!

Kosova vuan nga një problem serioz i imazhit. Në shumë vende evropiane, emri ‘Kosovë’ sjell pamje të konfliktit etnik dhe të krimit të organizuar. Prandaj, institucionet qeveritare dhe shoqëria civile duhet të ndërmarrin një përgjigje të bashkërenduar. Imazhi është i rëndësishëm; posaçërisht për një shtet të ri si Kosova që aspiron të bëhet pjesë aktive e diplomacisë botërore, të josh investime të huaja dhe t’i përmbush aspiratat euroatlantike. Duke u varur nga njohjet ndërkombëtare, reputacioni i vendit ka rëndësi të jashtëzakonshme.

Ky raport ka për qëllim t’i sfidoj klishetë ndërkombëtare dhe mendimet e përgjithshme për Kosovën. T’i përmendim vetëm disa prej tyre: Transparency Internatonal e renditi Kosovën si vendin e katërt më të korruptuar në botë. Freedom House e rendit Kosovën në vend të njëjtë me Çadin sa i përket të drejtave dhe lirive politike. Departamenti Amerikan i Shtetit e përshkruan Kosovën si vend burim dhe destinacion për trafikimin e qenieve njerëzore. Mediat në Beograd raportojnë për dhunë të vazhdueshme ndëretnike. Këshilli i Evropës paralajmëron për rrezikun e jashtëzakonshëm që i kanoset BE-së nga grupet etnike kriminale shqiptare. Interpoli pohon që trafikuesit shqiptarë të drogës kontrollojnë 80 përqind të furnizimit me heroinë në Evropë, dhe UNDP-ja paralajmëron se në shtëpitë kosovare gjenden më tepër se 300,000 armë ilegale. Cila është e vërteta?

Nëpërmjet këtij raporti, ne dëshirojmë ta ngrisim vetëdijen dhe të nxisim një debat. Por në të njejten kohë i bëjmë thirrje institucioneve kosovare që të punojnë më tepër në reformimin e gjyqësorit, në luftën kundër korrupsionit në qeveri dhe biznes, në furnizimin e forcës policore dhe në bashkëpunimin me ligjvënësit në Evropë për ta luftuar krimin e organizuar. Gjyqësori është pa dyshim hallka më e dobët në administratën publike kosovare. Ky fakt nuk mund të ndryshohet me një fushatë të imazhit; kjo kërkon punë të jashtëzakonshme dhe përqendrim politik.

Për ta riformësuar imazhin e një vendi, sigurisht kërkohet më tepër se vetëm një spot televiziv në CNN. Kosova duhet ta kuptoj origjinën e problemit rreth imazhit të saj dhe si dallon kjo në krahasim me vendet e ndryshme. E dyta, Kosova duhet të vlerësoj me kujdes se çka gjindet prapa klisheve dhe përceptimeve ndërkombëtare. Si rezultat, Kosova ndoshta do të duhet të ballafaqohet me të vërteta të pakëndshme dhe do të duhet t’i adresoj ato në mënyrë të drejtpërdrejt.

Kosovës nuk do t’i duhet ta zbuloj ujin e nxehtë; ka mësime që mund të mësohen nga vendet e tjera të cilat me sukses e kanë ndryshuar imazhin e tyre. Një gjë është e sigurtë, për të qenë e suksesshme në këtë drejtim Kosova do të duhet të ndërtoj aleanca me të gjitha subjektet politike, përfshirë këtu edhe organizatat joqeveritare, mediat dhe bizneset. Imazhin e Kosovës nuk mund ta ndryshoj vetëm Ministria e Punëve të Jashtme – ndryshimi i imazhit kërkon partneritet dhe dialog të vërtetë me shoqërinë civile.  

Projekti: “Të Mendosh Gjelbër”

Projekti “Të mendosh gjelbër” ka për qëllim analizimin e rolit të komunave në mbrojtjen e ambientit.  IKS-i është fokusuar në studimin e dy komunave, në komunën e Prishtinës dhe të Obiliqit ku është duke krahasuar strukturat ekzistuese komunale me atë që është në letër, në aspektin juridik dhe strategjik, me realitetin aktual mjedisor të tyre. IKS-i po hulumton nga afër detyrat e  komunës rreth mbrojtës së mjedisit dhe gjendjen aktuale mjedisore në këto dy komuna. Hulumtimi synon të paraqesë mbrojtjen mjedisore si çështje të rëndësishme në rrugën e Integrimeve Evropiane dhe të drejtojë rekomandime rreth mënyrave se si komunat mund ta plotësojnë hendekun mes realitetit dhe retorikes në bazë të shembujve të mirë të politikave mjedisore në rajon.

Hulumtimi “Të mendosh Gjelbër “ ka përfunduar në Qershor 2009.