Sektori Privat, Mendohet të Jetë Shkelësi më i Madh i të Drejtave të Punëtorëve

Tema e radhës në kuadër të ciklit të debatit për dialogun social ju dedikua Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Majit. Të ftuarit për diskutim në emisionin Info Magazine ishin: Jusuf Azemi, kryetar i SPEVZ të Kosovës, Xhevahire Izmaku, deputete e PDK-së si dhe Zgjim Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje.

Jusuf Azemi, kryetar i SPEVZ të Kosovës, u shpreh i zhgënjyer më përkushtimin e institucioneve në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Ai tha se në Kosovë gjendja e punëtorëve është e mjerueshme.

“Sot kemi qenë dinjitoz, ndonëse organet tona nuk e meritojnë dinjitetin tonë. As parlamenti, as institucionet nuk e çajnë kokën. Detyrë e jona është që problemet që i kemi t’i çojmë në nivelin e duhur. Si sindikatë e kemi kryer këtë. Qeveria, parlamenti dhe të gjitha institucionet janë të informuara me gjendjen e rëndë të punëtorëve. Prej janarit 2016 kemi gjithsej 18 raste të vdekjeve në vendin e punës”, u shpreh më tej z. Azemi.

Gjatë debatit, z.Azemi, ka renditur edhe disa nga arsyet që po i shtyjnë sindikatat për të protestuar.

“Kërkesat kanë qenë: paga minimale e barabartë me rajonin; të paguhet stazhi i punës në sektorin privat si në atë publik; zbritja e stazhit të punës tek punëtoret, sepse qeveria e Kosovës dhe organet gjegjëse s’janë të gatshme t’i mbikëqyrin të gjitha kompanitë private”

Ai përmendi edhe gjendjen e pensionistëve që kanë punuar më shumë se 15 vjet, por që punëdhënësi nuk ua ka paguar kontributet. Më tej, z. Azemi, kërkoi që të formohet Gjykata e Punës.

Deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, si problem përmendi sektorin privat si shkelësin kryesor të të drejtave të punëtorëve.

Izmaku tha se duhet një unifikim më i madh i sindikatave.

“Ne, si institucione, kemi nevojë që të punojmë shumë më shumë. Ne kemi kompani që fitojnë me miliona, por kur është në pyetje të shpërblejnë një punëtorë hezitojnë”, deklaroi Izmaku.

Zgjim Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje duke folur për protestën e 1 Majit- Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, ka thënë se Vetëvendosje ka organizuar peticione kundër privatizimit të Trepçës, Kek-ut, Postës ku kanë mbledhur shumë nënshkrime.

“Kam qenë pjesë e të gjithë aktiviteteve dhe protestave në shesh në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve, që ishin gjithsej tri”,  ka thënë Hyseni.

Cikli i debateve për dialogun social realizohet në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe Fondacionin Friedrich Ebert (FES).

Debatin e plotë mund ta ndiqni në linkun më poshtë:

https://www.youtube.com/watch?v=tP0iriAH4Zk

Pubikohet Raporti i Parë për Mbështetjen Financiare të OJQ-ve

Më 14 Mars 2017 është publikuar raporti i parë për mbështetjen financiare të Organizatave të Shoqërisë Civile në Kosovë nga institucionet publike. Ky raport është hartuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë me mbështetjen e projektit
dy vjeçar të financuar nga BE “Mbështetje për Zbatimin e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile”, i cili synon të përmirësojë kapacitetet e Qeverisë së Kosovës për të ndërtuar bashkëpunim efektiv me shoqërinë civile në kryerjen e reformave të rëndësishme ekonomike dhe sociale.

Drejtoresha ekzekutive e Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), Florina Duli, që gjithashtu është anëtare e Këshillit për Zbatimin e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me shoqërinë civile, gjatë prezantimit të raportit theksoi se publikimi i këtij raporti shënon një hap drejt transparencës, megjithatë ende mungojnë informacionet më të detajuara mbi atë se cilat janë projektet që janë zbatuar dhe impaktin që ato kanë pasur. Znj. Duli,  theksoi gjithashtu se analiza përveç që ndriçon deri në një masë praktikat aktuale të mbështetjes financiare  të OJQ-ve, ajo pritet të ndihmojë që reforma e planifikuar në sektorin e kontraktimit të OJQ-ve për ofrim shërbimesh publike të zbatohet sipas standardeve me të mira evropiane, duke mos u lënë hapësirë praktikave të nepotizmit dhe korrupsionit.

