Gratë e Padukshme në Veriun e Kosovës

Mungesa e dokumentimit civil ka qenë dhe mbetet një nga pengesat më serioze për konsolidimin institucional të Kosovës. Dokumenti i identitetit nuk është thjesht një mjet burokratik; ai është themeli i qytetarisë, porta hyrëse për ushtrimin e të drejtave politike, për qasjen në arsim dhe shëndetësi, si
dhe për pjesëmarrjen në tregun e punës. Raportet e Progresit të Bashkimit Evropian kanë theksuar vazhdimisht se Kosova duhet të forcojë regjistrin civil dhe të garantojë përfshirje, veçanërisht për grupet vulnerabël, nëse synon të ecë përpara në procesin e anëtarësimit. Megjithatë, më shumë se dy dekada pas luftës, kategori të tëra banorësh mbeten të padukshëm për shtetin. Ndër ta, gratë shqiptare nga Shkodra të martuara me burra serbë në veriun e Kosovës përbëjnë një shembull të qartë të neglizhencës institucionale dhe përjashtimit gjinor. 

Kjo dukuri ka rrënjët e saj në realitetin e pasluftës në veri, ku për vite të tëra kanë funksionuar strukturat paralele të Serbisë. Këto struktura ofronin dokumente, asistencë sociale dhe shërbime shëndetësore, por jashtë kornizës ligjore të Kosovës. Për banorët e atjeshëm, dhe sidomos për gratë që migruan nga Shqipëria, kjo krijoi një realitet të dyfishtë dhe shpesh kontradiktor. Ato jetonin në Kosovë, rrisnin fëmijët aty dhe kontribuonin në jetën rurale, por ligjërisht njiheshin vetëm përmes dokumenteve serbe.
Institucionet e Kosovës, të kufizuara në qasje dhe me mungesë vullneti politik, nuk krijuan procedura të posaçme për t’i integruar këto gra në regjistrin kombëtar. Si pasojë, një brez i tërë grash – nëna, bashkëshorte dhe punëtore – mbeti jashtë njohjes ligjore të shtetit ku jeton. Arsyet që çuan drejt këtyre martesave ishin komplekse, por shpesh lidhen me varfërinë dhe mungesën e mundësive në zonat rurale të Shkodrës. Familjet e panë martesën në veri si një mundësi sigurie për vajzat e tyre.
Ndërmjetës dhe agjenci joformale e ushqyen këtë perceptim, duke premtuar kushte më të mira jetese dhe burra të besueshëm. Në realitet, shumë prej këtyre grave u përballën me kushte të rënda ekonomike, tradita patriarkale dhe izolim shoqëror. Rrëfimet e tyre nuk janë vetëm histori personale sakrifice, por pasqyrojnë dështimet strukturore të një shteti që nuk garantoi përfshirjen e tyre.

Arsyet që çuan drejt këtyre martesave ishin komplekse, por shpesh lidhen me varfërinë dhe mungesën e mundësive në zonat rurale të Shkodrës. Familjet e panë martesën në veri si një mundësi sigurie për vajzat e tyre. Ndërmjetës dhe agjenci joformale e ushqyen këtë perceptim, duke premtuar kushte më të mira jetese dhe burra të besueshëm. Në realitet, shumë prej këtyre grave u përballën me kushte të rënda ekonomike, tradita patriarkale dhe izolim shoqëror. Rrëfimet e tyre nuk janë vetëm histori personale sakrifice, por pasqyrojnë dështimet strukturore të një shteti që nuk garantoi përfshirjen e tyre.

Historia e Dukatës e ilustron qartë këtë realitet. E martuar në Gornje Jasenovik, ajo kaloi tetë vite duke jetuar në një dhomë të vetme, pa ujë të pijshëm dhe pa kushte higjienike. Premtimet që iu bënë familjes së saj në Shkodër – një shtëpi e qëndrueshme dhe jetë më e mirë – nuk u realizuan kurrë. Sot, burri dhe fëmijët e saj kanë dokumente të Kosovës, por ajo vetë jo. Pa dokument, ajo nuk mund të aplikojë për punë dhe nuk mund të përfitojë nga ndihma sociale, duke mbetur e varur nga bujqësia vetjake dhe puna e papaguar e shtëpisë. File Bishevac, një tjetër grua nga Shkodra, humbi burrin shtatë vite më parë dhe tani rrit e vetme dy fëmijët. Përkundër punës së përditshme në arë, ajo nuk ka mbështetje nga institucionet e Kosovës, sepse mungesa e dokumenteve e përjashton nga çdo e drejtë. Edhe Diella, e martuar me Boshkon, zotëron vetëm një letërnjoftim të Serbisë. Ky dokument i mundëson të lëvizë, por jo të marrë pjesë në jetën juridike e shoqërore të Kosovës.

