Takimi i Anticoorp-it Në Berlin Dhe Në Punëtorinë Për Analizat E Rrjeteve Sociale Dhe Në Indikatorët e Gjeneratës Së Dytë

Florina Duli dhe Edona Krasniqi morën pjesë në WP8 – Takimi i ANTICOORP-it në Berlin dhe në Punëtorinë për Analizat e Rrjeteve Sociale dhe në Indikatorët e Gjeneratës së Dytë.

 

Kjo punëtori, e mbajtur nga Shkolla Hertie për Qeverisje ka përfshirë dy ditë seminarike dhe ditën e tretë për punëtori të brendshme të ANTICORRP-it për WP4 dhe WP8.

Trajnim Për Monitorimin e Ligjit Të Punës Dhe Ligjit Për Siguri Dhe Mbrojtje Të Shëndetit Në Punë

Në kuadër të projektit Përkrahje Partnerëve Social, të financuar nga Komisioni Evropian, më 28 Mars 2014 u mbajt trajnimi i parë për “Monitorimin e Ligjit të Punës dhe Ligjit për Siguri dhe Mbrojtje të Shëndetit në Punë”, ku morën pjesë përfaqësues nga SPMK, SPEK dhe OEK. Pjesëmarrësit në këtë trajnim do të vizitojnë 500 (pesëqind) kompani private përgjatë kohëzgjatjes së projektit, me qëllim që të kuptojnë se sa mirë zbatohet Ligji i Punës dhe Ligji për Mbrojtje dhe Siguri në Punë në Kompanitë e Republikës së Kosovës.

Ajo Që Kontribuoi Në Kohët Më Të Vështira Të Kosovës

Si mësuese, ligjëruese, këshilltare politike, reprezentuese rajonale, humaniste dhe së fundi drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), Florina Duli është një ndër shembujt që vërteton aftësinë e gruas që të ketë karrierë të bujshme në kohëra të vështira dhe njëkohësisht të jetë familjare e përkushtuar.

Ajo filloi karrierën në vitin 1989 si mësuese në shkollën e mesme “Stevan Mokranjac” në Prishtinë dhe të njëjtën kohë si ligjëruese në Universitetin e Prishtinës. Kohë të vështira këto për të ushtruar profesionin e mësuesit, pasi që në vitin 1990 të gjitha shkollat në gjuhën shqipe u mbyllën, por fal solidaritetit qytetar ato nisën prapë punën, e kësaj radhe nëpër shtëpi private.

“Kushtet e punës ishin jashtëzakonisht të vështira dhe ndikoheshin shumë nga kushtet e rënda ekonomike të asaj kohe”, ka rrëfyer Florina për KosovaLive.

Pas kësaj ajo filloi punën në organizatën humanitare “Medecins Sans Frontiers” që për qëllim kishte të ndihmojë qytetarët me nevojat e tyre shëndetësore.

Për ato kohë të vështira Florina ka rrezikuar veten për të ndihmuar popullin kosovar.

“Lufta solli dhe sfidat më të mëdha. Postblloqet e shumta të policisë serbe penguan punën e të gjitha organizatave humanitare. Dëshira për të ndihmuar sillte shumë rreziqe. Puna në teren gjatë luftës mbetet përvoja ime më e hidhur. Atë kohë e kujtoj për dëshirën time të madhe për t’u kthyer në mbrëmje sërish tek fëmijët e mi dhe dëshirën për t’i gjetur të gjallë ata që po i lija pas në zonat e luftës”, thotë ajo, duke kujtuar kohët e vështira gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Florina vazhdoi si përfaqësuese rajonale për “Save The Children UK”, nga viti 1997 deri në vitin 2000, e më vonë si përfaqësuese e “Save the Children Alliance in Kosovo”.

Falë angazhimit të saj gjatë situatës së refugjatëve në Maqedoni, Florina, në vitin 2001, fitoi çmimin Gallantry Award, çmim ky që ju dha nga Anne, Princesha e Mbretërisë së Bashkuar.

