Drejtoresha Ekzekutive e IKS-së i Është Drejtuar Me Një Letër Publike Zyrtarëve Të Insitucioneve Të Kosovës

Drejtoresha Ekzekutive e IKS -së i është drejtuar me një letër publike Z. Ramë Buja, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Z. Shpend Ahmeti, Kryetar i Komunës së Prishtinës, Z. Nenad Rasic, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Z. Bajram Rrexhepi, Ministër i Punëve të Brendshme në mënyrë që t’I kushtohet më shumë vëmendje fëmijëve dhe sigurisë së tyre ne shkollat publike, nxitur nga dy rastet tragjike ku pësuan vdekjen dy fëmijë të kryeqytetit.

——————————————————————————–

Të nderuar Ministra,
I nderuari Kryetar i Komunës së Prishtinës,

Në dy javët e para të këtij viti, dy filloristë humbën jetën dhe një u plagos në Prishtinë. Me 8 Janar 2014, F.K., i lindur më 29 janar 1999 është vrarë, kurse C.B., i lindur më 21 prill 1999 është plagosur në oborrin e shkollës Fillore “Emin Duraku.” Me 13 Janar, F.J., nxënëse e shkollës fillore “Hasan Prishtina”, është vetëvrarë në banesën e saj në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Dyshohet se F.J.ishte viktimë e dhunës sistematike psikologjike të ushtruar në shkollë.

Si vend vazhdimisht krenohemi me faktin se fëmijët përbëjnë një pjesë të madhe të popullsisë sonë, por deri më tani në praktikë nuk kemi mbërri që të ofrojmë një ambient sigurt shkollor, gjë që parashihet edhe me Konventën e OKBsë mbi të drejtat e fëmiut, të ratifikuar nga vendi ynë.

Rastet si ato të lartpërmendura nuk duhej te ndodhnin fare dhe tashmë ato duhet të alarmojnë, ndërgjegjësojnë shoqërinë dhe mandatarët e sigurisë së tyre për obligimin për të mbrojtur fëmijët tanë, jo vetëm nga dhuna, por edhe nga ekspozimi ndaj dhunës.

Këto ngjarje vetëm vërtetojnë përfundimet e hulumtimit tonë mbi dhunën në shkolla, të cilat gjejnë se gati një e treta e fëmijëve kanë përjetuar sulme fizike në shkollë dhe 40 përqind e tyre janë përballur me dhunë psikologjike. Raportin po ua dërgojmë të bashkangjitur.

Meqë edhe kur nuk është fatale, dhuna kërcënon seriozisht shëndetin fizik dhe mendor të gjeneratave, apelojmë që mbrojtja nga sulmet fizike dhe ato psikologjike ndaj fëmijëve të gjejnë vend parësor në agjendat tuaja.

Me respekt,

Florina Duli
Drejtoreshë Ekzekutive
Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS)

Episodi i Rradhës Në Info Magazine Klan Kosova

Episodi i rradhes ne Info Magazine Klan Kosova i lidhur me temat e dialogut social u transmetua në datën 05 shkurt 2016. Debati u fokusua në stazhin e vitëve të 90-ta.

Ky debat u mbështet nga Iniciativa Kosovare per Stabilitet – IKS, Fondacioni Friedrich Ebert dhe Ambasada Britaneze në Kosovë.

Për ata që nuk patën mundësi të ndjekin transmetimin, gjeni më poshtë linkun: http://klankosova.tv/sejdiu-problemi-i-stazhit-te-zgjidhet-me-dialog-shaipi-qyetaret-mund-ta-padisin-shtetin-dhe-ta-fitojne-rastin/

Mbahet Debati Publik Me Temë “Raporti i Progresit: Sfidat Për Dialogun Social Në Kosovë”

Fondacioni Friedrich Ebert, përfaqësuesi i ETUC në Kosovë dhe IKS organizuan debatin me temë “Raporti i Progresit: Sfidat për Dialogun Social në Kosovë”. Debati u mbajt në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë në 12 nëntor 2014.

