Letër e Hapur e Organizatave të Shoqërisë Civile Drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës Për Anulimin E Reformave Pensionale

I nderuari Kryeministër Mustafa,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Pas shtatëmbëdhjetë viteve të përfundimit të luftës, dhe 8 viteve pas shpalljes së Pavarësisë, Ju, jo vetëm që nuk arritët të ndërtoni një sistem efikas të mbrojtjes bazike sociale, por keni nisur iniciativa politike të cilat drejtpërdrejtë rrezikojnë dinjitetin nëse jo edhe ekzistencën fizike të qytetarëve tuaj, e sidomos të atyre të moshës së shtyer.
Iniciativa për reformimin e sistemit të pensionit bazë, e cila u mohon një të drejtë që qytetarët e Kosovës e kanë pasur deri më sot, e që është e drejta në pension pleqërie, me qëllim që mjetet e kursyera të përdoren për qëllime jo-transparente për ne, përbën përkeqësim dhe rrezikim të jetës së mbi 100,000 qytetarëve të Kosovës mbi 65 vjeç. Për më tepër, kjo politikë është edhe anti-kushtetuese.
Së fundmi keni propozuar ndryshimin e Ligjit për Fondet pensionale. Ky ligj, që mund të konsiderohet i kontrabanduar në kuvend, ka kaluar në leximin e parë dhe së shpejti mund të shkojë për votimin përfundimtar. Ndryshimet e propozuara, janë këto:
– rritja e tavanit të investimit të mjeteve të Fondit në letrat me vlerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që rezikon paratë tona;
– ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes se bordit menaxhues te Fondit të kursimeve (që përfshin në Komision përzgjedhës Guvernatori e BQK-së, Ministrin e Financave dhe Auditorin e përgjithshëm), gjë që përbën konflikt të rëndë interesi, posaqërisht sepse guvernatori i BQK-së, ka autoritet mbikëqyrës mbi institucionet financiare përfshi këtu edhe Trustin, përderisa konflikti te përfshirja e Ministrit të Financave qëndron në faktin se Fondi blen letra me vlerë të lëshuara nga kjo ministri, dhe
– sigurimi i qasjes tuaj në paratë e menaxhuara nga Trusti, pas pretendimit tuaj që këto para, nuk kanë kontribues të njohur. Ndryshimi i ligjit ua lejon që këto para, pas 6 viteve të mbetura “pa pronar” mund të kalojnë në pronësi të Qeverisë. Nëse Trusti nuk e di se për cilin kontributdhënës janë paguar ato para, Trusti e di mire se nga cila xhirrollogari janë pranuar të njejtat, gjë që e bën të lehtë identifikimin e pronarit të atyre mjeteve. Opsioni i fundit që mund të mirret parasysh është përvetësimi i parave personale të fituara me punë.

Duke ju referuar këtyre argumenteve ju rekomandojmë që:
– urgjent të anuloni këto iniciativa,
– që Trusti urgjent të mirret me rregullimin e problemit në sistemin e kontributeve pensionale.

Organizatat përkrahëse:

1. Asociacioni Rinor për të Drejtat e Njeriut (YAHR)
2. Asociacioni për Shoqëri Civile në Mitrovice
3. Besa Shahini – Analiste e pavarur
4. Community Building Mitrovica – (CBM)
5. Fondacioni Lumbardhi
6. Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS
7. Horizonti 21
8. Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS
9. Integra
10. Instituti i Prishtinës për Studime Politike –
11. Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave – KIPRED
12. Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës (KGVK)
13. Konsumatori
14. Lëvizja për Bashkim dhe Progres
15. Lens
16. Organizata për Mbrojtjen e Popullatës ndaj Ndikimeve të Mjedisit (OPNM)
17. OJQ Zana
18. OJQ ASTRA
19. Programi për të Drejtat Civile në Kosovë (CRP/K)
20. Peer Educators Network (PEN)
21. Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar (KCIC/QKBN)
22. Qendra për zhvillimin e komunitetit dhe biznesit (CBDC)
23. Qendra psiko-sociale “Shtepia e Shokeve”
24. Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS)
25. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT)
26. Qendra Kosovare per Studime Gjinore (QKSGJ)
27. Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK)
28. Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor
29. Shoqata Afariste e Gruas SHE-ERA
30. Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës ” Nëna Terezë” Prishtinë”
31. Shoqata e të Verbërve të Kosovës (SHVK)
32. Udruzenje Bosnjaka “Oaza”
33. VISION 02 – Istog
34. Youth Ecological Zone – EcoZ,

Kujt po ia Len Qeveria e Kosovës Barrën e Pensionistëve

Një raport në përpilim e sipër i Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), gjen se të moshuarit, përballen me shkallë të lartë të varfërisë dhe me mungesë të një trajtimi adekuat social dhe si pasojë detyrohet të bëjnë jetë jo-dinjitoze. Sipas të gjeturave , mbi 69 për qind e pensionistëve thonë që janë kryekëput barrë e familjes kur është fjala për mbulimin e këtyre shpenzimeve.Për më shumë informacione lidhur me pensionistët, Fondin Pensional lexojeni artikullin e shkruar nga drejtoresha ekzekutive e IKS, Florina Duli.

http://koha.net/?id=31&o=1461

Sfidat e Dialogut Social në Vend

Mbrëmë në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi ka folur për Sfidat e Dialogut Social në vend, skemën e re pensionale, shtimin e buxhetit për veteran si dhe ligjin  e ri për lehoninë.

Ky debat u mbështet nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS dhe FES.