Pas luftës, Florina filloi punë si këshilltare politike e shefit të shtyllës së dytë të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Në atë kohë punohej për themelimin e institucioneve të Kuvendit të Kosovës. Procesi udhëhiqej nga ndërkombëtarët ndërsa Florina, Behar Selimi dhe Robert Muharremi, ishin të vetmit kosovar të përfshirë në atë proces.

Kontributin e saj në një nga proceset themeluese dhe më të rëndësishme të formimit të shtetit të Kosovës dhe seancën e parë të Kuvendit të Kosovës, Florina e përshkruan : “Të gjithë ne, seancën e parë të këtij Kuvendi e përcollëm me ndjenja të përziera ngazëllimi dhe mërzije. Ngazëllim për fëmijët tanë dhe mërzi për të gjithë ata që do të duhej të ishin me ne për të festuar.”

Pas zgjedhjes së Kryesisë së Kuvendit, asaj iu kërkua që të vazhdojë të shërbejë si këshilltare politike e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, gjë që e ka bërë deri në marrëveshjen e vonuar për koalicionin qeverisës në vitin 2002.

Falë eksperiencës në zhvillimin ndërkombëtar, të drejtat e njeriut, planifikim dhe menaxhim në emergjenca, edukim dhe kulturë, Florina ka ofruar për OKB-në këshilla për strategji dhe politika.

Në kuadër të Departamentit të Zhvillimit Internacional (DFID), ajo u angazhua në dialog të politikave me Qeverinë e Kosovës në sektorët e qeverisjes, administratës publike dhe financave, rendit dhe ligjit, sektorit të sigurisë, shoqërisë civile dhe zgjedhjeve.

Ajo ka dhënë kontributin e saj edhe në punën e Bankës Botërore/DFID për zhvillimin e Strategjisë afat-mesme speciale për siguri për Kosovën.

“Unë shërbeva si eksperte nacionale. Organizova konsultimin me të gjithë palët relevante, si partitë politike ashtu edhe ekspertët vendor me qëllim që kjo strategji të reflektonte pikëpamjet e hisedarëve vendor. Jam përpjekur shumë që strategjia të merrte parasysh realitetin dhe strukturat e ashtuquajtura ‘paralele’ të krijuara gjatë periudhës 90-99 në mënyrë që të ruhej kapitali social dhe rrjetet e krijuara. Edhe sot e kësaj dite themelet e politikave dhe programeve aktuale të mbrojtjes sociale në Kosovë vazhdojnë të mbështeten mbi atë strategji”, thotë Florina.

Gjatë viteve 2001-2007 ajo ka menaxhuar Klubin Republikan, një klub debati që është bashkëthemeluar me me prof. Michael Daxner (Free Berlin University), Tom Koenigs (German Bundestag), Dukagjin Gorani (këshilltar i kryeministrit për siguri), etj. Qëllimin e këtij klubi Florina e përshkruan

“Qëllimi i themelimit të Klubit Republikan ishte për të nxitur kulturën e debatit dhe mendimit kritik, gjë që nuk është kultivuar nga sistemi komunist i asaj kohe. Klubi për më tepër kishte qëllim që të thyejë tabutë e shumta që karakterizojnë shoqërinë tonë. Debati i parë i organizuar ka trajtuar temën e seksualitetit në shoqërinë tonë.”, ka shpjeguar ajo.

Florina gjithashtu ka punuar me Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), që ishte organizata e parë joqeveritare e regjistruar në Kosovën e paskomunizmit (1990).

Gjithë ky angazhim dhe përkushtim në punë nuk e ndaloi atë nga krijimi i një familjeje të madhe. Florina ka gjashtë fëmijë dhe tani dhe një mbesë dhe nip. Ajo thotë që balanca mes përkujdesjes për familjen dhe angazhimit profesional është e vështirë të arrihet, por dëshira për të ndihmuar dhe kontribuar për në shtet ndërtim, ka formuar karrierën e saj dhe jo e kundërta.

