Projekti “Lista e Bardhë”

16 Janar 2008

‘Projekti Lista e Bardhë’ është lancuar nga European Stability Initiative (Iniciativa Evropiane për Stabilitet – ESI) në vitin 2008. Në partneritet me IKS-in dhe organizatat tjera në rajon, ESI synon të promovoj udhëtimin pa viza në Evropë për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Kosova mbetet mbrapa në krahasim me vendet tjera të rajonit. Më 1 Janar 2008 marrëveshja për liberalizimin e vizave hyri në fuqi me Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnjën dhe Hercegovinën si dhe me Shqipërinë. Më 5 Janar 2008, Komisioni Evropian filloi dialogun për viza në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës. Udhërrëfyesit e detaijzuar me kritere specifike, të cilat duhet të përmbushen nga secili vend për udhëtim pa viza janë lëshuar për të gjitha vendet në rajon përveç Kosovës. Ka shumë mundësi, që të gjitha këto vende përveç Kosovës, të mund të udhëtojnë pa viza në Evropë në vitin 2010. Si rezultat, Kosova do të jetë edhe më e izoluar politikisht dhe ekonomikisht.

Për ta parandaluar këtë, IKS-i synon të hap një debat konstruktiv për liberalizimin e vizave në Kosovë. Dokumentin ‘Projekti Lista e Bardhë’ i cili është kontributi ynë i parë për këtë debat, mund ta gjeni tek rubrika: Publikimet.

Njësia Nën-Komunale – Njësia Potenciale për Zhvillim

Në kohën e tensioneve të larta politike në Kosovë, një vit para se të fillonin negociatat për statusin final të Kosovës, njëra prej çështjeve më të ndërlikuara ishte decentralizimi. Në mënyrë që t’i akomodoj të gjitha grupet etnike në Kosovë, komuniteti ndërkombëtar insistonte që të formoheshin komuna të reja, të cilat do të drejtoheshin nga përfaqësues të grupeve etnike të minoriteteve në Kosovë – kryesisht nga Serbët. Caktimi i kufijve të rinj të komunave u prit me një rezistencë të madhe nga Shqiptarët – të cilët për shkak të dhunës së përjetuar në të kaluarën nga autoritetet Serbe – u ndien të kërcënuar nga mundësia që t’i përkasin një komune të re që drejtohet nga Serbët.

Duke pasur parasysh përbërjen sociale – ekonomike të Prishtinës, IKS-i është fokusuar në një problem më pak të politizuar që ndërlidhet me decentralizimin. Komunat e Kosovës përbëhen prej njësive nën-komunale të cilat kanë shërbyer si formë e decentralizimit për dekada. Mirëpo, në realitet ato nuk janë funksionale: ato kanë fuqi minimale administrative dhe asnjë fuqi politike. Për më shumë, në procesin e tanishëm të decentralizimit, ekzistimi i njësive nën-komunale nuk luan ndonjë rol të rëndësishëm.

Në njërën anë ka qenë problemi i mungesës së informatave për procesin e decentralizimit në Kosovë, që kryesisht është definuar nga mediat më shumë si çështje politike se sa si çështje pragmatike “sjellja e qeverisjes më afër qytetarëve.” Në anën tjetër, njësitë ekzistuese të decentralizuara që është dashur t’i mundësojnë qytetarët të ngrisin zërin për shqetësimet e tyre dhe të dëgjohen në komuna, nuk kanë qenë funksionale, duke ju dhënë qytetarëve shumë pak arsye të shohin procesin e decentralizimit si proces në dobi të tyre.

Në Prill 2005, IKS-i organizoi një debat publik me zyrtarë të Komunës, zyrtarë prej Ministrisë për Qeverisje Lokale, përfaqësues të njësive nën-komunale në Prishtinë, Media dhe OJQ-ë në Prishtinë për të diskutuar problemin e decentralizimit në Prishtinë. Qëllimi i konferencës ishte i dyfishtë: 1) të depolitizojë çështjen e decentralizimit duke shpjeguar dobitë praktike që qytetarët mund t’i marrin duke i pasur strukturat e qeverisjes më afër tyre, dhe 2) të diskutoj rikontsruktimin e njësive nën-komunale në Prishtinë në mënyre që t’i bëjë ato funksionale dhe t’i shërbejë si një tranzicion i mirë drejt procesit final të decentralizimit, i cili do të ndodhë pas ndryshimit të statusit të Kosovës.

Diskutimi u bë mjaft i nxehur dhe zgjati më tepër se dy orë. Përfaqësuesit e njësive nën-komunale kërkonin tu jepen më shumë fuqi në mënyrë që të kujdesen për nevojat e qytetarëve nën juridiksionin e tyre, kurse zyrtarët e Komunës ankoheshin për mungesën e fondeve të cilat do t’i bënin këto njësi më funksionale.