Në panel ishin të pranishëm Z. Nenad Rasic, Ministër në detyrë i Minisitrisë së Punës dhe Mirëqënies Sociale (MPMS); Z. Haxhi Arifi, kryetar i BSPK-së; Znj. Lumnije Hashani, përfaqësuese e OEK; Z. Agim Shahini, kryetar i AKB; ndërsa në publik kishte përfaqwsues nga sindikatat e energjitikës, arsimit, administratës publike, policisë, zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqënies Sociale, përfaqëues të shoqërisë civile dhe të organizatave ndërkombëtare.

Biseda u moderua nga Z. Berat Buzhala. Sindikalistët ngritën çështje të lidhura me përfaqësimin e tyre në Këshillin Ekonomiko-Social (KES). Ministri në detyrë i MPMS dhe Kryetari i BSPK-së u akuzuan nga sindikalistët për favorizimin që MPMS bën kundrejt BSPK-së. Nga ana tjetër, Ministri dhe tre panelistët e tjerë (të gjithë anëtarë në KES) mbrojtën punën e bërë në katër vjeçarin e fundit në KES në lidhje me dialogun social dhe sifdat në çështjet e punësimit.

Ndërkaq, në Raportin e fundit të Progresit thuhet se kriteret e anëtarësimit në KES, kapacitetet dhe cilësia e dialogut social kërkojnë përmirësim.

Partnerët Social Marrin Praktikat Gjermane Për Dialogim – Vizita Studimore e Projektit PPS Në Berlin

Në kuadër të projektit Përkhraje Partnerëve Social – të financuar nga BE-ja e implementuar nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet, në partneritet me Friedrich Ebert Stiftung, Sindikatën e Pavarur të Energjetikës së Kosovës, Sindikatën e Pavarur të Metalistëve  të Kosovës, Odën Ekonomike të Kosovës, Fundacio’ Pau i Solidaritat dhe Qendrën Kosovare për Studime Gjinore – u realizua një vizitë studimore në Berlin, Gjermani (7-11 tetor 2014), me fokusin në fuqizimin sindikal për përmirësimin e dialogut social. Përfaqësues nga organizatat e punëmarrësve, punëdhënësve dhe Qeveria e Kosovës së bashku u takuan me personat kyç të partneritet social në Gjermani. Ata shkëmbyen përvoja për mënyrën e organizimit të sindikatave, për ndikimin dhe rolin e Odës Ekonomike në dialogun social dhe në ngritjen profesionale të personelit, si dhe për rolin e shtetit në këtë dialog në mes të punëdhënësve dhe punëmarrësve.

Përfaqësuesit e punëmarrësve ishin prej Sindikatës së Pavarur të Metalistëve  të Kosovës, Sindikatës së Pavarur të Energjetikës së Kosovës, Sindikatës së punëtorëve të Sharrcemit, Sindikatës së Sektorit Privat. Si përfaqësues të organizatave të punëdhënësve kanë qenë Oda Ekonomike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve. Ndërsa, si partneri i tretë social, ishin edhe përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Përfaqësuesit e dialogut social fillimisht u takuan me Z. Christian Nestler, zyrtar i Odës Ekonomike të Berlinit, i cili u shpjegoi se në sistemin gjerman të dialogut social dy-palësh, Oda nuk ka asnjë rol në dialog. Z. Nestler, ekonomist në OE të Berlinit, tha se janë asociacionet e bizneseve, që përfaqësojnë punëdhënësit në dialog me sindikatat. Ndryshe nga sistemi në Kosovë, Odat Ekonomike në Gjermani nuk kanë të drejtë të marrin pjesë e as të dialogojnë me sindikatat. Detyra kryesore e Odave Ekonomike është trajnimi i punëtorëve dhe përgatitja e tyre për tregun e punës. Gjithashtu, ato ndihmojnë bizneset në qasjen në tregjet e reja, pasi ekonomia e Gjermanisë, në masë të madhe, mbeshtet tek eksportet.