Sa i përket motivimit të saj të përhershëm ajo shprehet: “Kam mësuar se shpeshherë edhe në kohë të vështira jetohet bukur. Për shumë vite shtëpia jonë ka qenë e mbushur me shumë miq e gazetarë të huaj.  Aty diskutohej me pasion letërsia, politika etj. Nga perspektiva e sotme them se është fat të jetosh në kohëra interesante. Jeta dhe dëshira për ta bërë atë më të bukur, janë vet motivimi”.

Florina beson në fuqinë e femrës shqiptare duke njohur kontributin e tyre për shtetin shqiptar.

“Gratë në Kosovë, kanë luajtur rol tejet të rëndësishëm, në shumë rrafshe, e sidomos në kohët më të vështira të vendit. Luajtën rol të rëndësishëm në luftimin e analfabetizmit, në organizimin e ndihmës në vend, në internaciolizimin e çështjes së Kosovës, në organizimin e rezistencës e në shumë fusha që po lë pa përmendur. Ato vazhdojnë të luajnë rol në fuqizimin e gruas dhe vazhdojnë betejën e tyre kundër diskriminimit që vazhdon e i bëhet gruas në shoqërinë tonë”, ka përfunduar ajo. /jetë llalloshi/

Edhe Sa Raste Duhet Të Ndodhin Që Të Parandalohet Dhuna Në Shkolla?

Prishtinë, Shkurt 2014 – Njoftohet se nxënësi G.K. nga Peja ka ndërruar jetë pas një përleshje dhe nga goditjet e mëdha me thikë në shpinë. Nxënësi i shkollës Ekonomike në Pejë, lindur në 1997 është konstatuar i vdekur në QKUK nga plagët e marra. Ky është rasti i tretë që po ndodhë si pasojë e dhunës në shkolla që nga fillimi i këtij viti.

Edhe sa raste të tilla duhet të ndodhin që të vetëdijesohen zyrtarët e institucioneve përkatëse për të parandaluar rastet si ai me lart? Fëmijët nuk janë të sigurt në ambientet e tyre shkollore, dhe dita-ditës po vërehet se ka mungesë të përkujdesjes ndaj tyre. Këto raste shqetësuese duhet të nxisin zyrtarët kompetentë të identifikojnë rreziqet që u kanosen fëmijëve, të ndërmarrin masa parandaluese dhe të ngrisin vetëdijesimin rreth sigurisë në ambiente arsimore.

IKS Prezanton Raportin “Edukim Apo Nënshtrim” Nga Hulumtimi Mbi Sigurinë Në Shkolla

Prishtinë – 17 Dhjetor 2013 Iniciativa Kosovare për Stabilitet, përkrahur nga projekti i UNDP-së në përkrahje të Kuvendit të Kosovës, BTD dhe OSI-TTF diskuton raportin dhe rezultatet e dala nga hulumtimi mbi sigurinë në shkolla të titulluar “Edukim apo Nënshtrim?”

Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS) ka ndërmarrë këtë hulumtim në mënyrë që të vlerësohet se sa janë në të vërtetë të sigurt fëmijët në mjediset e shkollës dhe të identifikohen fushat se ku çalon legjislacioni dhe udhëzimet administrative, si dhe të ofrojë dhe rekomandojë zgjidhje dhe opsione  të mundshme të tejkalimit të kësaj situate në të cilën gjinden shkollat dhe fëmijët sot.

Gjetjet tona janë brengosëse. Ato flasin për një situate edhe më të rëndë se sa e kishim imagjinuar ne. Përmëtepër, fëmijët dhe mirëqenia e tyre u injoruan edhe gjatë kampanjës zgjedhore për kryetar komunash megjithë faktin që ne krenohemi me përqindjen e madhe të fëmijëve në popullatën e gjithmbarshme të shtetit tonë.