Pensionistët: Ligji Aktual, Shkelje e të Drejtave të Njeriut

Tema e radhës në kuadër të ciklit të debatit për dialogun social ishte ajo e pensioneve.Të ftuarit për diskutim në emisionin Info Magazine ishin: Shaqir Foniqi, ish-gazetar, Shqipe Pantina, deputete e Lëvizjes Vetëvendosjedhe Fatmir Haxholli, këshilltar i ministrit Arban Abrashi.Për kontribuuesit e pensioneve, ligji aktual u cilësua si fyes dhe provokues. Ish-gazetari Shaqir Foniqi, u shpreh i zhgënjyer me institucionet tona. Ky ligj, sipas tij, është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.

”Kam 40 vjet përvojë pune në televizion, 5 vjet korrespodent i redaksisë në TVSH, i përjashtuar nga puna nga ish drejtori serb. Kam 12 vjet e 8 muaj e disa ditë, pse të më hedhën gjithë këto mirënjohje, misione e libra në baltë” u shpreh, Foniqi.

Lidhur më këtë, këshilltari i ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Haxholli, u arsyetua se shumë nga problemet me sistemin aktual pensional janë trashëguar nga legjislatura e kaluar dhe veçoi punën e mirë që sipas tij ka bërë ministri i tanishëm. Gjatë diskutimit, ai fajësoi edhe opozitën si bashkëfajtore për problemet e shfaqura në legjislacionin për skemat pensionale.

“Të gjithë kanë të drejtë legjitime që ta gëzojnë këtë të drejtë. Ne kemi një sistem që ka pasur dhe ka nevojë për përmirësime. Deputetja Pantina duhet ta shikojë pagën e saj e cila është shumë e lartë. Disa deputetë si zonja Pantina, që e kanë gojën plot retorikë, nuk ofrojnë shembuj, por veç flasin. Subjekti të cilit i takon ajo nuk ka ardhur kurrë me plane konkrete, por është marrë me tema të mëdha, si demarkacioni e asociacioni” tha, Haxholli.

Sa i përket kornizës ligjore për pensionet, Haxholli shtoi se janë bërë përmirësime të ndjeshme .

“Kuvendi nuk ka mundur të funksionojë disa muaj, për shkak të bllokadës së opozitës. Por ka pasur përmirësime. Sot pensionet janë më të mëdha për shkak të punës që kemi bërë. Ne kemi lëvizur me hapa të shpejtë, për të bërë ndryshime, deklaroi këshilltari i MPMS, Fatmir Haxholli.

Ky konstatim u kundërshtua nga deputetja e opozitës Shqipe Pantina. Ajo tha se puna e opozitës është që të kritikoj, ndërsa kryerja e punëve është obligim i pozitës.

Cikli i debateve për dialogun social realizohet në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe Fondacionin Friedrich Ebert (FES).

Debatin e plotë mund ta ndiqni në linkun më poshtë:

https://www.youtube.com/watch?v=e3BFEqPun54

Gara për Kryetar të BSPK-Së, Kërkohet Një Vizion i Ri

Zgjedhjet në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kërkohet të jenë të fuqishme dhe unifikuese. Në këto zgjedhje, duhet të kandidojnë  njerëz të ri dhe të formuar. Kështu u tha në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, të mbajtur me 16 shkurtë 2017.

Valbona Kamberi nga Sindikata e Policisë, tha se interesimi për të qenë pjesë e BSPK është i kamotshëm. Ajo tha se deri më tani asnjëherë nuk ju është dhënë mundësia për dialog.

“Në BSPK asnjëherë nuk kemi gjetur bashkëpunim për dialog të ndërsjellë, asnjëherë nuk e kemi pasur derën e hapur sepse ata i frikohen reformave të reja sa i përket aspekteve ligjore” tha Kamberi.

Kamberi tha se janë të gatshme për bisedime mirëpo para mbajtjes së Kongresit.

Në anën tjetër, Rrahman Jashari nga Sindikata e Arsimit, tha se situata momental e BSPK-së nuk duhet të ketë situata të tilla në shekullin 21. Ai tha se deri më tani nuk kemi pasur zë unik sindikal që merret me të gjitha çështjet.

“Kemi përvojë jo të mirë me BSPK-në, mirëpo pa qenë brenda BSPK-së nuk mund të bëjmë ndryshime. Ne nuk do të kandidojmë për kryetar sepse në Memorandumin e nënshkruar ju kemi tregu që nuk po shkojmë për interesa personale por me qëllim të sinqertë” tha Jashari.

Kamberi tha se struktura e tanishme e BSPK nuk garanton se do të ketë diçka të re.

Ekonomisti, Ibrahim Rexhepi tha se deri më tani BSPK nuk ka arritur ti mbroj të drejtat e punëtorëve.

“Qeverisë i përshtatet një situatë e tillë që të mos ketë partner të fortë sindikal” tha Rexhepi.

Zgjedhjet në BSPK, është thënë se do të mbahen në Maj të këtij viti.

Dialogu social realizohet në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe Fondacioni Friedrich Ebert (FES).