Pjesëmarrësit në vizitë u takuan edhe me anëtarin e bordit ekzekutiv të Konfederatës së Sindikatave në Gjermani (DGB), Z. Frank Zach (në foto). Ai foli për organizimin sindikal të Gjermanisë, duke theksuar se përveç sindikatave, ata kanë edhe Këshilla të Punëtorëve, që janë shumë të fuqishëm. Ky organizim dy shkallësh, sipas tij, është vështirë të funksionojë në rastin e Kosovës, edhe pse në Gjermani është treguar i suksesshëm. Z. Zach tha se në rastet kur ekzistojnë edhe Sindikatat, edhe Këshillat e Punëtorëve ka më shumë mundësi që punëdhënësi të manipulojë me Këshillin e Punëtorëve në biznesin e tij për të rivalizuar Sindikatat.

Z. Zach tregoi edhe praktikën se si Udhëheqësi i Unionit të Sindikatave në Gjermani, në momentin që arrin moshën e pensionit, duhet të dorëzojë detyrën e tij prej udhëheqësi. Ai mbetet sindikalis për gjithë jetën, por nuk mund të jetë më drejtues.

Ai shpjegoi se udhëheqësi i një sindikate konsiderohet si i punësuar i sindikatës, prandaj ai duhet t’i respektojë rregullat që vlejnë për të gjithë të punësuarit në një shtet.  “Udhëheqësi i Sindikatës llogaritet se është i punësuar në Unionin e Sindikatave, prandaj ai duhet t’i respektojë rregullat si i punësuar dhe të dalë në pension. Mirëpo, atij askush nuk ja ndalon që të jetë një sindikalist”, theksoi Zach.

Përfaqësuesit e Sindikatave janë takuar edhe me Z. Peter Scherer nga ETUC (Konfederata Europiane e Sindikatave), i cili foli për mënyrën e organizimit dhe themelimit të sindikatave dhe bashkimin e tyre. Kryetari i Sindikatës së Pavarur Energjetike të Kosovës kërkoi informata për mënyrën e riorganizimit dhe bashkimit të sindikatave, duke njoftuar se në Kosovë është duke u punuar për themelimin e një Sindikate të Industrisë, në të cilën do të bashkohen disa sindikata që aktualisht veprojnë në sektorin industrial.

“Kemi filluar procesin e bashkimit të dy e më shumë sindikatave në një të vetme. Do të ishte e  mirëseardhur një përvojë e mirë se si duhet të ecët përpara në bashkimin e sindikatave. Ne shpresojmë që të na ndihmoni në përgatitjen e statutit dhe dokumenteve të tjera përcjellëse për grupimin e ri sindikal, pasi konsideroheni si një prej ekspertëve ndërkombëtarë, por që e njihni edhe rastin e Kosovës”, tha ai. “Bashkimi i dy-tri degëve sindikale në një sindikatë industriale do të jetë një shembull i mirë edhe për sindikatat e tjera në Kosovë.”

Z. Scherer theksoi se Sindikatat që kanë numër më të madh të anëtarëve janë më të fuqishme në dialogimin me punëdhënësit. “Sa më i madh si organizim dhe sa më shumë anëtarë të keni, aq më të fortë jeni. Nuk ka rëndësi mënyra e organizimit e as emërtimi, por rëndësi kyçe ka numri sa më i madh i anëtarëve. Dhe krejt parimet dhe qëllimi i procesit të bashkimit duhet të jetë përfaqësimi sa më i denjë i punëtorëve dhe marrja e vendimeve duke respektuar vullnetin e tyre”, ka thënë Scherer.

Ai foli edhe për rëndësinë e organizimit të Këshillave të Punëtorëve në kompanitë e mëdha, në mënyrë që lehtësohet arritja e pajtimeve me punëdhënësit. “Punëdhënësit duhet të jenë të interesuar të kenë një Këshill të Punëtorëve me të cilit komunikon, pasi në këtë mënyrë ata nuk humbasin kohë duke komunikuar vetëm me fraksione të vogla dhe me punëtorët individualisht”, mendon ai.