Këto rrëfime tregojnë për një boshllëk të thellë midis jetës së përditshme dhe njohjes ligjore. Për këto gra, martesa u bë një rrugë drejt familjes, por edhe një pengesë për qytetarinë. Ato janë njëkohësisht të brendshme – nëna dhe bashkëshorte që rrisin fëmijë në Kosovë – dhe të jashtme, të përjashtuara nga mbrojtja dhe të drejtat që u takojnë.

Vlerësimet institucionale e konfirmojnë shkallën e problemit. Drejtoresha e Shëndetësisë në Zubin Potok, Gordana Mihajlović, ka deklaruar se rreth 50 gra shqiptare në këtë komunë, të martuara me serbë, ende nuk kanë dokumente të Kosovës edhe pas mbi 20 viteve që jetojnë aty. Në një trajnim të organizuar nga Agjencia për Zhvillim Rajonal në Veri, nga 80 gra pjesëmarrëse, 50 kishin shtetësi shqiptare dhe ishin në të njëjtën gjendje – të papuna, të padokumentuara dhe të varfra. Kryetari i Komunës, Izmir Zeqiri, ka pranuar se numri real mund të jetë edhe më i madh, duke përfshirë edhe fëmijët e tyre, të cilët shpesh përballen me vështirësi regjistrimi në shkolla.

Pasojat për të drejtat e njeriut janë të thella. Neni 6 i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut garanton të drejtën e çdo personi për njohje ligjore. Pakiti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR) njeh të drejtën për t’u njohur kudo si person para ligjit. Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW) obligon shtetet të garantojnë qasje të barabartë në punë, arsim dhe shërbime sociale. Përjashtimi i këtyre grave nga regjistri civil i Kosovës është shkelje e drejtpërdrejtë e këtyre standardeve dhe thellon pabarazitë gjinore.

E drejta për punë është një tjetër dimension thelbësor. Pa dokumente, gratë nuk mund të punësohen ligjërisht, të regjistrojnë biznese apo të përfitojnë nga mbrojtjet e Kodit të Punës. Aktiviteti i tyre ekonomik kufizohet në punë të papaguar në shtëpi ose në bujqësi informale. File, me punën e saj të përditshme në arë, është shembull i qartë i kësaj padukshmërie: puna e saj ruan jetën e fëmijëve, por mbetet e paregjistruar dhe e pambrojtur. Frustrimi i Dukatës se nuk mund të aplikojë për punë tregon për përjashtimin strukturor. Ky nuk është thjesht një problem varfërie, por mohim i së drejtës për punë, të njohur nga Konventat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) dhe nga Karta Sociale Evropiane.

Efektet ndër-brezore e bëjnë situatën edhe më të rëndë. Fëmijët e grave të padokumentuara shpesh hasin vështirësi për regjistrim në shkolla apo për qasje në shëndetësi. Pa regjistrim të lindjes të lidhur me dokumente të vlefshme, ata rrezikojnë të trashëgojnë të njëjtën gjendje të përjashtimit. Kjo krijon një cikël diskriminimi që mund të përsëritet brez pas brezi. Për një shtet të ri si Kosova, që synon integrimin në BE, kjo gjendje nuk është vetëm një problem social, por edhe një sfidë për besueshmërinë politike.

Për më tepër, pasojat politike janë të dukshme. Sa kohë që këto gra mbeten pa dokumente, institucionet e Kosovës projektojnë dobësi dhe mungesë të sundimit të ligjit. Dështimi për t’i integruar këto kategori dëmton jo vetëm jetët e grave dhe fëmijëve, por edhe reputacionin ndërkombëtar të shtetit. Në kontekstin e integrimit evropian, ku të drejtat e grave, përfshirja sociale dhe mbrojtja e minoriteteve janë kritere kyçe, ky problem nuk mund të mbetet i pazgjidhur.

Përvoja ndërkombëtare ofron modele konkrete. Bosnja, pas Marrëveshjes së Dejtonit, miratoi ligje të posaçme dhe përdori ekipe mobile për regjistrim. Maqedonia e Veriut në vitin 2012 krijoi rrugë ligjore për personat pa shtetësi që të pajiseshin me dokumente dhe qasje në shërbime. Mali i Zi ka zbatuar masa të ngjashme, me fokus tek gratë dhe fëmijët. Kosova mund të mësojë nga këto praktika, duke i përshtatur për kontekstin e saj në veri, dhe duke i trajtuar jo si çështje teknike të regjistrimit civil, por si çështje të të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe kohezionit shoqëror.