Se a do të figurojë së shpejti çështja e fëmijëve në axhendën e politikës apo në debate publike diskutojnë:

Suzana Novoberdaliu (Kryetare e Komisionit per te drejtat e njeriut, Barazi gjinore, Persona te pagjetur dhe Peticione)

Besim Kajtazi (Drejtor i Zyrës Ligjore, Zyra e Kryeministrit)

Shpend Ahmeti (Kryetar i Prishtinës) – Pritet te konfirmoj pjesëmarrjen

Florina Duli (Drejtoreshë Ekzekutive, IKS)

Edona Krasniqi (Drejtoreshë e Hulumtimeve, IKS)

Tryeza mbahet më 18 Dhjetor, në Restaurantin Rings duke filluar nga ora 10:00.

Përmirësimi i Aftësive të Analizës së Politikës në Tri Ministritë Linjës

Nga tryeza e rrumbullaket me temë: Analiza e draftit të parë të politikës së Ministrisë së Bujqësisë, Pyllëtarisë dhe Zhvillimit Rural “Revitalizimi i sektorit të pemtarisë, perimtarisë dhe shtallave”.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin përfaqësues nga Institucionet qeveritare dhe nga shoqëria civile.

Në këtë takim u konkludua që:

  • Draft politika”Revitalizimi i sektorit të pemtarisë, permitarisë dhe shtallave” të risktruktuorhet dhe pëson disa ndryshime, para se të dërgohet te Ministria e punës dhe mirëqenjes sociale dhe Ministria e tregëtisë dhe industrisë. Po ashtu draft dokumenti i përpunuar do të dërgohet te pjesëmarësit e punëtorisë së radhës deri me datën 19 Nëntor 2013.
  • Që me datë 25-26 dhe 27 Nëntor të organizohet punëtoria e dytë në kuadër të projektit përmirësimi i analizës së politikës në tri Ministritë e linjës.

 

Politikëbërja është në zemër të aktiviteteve qeveritare kudo. Qeveria e Kosovës synon ngritjen e kapaciteteve të veta në planifikimin dhe analizën e politikave, gjë që do të ketë ndikim kualitativ në qeverisje dhe legjislacion të ri. Përmirësimi i profesionalitetit në politikëbërje, të kuptuarit e problemeve dhe aplikimi i praktikave të mira është sfidë edhe për vendet me traditë të gjatë demokratike. Qëllimi kryesor i këtij projekti është të ndihmojë institucionet e Republikës së Kosovës të avancojë kapacitetet e veta formulim dhe implementim politikash të bazuar në fakte dhe analiza në mënyrë që të rrisë performancën e vet në procese të rëndësishme, përfshi këtu integrimin në BE. Kjo arritje pritet të ndikojë në rritjen e besimit të qytetarëve në iniciativat qeveritare.

Opinion i Florina Duli-Sefaj Në Koha Ditore

Është bërë traditë, që dita ndërkombëtare e fëmijëve, të shënohet me këngë e valle në atë që Prishtina e quan shesh. Pak a shumë aty nisin dhe marrin fund përpjekjet e qeverisë dhe shoqërisë së këtij vendi në përmbushjen e drejtave themelore të fëmijëve.

Vitin e shkuar, një video e postuar në YouTube, në të cilën një mësimdhënës i shkollës fillore “Gjergj Fishta” godet nxënësitë e tij, u pa nga më shumë se treqind mijë vetë. Dhe goditja nuk është gjëja më e tmerrshme që videoja nxjerr në pah. Më e tmerrshmja është lehtësia më të cilën fëmijët protagonistë pranojnë dhunën.

E nxitur edhe nga një ngjarje e tillë, Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), është duke hulumtuar aspektet e sigurisë së nxënësve në ambientet shkollore. Të dhënat e dala në hulumtimin e zhvilluar në Prishtinë, vërtetojnë se shkollat në përgjithësi janë vende ku fëmijët më tepër se ndaj arsimimit janë të ekspozuar ndaj dhunës e cila cënon rëndë dinjitetin e tyre dhe i pengon atë në përmbushjen e potencialit të tyre zhvillimor dhe kognitiv.

