Fondacioni Friedrich Ebert, përfaqësuesi i ETUC në Kosovë dhe IKS organizuan debatin me temë “Raporti i Progresit: Sfidat për Dialogun Social në Kosovë”. Debati u mbajt në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë në 12 nëntor 2014.
Në panel ishin të pranishëm Z. Nenad Rasic, Ministër në detyrë i Minisitrisë së Punës dhe Mirëqënies Sociale (MPMS); Z. Haxhi Arifi, kryetar i BSPK-së; Znj. Lumnije Hashani, përfaqësuese e OEK; Z. Agim Shahini, kryetar i AKB; ndërsa në publik kishte përfaqwsues nga sindikatat e energjitikës, arsimit, administratës publike, policisë, zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqënies Sociale, përfaqëues të shoqërisë civile dhe të organizatave ndërkombëtare.
Biseda u moderua nga Z. Berat Buzhala. Sindikalistët ngritën çështje të lidhura me përfaqësimin e tyre në Këshillin Ekonomiko-Social (KES). Ministri në detyrë i MPMS dhe Kryetari i BSPK-së u akuzuan nga sindikalistët për favorizimin që MPMS bën kundrejt BSPK-së. Nga ana tjetër, Ministri dhe tre panelistët e tjerë (të gjithë anëtarë në KES) mbrojtën punën e bërë në katër vjeçarin e fundit në KES në lidhje me dialogun social dhe sifdat në çështjet e punësimit.
Ndërkaq, në Raportin e fundit të Progresit thuhet se kriteret e anëtarësimit në KES, kapacitetet dhe cilësia e dialogut social kërkojnë përmirësim.