Scherer e ka ndarë përvojën gjermane për mënyrën e organizimit të sindikatave dhe mënyrën e ribashkimit pas vitit 1990, si dhe për procesin e ribashkimit pas vitit 2000.

Delegacioni është takuar edhe me deputetin e Parlamentit Gjerman, Z. Josip Juratovic me të cili folën për rrugën e shteteve të Ballaknit Jug-lindor drejt integrimit europian. Z. Juratovic foli për rëndësinë e përgjegjësisë dhe transparencës që duhet të kenë liderët e shteteve që pretendojnë të hyjnë në BE në punë e tyre. Mirëpo, shtoi ai, është traditë në Ballkan që nacionalizimi të përdoret nga liderët për të fituar zgjedhjet.

Pjesë e programit të kësaj vizite studimore ishte edhe një vizitë në Ministrinë e Punës në Berlin. Aty pjesëmarrësit janë njoftuar për fillesat e dialogut social dhe sindikatave në Gjermani. U diskutua edhe për sfidat e Gjermanisë për të ardhmen në mbulimin e pensioneve, për shkak të natalitetit të ulët në këtë shtet. Ciceroni i kësaj ministrie tha se shteti gjerman, përmes politikave sociale, është duke u munduar të nxisë natalitetin në mënyrë që t’i shmangen problemet në 50 vitet e ardhshme, pasi pritet një rënie e popullsisë prej 80 milionë në vetëm 61 milionë në vitin 2060.

Vizita dha rezultate shumë pozitive dhe Projekti do të vijojë me organizimin e aktiviteteve të ngjashme, të fokusuara në shkëmbimin e eksperiencave, përfshi edhe një vizitë tjetër studimore në Hollandë për anëtarët e Këshillit Ekonomiko Social, në të cilin do të marrin pjesë përfaqësues të këtij Këshilli dhe të Ministrisë së Punës dhe Mirëqënies Sociale.

Vizita e Dytë “Hajde”

Qëllimi i kësaj vizite ishte që të sigurojë një platformë për rritjen e njohurive në lidhje me trashëgiminë kulturore, rëndësinë e saj sot dhe përgjegjësitë e individëve dhe komuniteteve në mbrojtjen dhe promovimin e saj, duke kaluar traditat e trashëgimisë jomateriale nëpër brezat e rinj.

Vizita e Parë “Hajde”

Qëllimi i kësaj vizite ishte që të sigurojë një platformë për rritjen e njohurive në lidhje me trashëgiminë kulturore, rëndësinë e saj sot dhe përgjegjësitë e individëve dhe komuniteteve në mbrojtjen dhe promovimin e saj, duke kaluar traditat e trashëgimisë jomateriale nëpër brezat e rinj.

 

Takimi i Komitetit Drejtues Të Projektit Përkrahje Partnerëve Socialë

Në kuadër të projektit Përkrahje Partnerëve Social, të financuar nga Komisioni Evropian, me datën 04 Prill 2014, në Hotel Emerald, u mbajt takimi i tretë i Komitetit Drejtues të Projektit.

Takimi u mbajt  me qëllim të raportimit periodik të partnerëve mes tyre në lidhje me mbarëvajtjen e projektit dhe dakordimit për aktivitetet e ardhshme, që do të organizohen në kuadër të tij.

Ceremonia e Shpërblimeve Për Llogo Regjionale

Në kuadër të Projektit të Përbashkët të “BE/KE Përkrahje për promovimin e diversitetit kulturor (PDKK)”, me datë 17 prill 2014, IKS organizoi Ceremoninë e Shpërblimeve për Llogo Regjjonale. Aktiviteti i sotëm kishte për synim promovimim e garës së zhvilluar për dizajnin e logos për komponenten ZHEL (Zhvillimi Ekonomik Lokal), në regjionin e Prishtinës.