Disiplinimi përmës ndëshkimit fizik mbetet ende forma më e përdorur nga mësimdhënësit. 184 nxënës nga 358 sa ishin të anketuar, thanë se janë rrahur.  Goditja, rrahja, përçmimi, janë më të shpeshtat. Në legjislacionin e saj, edhe Kosova, ndëshkimin fizik e quan të paligjshëm. Për më tepër fëmijët kanë të drejtën për t’u mbrojtuar nga të gjitha format e dhunës qofshin ato në shkollë, shtëpi, kujdes alternativ etj. Por si shumë reforma të tjera ligjore, edhe kjo nuk është përcjell ndonjëherë me politika për të siguarar zbatimin e  saj dhe nuk ka patur asnjëherë ndonjë debat publik mbarëkombëtar i cili do të ndërgjegjësonte dhe informonte publikun mbi të drejtat e njeriut tek fëmijët.  Reforma nuk ka arritur as bile pak të ndryshojë qëndrimet dhe sjelljet e atyre  që duhet të mbrojnë këto të drejta.

Një tjetër aspket që del nga hulumtimi, është se ka patur një rritje në rastet e dhunës në shkollë.  IKS bëri një krahasim në mes të këtij studimi dhe të një studimi paraprak e të ngjajshëm që është bërë nga UNICEF në vitin 2005. Përderisa 38.8% të fëmijëve të anketuar raportojnë dhunë mes moshatarëve, 51.4% e tyre raportojnë dhunë të ushtruar nga arsimtarët. Nga ky numër 38,1 % e nxënësve goditen për mos mësim, 51.4% kur bëjnë zhurmë, 26% kur arsimtari është nervoz, përderisa 51,1% të të anketuarve janë fyer nga arsimtarët, përderisa fjalët më të zakonshme që ata kanë përdoren në këto raste janë ‘budallicë, “trullan/trullavicë, kali, majmun, idiot, kastravec, etj“. Një pasqyrë të ngjashme të gjendjes kemi marr edhe nga intervistat me nxënës nga Prishtina, Podujeva dhe Gjilani.

Punëtoria e Dytë Treditore e Organizuar Nga IKS

E financuar nga Ambasada Britaneze në Kosovë, punëtoria është duke trajtuar draft koncept dokumentin mbi politikën: “Rivitalizimi i pemëtarisë, perimtarisë dhe stallave” që propozohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZH), me përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Zyra e Kryeministrit të Kosovës, duke përfshirë edhe përfaqësues nga Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Ekonomik përfshi këtu edhe shoqërinë civile. 

25-26 dhe 27 nëntor 2013 – Hotel Belvedere në Durrës.

IKS-i Shënon Javën Evropiane Për Trashëgimi Kulturore

Në kuadër të projektit për “Ruajtjen/Restaurimin Kulturor” të financuar nga Fondi i Ambasadorit të SHBA dhe të implementuar nga IRD, më 30 shtator 2012 në fshatin Stubëll e Epërme, Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS) ishte pjesë e aktivitetit Tour de Culture të organizuar nga organizata Cultural Heritage without Borders, për të shënuar ditët e trashëgimise kulturore evropiane.

Për pjesëmarrësit në Tour de Culture, IKS shfaqi ekspozitën me fotografi të tri objekteve kulturore në rajonin e Prizrenit gjatë fazave të ndryshme të restaurimit: Shtëpia e vjetër e Sheh Zades në Prizren, Kisha e Shën Stefanit në Hoçë të Madhe dhe Kisha e Shën Nikollës në Bogoshevë – Prizren.

Ekipi i IKS-së gjithashtu organizoi një vizitë për nxënësit të cilët morrën pjesë në konkursin e trashëgimisë kulturore për tri kategoritë: ese, vizatim dhe poezi.  IKS shpërbleu punimet më të mira të nxënësve si dhe ndau mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit e konkursit.