Për ata që nuk patën mundësi të ndjekin transmetimin, gjeni më poshtë linkun e emisionit:

https://www.youtube.com/watch?v=1LMIcy2Wtpk

Përmbyllet me Sukses Projekti “Përkrahje Partnerëve Social”

Projekti “Përkrahje e Partnerëve Social” e ka arritur qëllimin e tij, rritjen e cilësisë së dialogut social në Kosovë. Kjo është thënë nga të gjithë partnerët social në Kosovë, punëdhënësit, punëmarrësit dhe qeveria në përmbylljen e këtij projekti që është financuar nga Bashkimi Evropian.

Projekti që nga nëntori i vitit 2013, për tri vjet më radhë, ka kontribuar në rritjen e cilësisë së dialogut social në Kosovë nëpërmjet lehtësimit të procesit dhe rritjes së pjesëmarrjes në politikat zhvillimore.

Partnerët kryesor të këtij projekti kanë qenë Friedrich Ebert Stiftung Pristina, Oda Ekonomike e Kosovës, Aleanca Kosovare e Bizneseve, BSPK-ja dhe disa sindikata të tjera si ajo e Energjetikës dhe Metalistëve.

Në ceremoninë përmbyllëse, drejtoresha ekzekutive e IKS, Florina Duli tha se projekti “Përkrahej Partnerëve Social- PPS” është kurorëzuar me një arritje mjaftë të madhe e që është përveç tjerash sjellja e drejtësisë sociale në diskursin publik.

Në anën tjetër, Izedin Bytyqi, sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se ky projekt ka ndihmuar shumë në bashkimin e sindikatave dhe në rritjen e dialogimit në mes të palëve.

Projekti ka përkrahur disa tryeza për diskutimin e amandamentimit të Ligjit të Punës. Bytyqi tha se praktika e dialogimit që është instaluar nga projekti do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Përmirësimi i dialogut sociale, sidomos amandamentimi i ligjit të punës është kusht i BE-së për Kosovës. Për këtë projekt janë mbajtur një sërë aktivitetesh dhe në si ministri do të vazhdojmë edhe me teje në promovimin e dialogut sociale “, tha Bytyqi.

Nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Kosovës (BSPK), Alush Sejdiu tha se falë këtij projekti janë mbajtur shumë vizita studimore, të cilat kanë qenë mjaftë të dobishme për përfaqësuesit nga Kosova. Kurse, kryetari i BSPK-së Haxhi Arifi ka thënë se synimi i projektit është arritur, pasi tash dialogu është shumë më i frytshëm në mes të partnerëve social se sa që ka qenë vite më parë.

Koordinatorja e Programit të FES, Besa Luzha, tha se projekti përveç hulumtimeve dhe mbështetjes së reformës Sindikale, ka përdorur mekanizma te larmishëm për të sjellë çështjet sociale më afër qytetarit, duke diversifikuar kështu edhe numrin e akterëve të angazhuar rreth dialogut social.

“Projekti Përkrahje e Partnerve Social ka kontribuar shume në temën e dialogut social. Synimi ka qenë informimi i qytetarëve për rendësin e këtij projekti. E kemi edhe një sfidë në formimin e partnerëve që t’i shtyjmë këto çështje që prekin çdo qytetare të vendit. Pavarësisht se projekti po përfundon tema e dialogut social do të vazhdoj edhe në të ardhmen ”, tha Luzha.

Projekti ka ndihmuar sindikatat më një sërë punëtorish për të rritur aftësitë e tyre në tërheqjen e anëtarësisë së re, për hartimin dhe zbatimin e projekteve dhe mirë-menaxhimin e financave.

Është kërkuar që projekte të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Gjithashtu, është kërkuar që puna e Këshillit Ekonomiko Social të pasqyrohet edhe më shumë në publik.

Ne ceremoninë përmbyllës u prezantuan edhe dy analiza si: reforma e Pensioneve në Kosovë si dhe Dokumente Pozicionuese, të cilat janë bërë në kuadër të projektit Përkrahje Partnerëve Socialë.

Projekti që nisi në nëntor 2013 është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe është implementuar nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS).

Skandalet dhe Reformat

Iniciativat prokuroriale dhe rastet gjyqësore, të gjitha kanë shije politizimi, përderisa tajmingu i tyre gjithmonë koincidon me momente të rëndësishme politike, duke i shërbyer kështu agjendave partiake, apo edhe agjendave të ngushta të liderëve të njërës apo tjetrës parti. Për më shumë informacione lidhur me korrupsionin politik, krimin e organizuar e nepotizmin lexojeni artikullin e shkruar nga drejtoresha ekzekutive e IKS, Florina Duli.

Për më tepër, shikoni linkun më poshtë:

http://koha.net/?id=31&o=1375

Konsultime për Ndryshimin e Ligjit të Punës

Në kuadër të projektit “Përkrahja e Partnerëve Social”, po mbahet punëtoria për konsultimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të Punës. Konsultimet po bëhen drejtpërdrejtë me organizatat e punëdhënësve dhe bizneseve.

Disa nga temat që po diskutohen në këtë tryezë janë pushimi prindëror si dhe dispozitat e kontratës së punës. Kur duhet të lëshohet kontrata e përhershme e punës, pas 3 apo 10 viteve? Gjithashtu, po diskutohet edhe për pushimin prindëror, sa duhet të zgjasë dhe nga kush duhet të financohet?

Episodi i Rradhës Në Info Magazine

Të gjithë ju që nuk patët mundësi ta ndiqni debatin që u zhvillua mbrëmë në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ku u  diskutua mbi politikat pensionale, veçanërisht rritjen e pensioneve nga ana e Qeverisë, ju ftojmë ta lexoni përmbledhjen e emisionit.

Ky debat u mbështet nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS dhe FES

Për ata që nuk patën mundësi të ndjekin transmetimin, gjeni më poshtë linkun e emisionit:

http://klankosova.tv/mospajtime-e-kundershti-rreth-skemes-se-re-pensionale/