Linkun e këtij debati mund ta gjeni këtu:

https://www.youtube.com/watch?v=8bMSjZh55kE

Foto nga Takimi i Radhës i Koalicionit për Dialog Social

Gjatë takimit, koalicionit aktual i cili përbëhet nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), Friedrich Ebert Stiftung, BSPK – Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, iu bashkuan edhe organizatat: Lens, Leadership and Growth Council (LGC), Dardan Noka nga Instituti Columbus dhe Partners Kosova – Youth Public Engagement Project – të cilët për shkak të angazhimeve nuk kishin mundësi të jenë prezent.

Sindikatat Skeptike për Implementimin e Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore

Me 26 Janar, 2017, në emisionin Info Magazine ne Klan Kosova është mbajtur debati për Sigurimet Shëndetësore në Kosovë. Pjesëmarrësit në emision u shprehën skeptikë për implementimin e Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore.

Blerim Syla, Kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë dhe Shaban Tasholli, Nënkryetar i sindikatës së Policisë së Kosovës u shprehën të zhgënjyer nga institucionet me vonimin e shërbimit të Sigurimeve Shëndetësorë.

Qeveria e Kosovës ka paraparë që mbledhjen e premiumeve për Sigurimet Shëndetësore dhe implementimin e ligjit ta filloj në janar të këtij viti por kjo nuk ndodhi dhe as nuk pritet të ndodhë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017-të, mendojnë të dy panelistët në këtë debat.

Tasholli është shprehur se Policia e Kosovës është i vetmi institucion policor në botë që nuk siguron këtë të drejtë. Madje ai tha se pjesëtarët e Policisë së Kosovës, janë dëshpëruar që nuk kanë këtë të drejtë elementare që lidhet me profesionin e tyre.

Kurse Valbon Krasniqi, Këshilltar Politik i Ministrit të Shëndetësisë deklaroi se sigurimet shëndetësore nuk janë vonuar dhe se është punuar shumë për to.

Ndërsa , Jusuf Azemi, Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat tha se punonjësit e këtij sektori nuk do t’i paguajnë detyrimet pa u rregulluar fillimisht kushtet e punës në këtë sektor.

“Si sindikatë do t’iu bëjmë thirrje qytetarëve të sektorit privat që të mos i paguajnë këto obligime. Ne si sindikatë nuk mund t’iu bëjmë thirrje punonjësve të sektorit privat që kanë kontrata me afat të pacaktuar, që t’i paguajnë detyrimet për sigurimet shëndetësore për shkak se nuk kanë kontrata pune dhe nuk kanë kushtet e nevojshme”, ka deklaruar Azemi.

Ndër të tjerash, Azemi shton se ka pabarazi të mëdha në mes punonjësve të sektorit publik dhe atij privat.

“Punëtorët e sektorit privat nuk i gëzojnë të drejtat dhe përfitimet sikurse ata të sektorit publik. Punëtorët e sektorit privat kanë edhe paga tepër të ulëta dhe s’mund të kërkojnë nga ne të paguajmë detyrimet”.

Dialogu social realizohet në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe Fondacioni Friedrich Ebert (FES).

Linkun e këtij debati mund ta gjeni këtu:

https://www.youtube.com/watch?v=OEW21WaVufg

Cikli i Debatëve Në Klan Kosova i Mbështetur nga IKS

Episodi i rradhes ne Info Magazine ne Klan Kosova i lidhur me temat e dialogut social u transmetua ne daten 21 janar 2016. Debati u fokusua ne trajtimin e pensionistëve, ligjin e pensioneve dhe ne qasjen e institucioneve ndaj kësaj kategorie.

Ky debat u mbështet nga Iniciativa Kosovare per Stabilitet – IKS, Fondacioni Friedrich Ebert dhe Ambasada Britanike në Kosovë.

Per ata qe nuk paten mundesi te ndjekin transmetimin, gjeni me poshte linkun:

https://www.youtube.com/watch?v=uVkmGPUwNZ0

Gëzuar Festat

Viti 2016 ka qenë një vit i mbushur me lajme të mira dhe të këqija, befasi të këndshme dhe të pakëndshme, një vit i mbushur me ngjarje të rënda edhe në nivel global.

Urojmë dhe shpresojmë që viti që vjen do sjellë vetëm ndryshime pozitive dhe shpresë për të gjithë ata që po vuajnë nëpër vatra krizash.

Urojmë që viti 2017 të jetë vit i dashurisë, paqes, dhembshurisë dhe të jetë pikë kthese në rivendosjen e besimit midis njerëzish.

Me shpresën që ne të gjithë të kemi mundësi të kontribuojmë në ruajtjen e vlerave të drejtësisë, dhembshurisë, mirëdashjes dhe bujarisë, stafi i Iniciativës Kosovare për Stabilitet ju dëshiron gjithë të mirat në vitin 2017.

Iniciativa Kosovare për Stabilitet