Në fund, kjo nuk është thjesht një çështje dokumentesh. Është një çështje dinjiteti, barazie dhe njohjeje të plotë qytetare. Këto gra nuk janë të padukshme në komunitetet ku jetojnë – ato janë nëna që rrisin fëmijë, punëtore që punojnë në arë, kontribuese në jetën rurale. Ato janë të padukshme vetëm për shtetin, i cili nuk i ka njohur ligjërisht. Për Kosovën, adresimi i kësaj gjendjeje është një domosdoshmëri ligjore, politike dhe morale.

Rekomandime për Institucionet e Kosovës

  1. Miratimi i një ligji të posaçëm për dokumentimin e grave shqiptare të martuara në veriun e Kosovës, me procedura të thjeshtuara dhe amnisti administrative.
  2. Krijimi i procedurave të përshpejtuara për pajisje me dokumente, me afate të qarta dhe kritere transparente.
  3. Vendosja e ekipeve mobile për regjistrim civil dhe ndihmë juridike falas në fshatrat veriore, duke iu afruar grave në vendbanimet e tyre.
  4. Sigurimi i qasjes së menjëhershme në shëndetësi, arsim dhe ndihmë sociale për gratë dhe fëmijët e tyre sapo të pajisen me dokumente.
  5. Zhvillimi i programeve të veçanta për punësimin dhe fuqizimin e grave, përfshirë trajnime profesionale, subvencione për punësim dhe mbështetje për vetëpunësim.
  6. Krijimi i një mekanizmi monitorues ndërinstitucional që përfshin Qeverinë, komunat dhe shoqërinë civile, i cili të raportojë çdo vit mbi progresin.
  7. Organizimi i fushatave ndërgjegjësuese dygjuhëshe (shqip dhe serbisht), për të informuar gratë mbi të drejtat dhe procedurat, duke zvogëluar varësinë nga rrjetet joformale.

Paga minimale në Kosovë: drejt dinjitetit në punë apo përballë realitetit ekonomik?

Paga minimale është një nga instrumentet më të rëndësishme të politikës sociale dhe ekonomike. Ajo përcakton kufirin më të ulët të kompensimit që një punëtor mund të marrë për punën e tij, duke synuar një jetesë dinjitoze dhe mbrojtjen nga shfrytëzimi. Në Kosovë, ku papunësia dhe informaliteti janë ende të larta, paga minimale mbetet më shumë çështje e drejtësisë shoqërore sesa thjesht një instrument ekonomik.

Koncepti i pagës minimale daton që nga shekulli XIV, kur në Angli, pas murtajës që uli ndjeshëm numrin e punëtorëve, u miratua Statuti i Punëtorëve nga mbreti Eduard i Tretë për të kufizuar pagat dhe mbrojtur shtresat e varfra. Në shekullin XIX, me revolucionin industrial dhe politikat e tregut të lirë, pabarazitë u thelluan, çka nxit ekonomistë si David Ricardo dhe John Stuart Mill të argumentonin për nevojën e një page minimale që të siguronte jetesën bazike. Shekulli XX e bëri pagën minimale standard ligjor: Zelanda e Re, Australia dhe më pas SHBA e përfshinë në politikat e tyre ekonomike, ndërsa presidenti Franklin D. Roosevelt theksoi se “asnjë biznes nuk ka të drejtë të ekzistojë nëse i paguan punëtorët më pak se ç’nevojitet për jetesën e tyre”.

Sot, mbi 90 për qind e vendeve në botë kanë paga minimale të përcaktuara me ligj. Në Bashkimin Evropian, 21 nga 27 shtetet anëtare e kanë të institucionalizuar këtë mekanizëm. Sipas të dhënave për vitin 2024, paga minimale më e ulët në BE është në Bullgari me 477 euro, ndërsa më e larta në Luksemburg me 2,387 euro. Vendet si Suedia, Finlanda dhe Danimarka nuk kanë ligje për pagë minimale, por e përcaktojnë përmes marrëveshjeve kolektive mes sindikatave dhe punëdhënësve, duke reflektuar një dialog social të qëndrueshëm.

Në Kosovë, paga minimale u vendos për herë të parë në vitin 2011 me dy nivele diskriminuese sipas moshës: 130 dhe 170 euro. Vetëm në prill 2022 ajo u rrit në 264 euro bruto, ndërsa në shtator 2024 u bë rritja e fundit, duke e unifikuar pagën minimale në 300 euro bruto për të gjithë punëtorët, pa dallim moshe apo statusi. Edhe pse ky është një hap pozitiv, vlera mbetet shumë larg kostos reale të jetesës, e cila sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) dhe Bankës Botërore tejkalon 1,000 euro në muaj për një familje mesatare. Kështu, paga minimale aktuale mbulon më pak se një të tretën e nevojave bazike për jetesë në vend.

Ligji parashikon që paga minimale të përcaktohet nga Këshilli Ekonomiko-Social (KES), një trup tripalësh me përfaqësues nga qeveria, sindikatat dhe punëdhënësit. Por në praktikë, ky mekanizëm ka qenë jofunksional për më shumë se pesë vjet. Arsyeja qëndron në kufizimin ligjor të përfaqësimit: sipas Ligjit Nr. 04/L-008 për Këshillin Ekonomiko-Social, vetëm konfederatat sindikale dhe organizatat e punëdhënësve që përfaqësojnë së paku 10 për qind të punëtorëve ose punëdhënësve në Kosovë mund të jenë anëtare të Këshillit. Në një vend ku mbi 95 për qind e bizneseve janë të vogla dhe të mesme, ky kriter praktikisht e përjashton sektorin privat nga përfaqësimi real. Si pasojë, në Kosovë mungojnë sindikatat e sektorit privat dhe dialogu social dominohet nga përfaqësues të sektorit publik, duke e bërë procesin e vendimmarrjes të pjesshëm dhe të kufizuar.

Raportet e fundit e theksojnë këtë boshllëk institucional. Sipas Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), në publikimin “Kushtet e Punës në Zonat Industriale në Kosovë” (2023), në shumë zona industriale dhe në sektorë si gastronomia dhe ndërtimtaria, mbi 60 për qind e punëtorëve punojnë pa kontrata të rregullta. Po sipas të dhënave të IKS, 56 për qind e punëtorëve në sektorin privat punojnë shtatë ditë në javë, shpesh me orar të zgjatur dhe pa sigurime shëndetësore. Raporti tjetër i IKS “Monitorimi i Zbatimit të Ligjit të Punës në Kosovë” (2022) tregon se mungesa e inspektimeve dhe kontratat afatshkurtra kanë krijuar një treg pune të brishtë dhe të pasigurt.

Në të njëjtën linjë, Raporti i Organizatës Ndërkombëtare të Punës dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për Tregun e Punës në Kosovë (2023) vlerëson se rreth 33 për qind e punëtorëve në Kosovë punojnë pa kontrata formale. Ndërkohë, Inspektorati i Punës ka vetëm rreth 70 inspektorë aktivë për të mbikëqyrur afro 300 mijë punëtorë në sektorin privat. Kjo e bën pothuajse të pamundur monitorimin efektiv të zbatimit të ligjeve të punës dhe garantimin e pagës minimale. Në raportet e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (2024) theksohet se sektorët më të rrezikuar nga informaliteti dhe pagat nën minimum janë ndërtimtaria, prodhimi dhe tregtia me pakicë.

Debati mbi pagën minimale ndan ekonomistët. Disa mendojnë se një rritje e menjëhershme mund të rëndojë bizneset e vogla, ndërsa të tjerë argumentojnë se rritja graduale është e domosdoshme për të ulur varfërinë dhe për të nxitur konsumin. Analizat e IKS dhe të ekspertëve të tregut të punës sugjerojnë se një pagë minimale prej 350–400 euro, e shoqëruar me politika lehtësuese fiskale për bizneset, do të përmirësonte mirëqenien pa rritur papunësinë. Sindikatat kërkojnë që ajo të lidhet me koston reale të jetesës dhe të përditësohet çdo vit sipas inflacionit, si në vendet e BE-së.

Në fund, paga minimale në Kosovë nuk është vetëm një numër. Ajo është tregues i mënyrës se si shteti dhe shoqëria e trajtojnë punën dhe dinjitetin njerëzor. Një pagë që nuk mbulon nevojat elementare nuk mund të quhet minimale në kuptimin e plotë të fjalës. Prandaj, vendosja e një page minimale reale duhet të shihet si investim në kapitalin njerëzor dhe në stabilitetin e vendit, jo si barrë për bizneset. Vetëm përmes dialogut të mirëfilltë social, inspektimeve të rregullta dhe politikave që mbrojnë të punësuarit e sektorit privat, paga minimale mund të bëhet mjet i drejtësisë shoqërore dhe i zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.